Politike

Mesazhi i Berishës për Bashën e SHBA: Edhe një të mbesë në PD, ai do jem unë

Sali Berisha, lideri historik i së djathtës, që sot ka një “hesap” të hapur me SHBA-në pas shpalljes “non grata”, ka përcjellë të mërkurën, vetëm dy ditë pas rikonfirmimit të Lulzim Bashës në parti, një mesazh të qartë;

Ai nuk do të largohet asnjëherë nga Partia Demokratike

Me metodën e vjetër, por me platformën e re të TikTOK, Sali Berisha ka përcjellë një premtim që ai mbajti para demokratëve, si kryetar i partisë, në 25 vjetorin e themelimit të PD.

 “Sikur 1000 të mbeti do të mbetem njëri prej jush, sikur 100 të mbeti do mbetem një prej jush, sikur vetëm një të mbeti do të jem njëri prej jush. Rroftë Partia Demokratike. Zoti i bekoftë demokratët dhe Shqipërinë, flamurin e saj shqiptarët kudo që janë ”, shprehet Berisha në videon e publikuar.

Mesazhi i Sali Berishës vjen në një kohe kur po diskutohet se çfarë qëndrimi do të mbajë Lulzim Basha në Shtator lidhur me mandatin e Berishës, nëse SHBA do t’ia kërkojë sa kohë është shpallur “non grata”, një veprim ky i qartë që u ndoq edhe në rastin e Tom Doshit.

Ky është një vendim që i takon Lulzim Bashës pasi vetë Sali Berisha i ka dhënë qëndrimet e tij.

 Ai nuk ka ndërmend as të distancohet e as të largohet nga jeta politike.

Në kulmin e fushatës për kreun e partisë, kur në garë ishin katër kandidatë, Berisha tha atë që kishte mohuar qysh prej 2013-ës se mund të rikthehej në krye të partisë.

Mesazhi i dytë Berishës se do të qëndrojë në PD edhe sikur një anëtar të mbetet, vjen pas konferencës për shtyp të Grupimit “Për PD” i përbërë nga mbështetës dhe ish-bashkëpunëtor të tij, të cilët akuzuan Bashën se përjashtoi nga procesi rreth 28 mijë anëtarë dhe se nga sot ata fillojnë projektin politik për rithemelimin e PD.  

Lëvizja paralele e tij me këtë grupim është një mesazh i drejtpërdrejt jo vetëm ndaj SHBA-së por edhe vetë Lulzim Bashës i cili ende nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë rreth vendimit të DASH për shpalljen “non grata” ndaj ish-kryeministrit.

Takimi i fundit (të paktën publik) mes tyre ishte ditën e votimit për zgjedhjen e kryetarit, kur si asnjëherë tjetër, në një ditë të pazakontë për PD-në, Berisha qëndroi dy orë në zyrë me Lulzim Bashën...

Takim që ende nuk dihet se çfarë u vendos, por që me veprimet politike të dy ditëve më pas dhe atyre që do të pasojnë, tregojnë se në PD do të ketë jo pak zhvillime të forta në parti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë