Politike

Meta dorëzon padinë ndaj Gjonajt, “zbeh” koronavirusin: Rrezik murtaja “Rilindje”

Presidenti Ilir Meta dorëzoi personalisht në Prokurorinë e Posaçme padinë ndaj ministres së Drejtësisë dhe dy zyrtarëve të tjerë të lartë të këtij institucioni, që i cilësoi pjesë të një celule të strukturuar, që përmes shkeljes së Kushtetutës dhe falsifikimeve tentuan grushtin e shtetit për t’i rrëmbyer haptazi kompetencat.

Meta tha se shkalla e shkeljeve të gjetura është aq e rëndë sa ishte e domosdoshme që padinë ta dorëzonte personalisht në SPAK me statusin e Presidentit.

“Këto prova dhe fakte tronditëse ishte e domosdoshme t’i sillte vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Padia është dorëzuar për 3 titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, me në krye zonjën ministre ende në detyrë”, vijoi Presidenti.

Kreu i shtetit tha se Presidenca është duke mbledhur prova të reja që i mbërrijnë çdo ditë për të çuar deri në fund shpartallimin e të gjithë asj që e quan përpjekje për grusht shteti përmes kapjes dhe kontrollit të Gjykatës Kushtetuese.

Meta përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që më 2 mars t’i bashkohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. “Për të bërë të qartë se shqiptarët janë me Kushtetutën dhe jo me Metën”, deklaroi ai.

Pyetjes së gazetarëve në lidhje me përhapjen e koronavirusit dhe rrezikut që ky virus të mbërrijë në vendin tonë, Presidenti iu përgjigj duke e cilësuar “Rilindjen” murtajë që i ka rënë vendit, ndërsa nismën e pazakontë që një President të thërrasë popullin në shesh kundër Qeverisë e mbron duke thënë se e pazakontë është edhe gjendja në të cilën ndodhet vendi.

“Rreziku më i madh është murtaja që quhet rilindje, jo socialistët. A ka ndonjë republikë në botë dhe Europë, vend anëtar i KiE dhe kandidat për anëtarësim ku në mënyrë mafioze i rrëmbehet kompetenca kushtetuese Presidentit të shtetit? Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese! Nuk ka asnjë vend në Europë që të ketë ngelur një minutë pa Gjykatë të Lartë! Prandaj më 2 mars kundër murtajës që do të zhbëjë të gjithë shtetin në Shqipëri”, mbylli fjalën e tij Presidenti Ilir Meta.

Më Shumë