Politike

Meta: 8 vendimet e “grushtit të shtetit”. Hapi i 9, shkarkimi i Presidentit e ndarja e Kosovës

Presidenti Ilir Meta e ndan në tetë faza grushtin e shtetit për të cilin akuzon socialistët. Ai thotë se faza e parë nis që me zgjedhjet e 2017-ës.

“Duke përdorur çunat problematikë, sipas dosjeve 184 të Dibrës dhe 339 të Shijakut, që lëvizin si top ping-pongu nga një zyrë e prokurorisë në tjetrën. Përdorimi i Policisë së Shtetit në manipulimin e zgjedhjeve, siç rezulton në këto dosje, e frymëzuar edhe nga thirrja publike e Kryeministrit Edi Rama ndaj çdo polici për të bërë fushatë për Partinë Socialiste”, thotë Meta.

Hapi i dytë Meta thotë se është emërimi i Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme dhe më pas përdorimi i Prokurorisë si mjet shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë.

“Kapja në mënyrë anti-kushtetuese e Prokurorisë me 69 vota (nga 84 vota të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, të miratuar me unanimitet me 140 vota), dhe bashkë me të edhe hetimin për të siguruar pandëshkueshmërinë totale të tyre, për të mbyllur çdo çështje penale që rëndon mbi ta dhe bashkëpunëtorët e tyre, për ta përdorur si mjet shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë”, vijon Presidenti.

Hapi i tretë thotë se është djegia e mandateve nga ana e opozitës, që Presidenti mendon se ishte pasojë e provokimit të mazhorancës, që sipas tij, nxitoi të zëvendësojë mandatet duke shkelur rëndë Kushtetutën. Presidenti deklaron se një vit nga djegia e këtyre mandateve, Parlamenti është në shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasi nuk plotëson numrin e 140 deputetëve.

“Provokuan braktisjen e Parlamentit nga opozita dhe vrapuan për të zëvendësuar 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës, në mënyrë anti-kushtetuese e të paligjshme, vetëm me një akt administrativ. Edhe sot pas një viti, Parlamenti është në gjendje të rëndë anti-kushtetuese (122 deputetë me letra nga 140 që kërkon Kushtetuta)”, thotë Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2826154140764174?__tn__=K-R

Hapi i katërt Presidenti cilëson rezolutën e miratuar nga socialistës në qershor të 2019 kundër dekreteve të tij, vendimet antikushtetuese të KQZ-së dhe zgjedhje njëpartiake.

“Përmes Parlamentit monist miratuan Rezolutë kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për zgjedhjet e 30 qershorit. Organizata rilindase e partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve arriti deri aty sa rrëzojë edhe dekretet e Presidentit duke dhunuar haptas Kushtetutën. Mosbotimi i dekretit të Presidentit për 13 tetorin në Fletoren Zyrtare në kundërshtim me ligjin. Organizuan zgjedhje të paligjshme njëpartiake, kapën 100% pushtetin lokal dhe të 61 Bashkitë u bënë moniste, bashkë me Këshillat e tyre”, thotë më tej kreu i shtetit.

Paketën Anti-KÇK Meta e radhit tek hapi i pestë. Mazhoranca thotë se qëllimi i kësaj pakete është goditja e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me sistemin e drejtësisë, por Meta mendon se paketa ka një tjetër qëllim.

“Miratuan KÇK për të asgjësuar totalisht drejtësinë e për ta futur plotësisht në thundrën e qeverisë dhe të policisë, për të mbyllur çdo mundësi për ndëshkimin e kriminalizimit dhe korrupsionit të Rilindjes, si dhe për të përgjuar në mënyrë mafioze e të paligjshme këdo që i denoncon dhe thotë të vërtetat për ta”, deklaron Presidenti.

Si hap të gjashtë, Presidenti radhit ligjet e ashtuquajtura “paketa antishpifje”.

“Për të kapur përfundimisht median dhe AMA-n, miratuan ligjin e ashtuquajtur “Anti-shpifje”, megjithëse Këshilli i Europës ishte totalisht kundër, aq sa u detyrua që po vetë ta çojë në Komisionin e Venecias”, vijon Meta.

Si hap të shtatë Presidenti radhit përpjekjen, sipas tij, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Tentativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet falsifikimeve, mashtrimeve dhe shkeljes së Kushtetutës e ligjit nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke bërë pjesë të grushtit të shtetit të gjithë institucionet e kapura totalisht nga qeveria. Ky hap kishte për qëllim asgjësimin përfundimtar, jo vetëm të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese, por edhe të çdo mundësie për llogaridhënie në Republikën e Shqipërisë, duke vënë në pikëpyetje edhe sovranitetin dhe integritetin e vendit”, deklaron Meta.

Hapi i fundit i grushtit të shtetit, Meta thotë se është miratimi i ligjit për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

“Miratimi anti-kushtetues i ligjit të betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (pa pritur Komisionin e Venecias që e kërkuan vetë), për të futur si anëtarë të saj Dvoranët, Artat dhe Etildat e Rilindjes”, deklaron kreu i shtetit.

Meta parashikon edhe hapin tjetër final, që sipas tij është shkarkimi i Presidentit të Republikës, që kreu i shtetit thotë se është porosi e agjenturave serbe, për t’i hapur rrugë ndarjes së Kosovës.

“Më pas u ka mbetur edhe hapi final: shkarkimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, me porosi të UDB-së, për të zgjedhur një President me “Etikë” që të lobojë dhe të firmosë për ndarjen e Kosovës dhe për çdo projekt tjetër anti-kombëtar. Por shqiptarët kanë 100 vjet që janë ndarë nga Esat Pashë Tradhtari”, deklaron Meta.

Meta e mbyll mesazhin duke ftuar qytetarët në orën 17:00 më 2 mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë