Politike

Kritikët e Bashës “luftë” brenda partisë, Harxhi: Zgjedhjet, jashtë standardeve. Do rithemelojmë PD

Ashtu siç kishte paralajmëruar menjëherë pas votimit, një nga kandidatet për kreun e PD, Edith Harxhi, i tha mendimet e saj.

Përmes një konference për shtyp  bashkë me grupimin “Për PD-në”, Edith Harxhi tha se më 13 qershor nuk pati as zgjedhje dhe as zgjidhje dhe procesi ishte jashtë çdo standardi.

“Këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje nuk ishin as zgjidhje ishin jashtë çdo standardi vendor, e jo më ndërkombëtar për t'u quajtur zgjedhje.

Ne do të vazhdojmë të punojmë brenda PD-së, për të ringritur PD nga A për ta rithemeluar. Nuk ka përfunduar me datën 13 qershor, kjo do të vazhdojë dhe ky grup ka të njëjtin qëndrim. Këto nuk ishin zgjedhje. nëse vazhdon që të quhet kryetar partie le të vazhdojë të jetë”, tha ajo.

Edith Harxhi kontestoi edhe faktin se lista e anëtarësisë nuk iu vu në dispozicion kandidatëve gjatë procesit.  

“Listat e anëtarësisë nuk u vunë në dispozicion të kandidatëve. Kjo i mohoi të drejtën e votës dhjetëra mijëra demokratëve.

Përjashtimi i 28 mijë anëtarëve të PD-së është shkelja më e rëndë e këtyre zgjedhjeve. Ka pasur nga ato që kanë shkuar me kartë anëtarësisë të lëshuara nga Azem Hajdari dhe nuk janë pranuar. Pra përveç listës së shkurtuar nga 106 në 75 mijë ka pasur një mungesë shumë të madhe të emrave në listë.

Në kundërshtim me çdo normë të Kodit Zgjedhor janë bërë anëtarë të rinj.

Në disa qendra votimi ka pasur raste kur kanë votuar pa kartë anëtarësie. Audituesit elektronik përfaqësuesit e kandidatëve nuk janë lejuar të shikojnë nëse ka modifikime në sistem. Në 90% të rasteve vëzhguesit janë kërkuar që të rrinë larg tavolinës së komisionit. Ka pasur raste kur vëzhguesit janë kërcënuar nga anëtarët e komisionit. Disa janë përjashtuar nga komisioni. Nuk është zbatuar rregullorja në lidhje me modalitet e procesit zgjedhor”, renditi Harxhi.

Për listat e anëtarësisë foli edhe Arben Imami.

 "Në vitin 2017 z. Basha ka marrë 25000 vota më pak se në vitin 2021 dhe arsyeja është se zgjedhjet e para 4 vitesh kanë qenë totalisht të montuara. Këto zgjedhje janë përtej njohjes apo mosnjohjes. Kandidatët nuk kanë pasur listat. Edhe sot pasi kanë mbaruar zgjedhjet kandidatët nuk kanë listat e partisë. I them z. Basha që ti nuk je kryetar i një subjekti terrorist, komunist, që i mban të fshehta listat e partisë. Në një parti si PD nuk mund të ketë lista të fshehta të partisë", tha Imami.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë