Ne të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur me futbollin në 10 vitet e fundit dhe dominuesit. Çdo futbollist i mirë apo shumë i mirë në këto vite është detyruar që të qëndrojë në hijen e dy “alienëve” Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Por sado dëshirë të kenë dhe të aftë që të tregohen, si Messi ashtu edhe Ronaldo po i afrohen perëndimit të tyre sportiv. Në 10-vjeçarin e ardhshëm ne do duhet të bëhemi gati për listën e re të yjeve që pritet të shkëlqejnë. Media e njohur amerikane Espn propozon listën e 11 lojtarëve që do të jenë rivalët për ta fituar të paktën një herë Topin e Artë në dekadën e ardhshme.
Në portë ylli i ardhshëm quhet Gianluigi Donnarumma

Ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, por që prej tre sezonesh është portieri titullar i Milan, duke treguar aftësi mbresëlënëse. I projektuar si pasardhësi i Gianluigi Buffon’s te kombëtarja italiane, 19-vjeçari ka shumë talent, por do i duhet shumë punë për të qëndruar në nivelin e pritshmërive. Çmimi i tij në tregun e transferimeve aktualisht është në kuotën e 36 milionë eurove. Në kampionatin botëror të Rusisë, Gianluigi Donnarumma nuk mori dot pjesë, pasi skuadra e tij kombëtare, Italia nuk mundi dot të kualifikohej. Por është e sigurt se nëse Donnarumma vijon rritjen e qëndrueshme edhe për sezonet e ardhshme ai do të bëhet portieri më i mirë në botë.
Në krahun e majtë të mbrojtjes, Benjamin Henrichs

Ai e filloi karrierën si mesfushorë qendre dhe më pas kaloi në mbrojtës i majtë, pak a shumë siç bëri Philipp Lahm, por në një moshë më të madhe. Benjamin Henrichs aktualisht luan për Monaco. Instinktet sulmuese të Henrichs e bëjnë atë një mbrojtës krahu modern, pikërisht si ata që jemi mësuar të vijnë nga përtej Atlantikut. Sapo ka mbushu 21 vjeç dhe është transferuar në një klub që është specializuar për katapultimin e talenteve, si Monaco, duke lënë Leverkusen në kampionatin gjerman. Aktualisht ai vlen 11 milionë euro, por me klube si Barcelona apo Bayern Mynih në gjurmët e tij, nuk duhet të habitemi nëse verën e ardhshme do të shitej për 50 apo 60 milionë euro.
Në krahun e djathtë të mbrojtjes, Theo Hernandez

Real Madrid do të kërkojë të sjellë një top të artë në “Bernabeu” për herë të parë me anë të një mbrojtësi. “Merengues” kanë në gjirin e tyre Theo Hernandez, një nga mbrojtësit më premtues të momentit. Hernandez është vetëm 20 vjeç dhe është talenti i radhës nga Franca që ka bërë kalimin e bujshëm nga Atletico Madrid te rivalët e përjetshëm Real Madrid. 20-vjeçari është shumë i mirë në fazën difensive, por nuk duhen nënvlerësuar aftësitë e tij edhe në inkursionet sulmuese.
Qendërmbrojtës, Malang Sarr

Vetëm 19 vjeç, por ka mbi shpatullat e tij një peshë të madhe eksperience dhe disa sezone që luan në Ligën e parë franceze. Sarr është konsideruar si një nga qendërmbrojtësit e rrallë për momentin që arrin ta lexojë shumë mirë lojën. Me një fizik për t’u admiruar, Sarr është shumë i fortë për t’u mposhtur në qendërmbrojtje. Për momentin është një nga më të mirët në pozicionin e tij në kampionatin francez dhe kjo gjë e ka vënë në shënjestrën e klubeve më të mëdha europiane.
Qendërmbrojtës, Jonathan Tah

“Paska ende lojtarë që mund të ndërhyjnë pastër brenda zonës”, ishte ky komenti që u bë nga komentatori i ndeshjes Bayern Leverkusen – Schalke në debutimin e Jonathan Tah në Bundesliga. Vetëm 22 vjeç, Tah është një gjigand i vërtetë në qendërmbrojtje, i cili jep garanci për çdo skuadër. Aktualisht ai aktivizohet me Hamburger, por nuk do të jetë shumë larg ajo kohë, kur Tah do ta shohim me një nga klubet më të mëdha në Europë, sigurisht me Bayern Munih në vendin e parë edhe në këtë garë.
Qendërmesfushor, Dele Alli

Dele Alli është një futbollist që e ka potencialin që një ditë bëhet më i miri në botë. Alli mund të bëhet anglezi i parë pas Michael Owen, që fiton “Topin e Artë”. 22-vjeçari ka dy vite që është në nivele të larta me Totenham, por ende nuk e ka bërë shpërthimin e madh që të gjithë po presin nga ai. Aftësitë për të cilat ai vlerësohet më së tepërmi janë ato teknike, por edhe shpejtësia e madhe me të cilën ai mund të lëvizë bashkë me topin. Dele Alli është shndërruar në një lojtarë shumë të rëndësishëm edhe për kombëtaren angleze, teksa në rrjetet sociale është një nga futbollistët britanik më të ndjekur.
Qendërmesfushor, Renato Sanches

Shpërtheu në kampionatin europian 2016, kur ishte vetëm 20 vjeç dhe luajti si titullar me kombëtaren e Portugalisë, e cila u shpall kampione kontinentale. Më pas Bayern Munih e pikasi duke e marrë menjëherë në skuadër, për të mos iu dhënë mundësinë skuadrave të tjera të mëdha. Por Bundesliga është një kampionat i vështirë dhe skuadra bavareze ka shumë konkurencë faktor, të cilët bënë që Sanches të kishte disa vështirësi në ambientimin. Ai u dërgua në hua në Premier League te Swansea, ku u duk sikur e mori veten, por sërish do të mbetet për t’u parë këtë vit nëse portugezi do i shpalosë të gjitha aftësitë e tij.
Mesfushor i avancuar, Christian Pulisic

Nga ShBA nuk vijnë vetëm basketbollistë, apo atletë të talentuar, por edhe futbollistë shumë të fortë. Një nga më të mirët dhe që po shkëlqen në arenën e futbollit europian, është Christian Pulisic. 21-vjeçari me origjinë kroate, i lindur në ShBA është duke shkëlqyer në sezonin e tij të dytë te Borussia Dortmund. Ai luan në rolin e mesfushorit të avancuar, por gjithashtu mund të luaj shumë mirë edhe pas sulmuesve apo në fashat e krahëve. Te Christian Pulisic, kombëtarja amerikane ka varur shpresat për kualifikimin për në botërorin “Qatar 2022”.
Sulmues anësor, Marco Asensio

Prej dy vitesh luan në ekipin e parë të Real Madrid dhe trofetë e fituar janë të shumtë edhe pse jo si protagonist. Por Marco Asensio ka treguar në këto dy vite të klubi madrilen se nëse i jepet mundësia, ai mund t’ia dalë mjaft mirë. 22-vjeçari këtë sezon ai do të ketë përgjegjësinë e madhe të peshës së formacionit te Real Madrid. Asensio ka aftësi shumë të mira teknike, por edhe tribluese, duke e bërë atë unik në skuadrën e “Merengues”, pas ikjes së Cristiano Ronaldo.
Sulmues anësor, Kylian Mbappe

Shumë kanë filluar ta thërrasin si fenomeni i ri i futbollit botëror. Tmerrësisht i shpejtë, shumë teknikë dhe me një potencë gjuajtje të frikshme, Kylian Mbappe është duke mahnitur botën e futbollit. Francezi ishte protagonist me Francën në kampionatin botëror, “Rusi 2018”, ku përfaqësuesja transalpine në fund ngriti lart trofeun. Ai vitin e shkuar lëvizi nga Monaco te PSG për 180 milionë euro. Por nuk do duhet të habiteshim nëse për dyfishin e kësaj shume, ai të largohej nga Parisi për te një tjetër ekip i madh europian.
Sulmues qendre, Gabriel Jesus

Kur braziliani mbërriti në Angli te Manchester City të shumta ishin dyshimet, për atë çka ai mund të bënte në futbollin e ashpër të Premier League. Por ai që ishte konsideruar si pasardhësi i Ronaldo, nga vetë “fenomen” ia ka dalë të qëndrojë në nivelin e pritshmërive. Vitin e shkuar ishte protagonist me “blutë” në fitim e kampionatit anglez, teksa këtë vit nga 21-vjeçari brazilian pritet akoma dhe më tepër. Ai tashmë e ka spostuar Aguerron si sulmuesi kryesor te Man. City dhe të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe Neymar te kombëtarja braziliane shumë shpejt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.