Politike

Mesazhi i Daul për opozitën: Të rikthejmë besimin te institucionet

Presidenti i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul pas një takimi me një delegacion të udhëheqësve të rinisë të partive anëtare në PPE, në Ballkanin Perëndimor, ka folur për aktualitetin në rajon dhe për perspektivat e rinisë për situatën politike.
Duke u ndalur ne problematikat e rajonit, ka theksuar sot se “ka shumë punë për të bërë që ato të jenë më të vërtetë të lira, të ndershme dhe transparente”.
Përfaqësuesi i grupit të djathtë politik në Parlamentin Europian, në këtë takim ku prezent ka qenë dhe kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, ka dhënë sinjale në rrjetin social se duhet një bashkëpunim me synimin për paqen në rajon.

“Takova një delegacion të udhëheqësve të rinisë të partive anëtare në PPE, në Ballkanin Perëndimor, për të folur për aktualitetin në rajon dhe për perspektivat e rinisë për situatën politike. Rinia pëson e para nga korrupsioni sistematik dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit dhe shtetit ligjor, zhvillime që bllokojnë përparimin e suksesshëm të vendeve të tyre dhe e detyrojnë rininë t’i braktisin këto vende duke iu drejtuar emigracionit. Por rinia është gjithashtu dhe një nga grupimet me të rëndësishme të alternativës së nevojshme: ne kemi nevojë për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe dedikimin e tyre të plotë drejt paqtimit në rajon, nëse ne dëshirojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë rrugëtimin e tyre demokratik dhe Europian”, shkruan Daul.

Presidenti i PPE ka lëshuar edhe një mesazh në mënyrë indirekte edhe ndaj situatës në Shqipëri, duke theksuar se duhet rivendosur besimi te institucionet demokratike.
“Ne duhet të rivendosim besimin që ato kanë humbur tek institucionet demokratike në vendet e tyre dhe për përfaqësimin e tyre dhe interesit të tyre nga udhëheqësit e zgjedhur. Mbi të gjitha, ç’ka ka të bëjë me gjithë rajonin, sa u përket zgjedhjeve, ka shumë punë për të bërë që ato të jenë më të vërtetë të lira, të ndershme dhe transparente”, thekson Daul.

Ndërkombëtarët kanë reaguar në lidhje krizën politike në Shqipëri, duke kërkuar uljen e palëve në një dialog mes tyre. Kryeministri Edi Rama, si dhe përfaqësues të mazhorancës, kanë deklaruar se janë të gatshëm për t’u ulur në një tryezë me opozitën. Por deri më tani kryedemokrati ka refuzuar uljen në një tryezë me Ramën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë