Politike

Meta nuk përjashton shpërndarjen e Parlamentit: Nuk pres zgjidhje nga ndërkombëtarët

Presidenti Ilir Meta nuk e përjashton mundësinë që dekreti i paralajmëruar si hapi i parë për çmontimin e atij që e quan “grusht shteti” të jetë shpërndarja e Parlamentit. Meta tha se do të ndërmerrte një vendim të tillë nëse qytetarët do t’ja kërkojnë.

A nënkupton kjo që Presidenti do të vendosë në varësi të masivitetit të pjesëmarrjes në tubimin që kreu i shtetit ka thirrur më 2 mars në Bulevard? Meta nuk e sqaroi këtë, por në intervistën e dhënë për “5 Pyetjet nga Babaramo” as e përjashtoi si mundësi.

“Unë jam i sigurt që do të jemi në një sintoni të plotë me qytetarët. E rëndësishme është nëse ata pranojnë, apo nuk pranojmë më që një grup puçistësh të rrëmbejnë çdo të drejtë të tyre kushtetuese dhe njerëzore, të lirisë së tyre, të llogaridhënës në këtë vend para tyre që paguajnë taksat edhe që paguajnë borxhin që po shkon në stratosferë dhe të jenë të sigurt se Presidenti do të bëjë detyrën e tij në mënyrën më shembullore për rivendosjen e rendit kushtetues dhe do t'u kërkojë të gjithëve të bëjnë detyrën e tyre, të gjithë aktorëve të tjerë. Këtu nuk mund t'i shmangemi dot kësaj historie. Jemi në një përballje finale me puçistët, nuk ka temë tjetër më të rëndësishme në Shqipëri deri në momentin që do të zgjidhim këtë çështje”, tha Meta.

Presidenti paralajmëroi se në ditët në vazhdim do të nxjerrë të tjerë emra që sipas tij janë përfshirë në grushtin e shtetit. Meta paralajmëron se mes emrave që mund të denoncojë si pjesëmarrës në puç mund të ketë edhe diplomatë të huaj.

“Ata e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm. Ai ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë. Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit”, deklaroi Meta.

Duke iu rikthyer 2 marsit, Meta thotë se nuk ka asnjë arsye se përse të ketë akte dhune, por nëse ato regjistrohen tha se do të jenë përgjegjësi e Qeverisë.

“Nëse segmente të qeverisë dhe të bandave të saj do të provokojnë gjëra të tilla, ajo përgjegjësi do të jetë e tyre. Populli shqiptar në mënyrën më paqësore do të bëjë një manifestim historik në mbrojtje të Kushtetutës dhe është i thirrur për t’i tregua të gjithë botës se ku qëndron populli shqiptar në raport me Kushtetutën dhe kush janë puçistët, të cilët duan të asgjësojnë lirinë dhe demokracinë”, deklaroi Presidenti.

Meta e ka humbur besimin tek ndërkombëtarët dhe ironizon me ish-ambasadorin e SHBA, Donald Lu dhe ish-ambasadoren e BE, Romana Vlahutin, që në përfundim të votimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë reformës në drejtësi në Kuvend u përqafuan në një nga llozhat e Parlamentit.

“Zgjidhja? Nuk pres ndonjë zgjidhje nga ndërkombëtarët. Ata po të donin zgjidhjen e kishin dhënë këtu. Zgjidhjet kanë qenë këtu. Zgjidhjet janë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që ne e kemi bërë bashkë me ndërkombëtarët dhe për atë Kushtetutë që u votua me 140 vota, ne na u puthën në buzë dy ambasadorë të rëndësishëm, nga gëzimi i madh që u bë me konsensus! Ashtu sikurse për fat të keq bekuan kapjen antikushtetuese të Prokurorisë me 69 vota, në kundërshtim të hapur me përcaktimin kushtetutes të 84 votave. Tani nuk jam duke i hyrë kësaj çështjeje. Nuk e pres zgjidhjen te diplomatë që sot janë në Shqipëri dhe nesër ikin në Taxhikistan, apo ikin në Afganistan apo dalin në pension”, thotë Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë