Njerez

Merlin Monro dhe Xho Di Maxho, dashuria e çmendur e divës me kampionin

I ulur në kolltukun e berberit të tij besnik, duke shfletuar faqet e një reviste, Xho Di Maxho takoi fatin e tij. “National Enquirer” shkruante për skuadrën e bejsbollit “Chicago White Sox”, por ajo që tërhiqte vëmendjen, më shumë se muskujt e lojtarëve, ishte një bionde bukuroshe që përshkruhej si "kumbarja” e klubit. Ishte fotografuar në pozicionin klasik të gjuajtësit të topit, e qeshur dhe provokuese. Ajo vajzë ishte Merlin Monro dhe Xho, që në atë kohë ishte heroi i Amerikës, përveç “New York Yankees”, u dashurua menjëherë me të.
Nga ajo ditë e pranvere e 1951-shit ajo u bë obsesioni i tij. Xho nuk priti që berberi i tij të mbaronte punë, nuk e la atë t’ia bënte flokët me brilantinë, por me shpejtësi pastroi fytyrën nga shkuma, grisi fletën e gazetës dhe nisi telefonatat për të marrë informacion për atë grua të mrekullueshme, që dukej sikur kishte zbritur nga hëna.

Merlin Monro në fotografinë që çmendi Xho Di Maxhon

Xho po bëhej gati për sezonin e fundit si lojtar profesionist. Ishte 37 vjeç dhe artriti i jepte dhimbje të forta në duar: ishte momenti për t’i thënë mjaft bejsbollit. Ishte djali i një familje emigrantësh, që nga hiçi kishte arritur suksesin, paratë dhe lavdinë, ndërsa tani duhej të ndërtonte të ardhmen. Ishte një njeri praktik, por edhe i fortë dhe i ashpër. Në jetën e tij nuk kishte vend për përkëdhelje. Por pasi pa atë fotografi, ai zbuloi brenda vetes një pasion të ri, të pamundur për ta dominuar. Në fletën e gazetës që mbante në duar ai dalloi Gus Zernial, lojtarin e “White Sox”, që pozonte pranë Merlinit. E telefonoi dhe pasi bëri ca thashetheme me të dhe e komplimentoi për foton e bukur, i kërkoi se si mund ta kontaktonte bionden. "Nëse të intereson, do të gjej numrin e saj të telefonit Xho, e bëj vetëm për ty". Di Maxho e falënderoi lojtarin, ndërsa Gusi u bëri të ditur gjithçka gazetarëve dhe në pak kohë e gjithë Amerika e mori vesh ngjarjen, që në atë kohë ishte një skandal.

Xho ishte i martuar me Doroti Arnold, me të cilën kishte një djalë dhe ende nuk kishte bërë divorcin, kështu që askush nuk e falte. Edhe miqtë e afërmit e këshillonin: "Ajo nuk është për ty, të shkatërron, ndaj më mirë lëre këtë histori". Po ai ishte kokëfortë dhe nuk u ndal. Marlin ishte makthi i tij dhe duhej t’i shkonte deri në fund, njësoj sikur godiste fort topin e bejsbollit dhe nuk ishte i kënaqur, nëse nuk e çonte atje ku donte dhe nëse nuk dëgjonte ulërimën e publikut: "Homerun!, Jashtë fushe!". Vetëm atëherë Xho largonte nervat dhe shijonte atë moment të shkurtër kënaqësie.

Sezoni me “Yankees” shkoi shumë mirë. Ishte triumfi i fundit i Di Maxhos, skena perfekte e një filmi. Tani, pas një karriere ëndrrash, ai kërkonte të “kthehej” në jetë sipas llogarive të tij. Kishte parashikuar gjithçka. Prej disa muajsh, gjatë natës bënte telefonata të gjata me Merlinin. Nuk kishin pasur ende rastin të takoheshin për shkak të impenjimeve të të dyve, por i kishin premtuar njëri-tjetrit se diçka e bukur shumë shpejt do të ndodhte. Ishte David Març, agjenti i Merlinit, i cili organizoi takimin në restorantin “Villa Capri” në Los Anxheles. Aty i dhanë dorën njëri-tjetrit, shkëmbyen disa fjalë, hëngrën dy biftekë dhe pasi bënë xhiro disa orë në kodrat e Hollivudit, përfunduan në një suitë të “Hotel Beverly Carlton”. Në mëngjes, sapo u zgjua me Xho nën çarçafë, ajo i telefonoi agjentit të saj dhe i tregoi gjithçka. "Goditje e bukur! – iu përgjigj Març. – Nga tani do të jesh gjithmonë protagoniste. Ti do të jesh princesha dhe Xho do të jetë princi yt".

Xho Di Maxho, Merlin Monro, gjenerali Uilliam Din dhe aktori Bob Hop

Xho nuk donte t’ia dinte çfarë thuhej pas krahëve të tij, ishte gjithmonë e më i verbër nga pasioni dhe në pak kohë u bë ai që nuk kishte qenë kurrë: i ëmbël, i qetë, i duruar. Miqtë nuk po e njihnin më. Vëllai Dominik provoi t’ia bënte të qartë situatën, por ishte e kotë. "Unë do të martohem me Marlinin!" – i bërtiti. Dominik këmbënguli, duke arsyetuar për atë çfarë e priste, por Xho iu përgjigj me arrogancë: "Do ta shohësh që kur të bëhet zonja Di Maxho, ajo do të ndryshojë. Do të bëjmë shumë fëmijë dhe do të jetojmë të lumtur”.
Data 14 janar e 1954-ës nuk ishte një e enjte e zakonshme. Në San Françisko, Xho dhe Marlin u martuan dhe u nisën për muajin e mjaltit në Lindje. Di Maxho duhej të ishte në Tokio për nisjen e sezonit të bejsbollit japonez, ndërsa Merlin kishte firmosur një kontratë me trupat ushtarake amerikane që ishin të impenjuara në Kore. Ishte një periudhë shkatërruese dhe për herë të parë Xho kuptoi se ndoshta miqtë e tij nuk ia kishin futur kot. Nuk i pëlqente që bashkëshortja e tij të kërcente gjysmë e zhveshur përpara ushtarëve, nuk donte që ajo të kthehej natën vonë në shtëpi dhe mbi të gjitha nuk donte që të ishte pranë atyre personazheve që i rrinin afër: agjentë, menaxherë, fotografë, gazetarë.

Në pak muaj, pasi u kthyen në Shtetet e Bashkuara dhe u stabilizuan në San Françisko, Di Maxho zbuloi se ishte transformuar nga "Hero i Amerikës" thjesht në "Zoti Monro". Nuk mund ta toleronte këtë degradim. Foli me Merlinin, por ajo, tashmë në parajsën e Hollivudit, as që bëhej fjalë ta kuptonte. Kështu nisën debatet, zënkat e deri te rrahjet. Xho ishte i çmendur nga xhelozia, dyshonte se ajo e tradhtonte dhe me sugjerimin e mikut të tij Frenk Sinatra, e përgjonte me një polic privat. Dhe mori konfirmimin: po, Merlin e tradhtonte me Hal Shaefer, mësuesin e saj, me shumë mundësi jo vetëm me atë. Në atë kohë Di Maxho bëri një çmenduri, shqeu derën e “apartamentit të tradhtisë”, por u gabua, sepse u gjend në shtëpinë e qetë të dy të moshuarve. Duhej një diplomaci e jashtëzakonshme për ta fshehur ngjarjen përballë gazetarëve të uritur për skandal.

Xho Di Maxho në funeralin e Merlin Monro

Pas tetë vitesh në ferr, edhe një luftëtar si Xho Di Maxho u dorëzua. Nuk mund të vazhdonte me tej. Kërkoi divorcin. E fundit që i kishte bërë Merlin ishte skena e famshme e fundit që ngrihet lart në filmin “Kur gruaja është me pushime". Ai ishte aty, duke ndjekur xhirimet dhe u ndje i poshtëruar: burri që shikonte gruan të transformohej në një objekt dëshire. Ishte e tepërt. Edhe pse ishte i bindur se e donte ende, Xho i tha lamtumirë Merlinit dhe më pas qëndroi në heshtje. Si një engjëll mbrojtës ai u përpoq ta mbronte atë vajzë “të burgosur” të një bote më të madhe se ajo. E telefononte shpesh, e këshillonte, edhe pse e dinte mirë se fjalët e tij i merrte era. Por kurrë nuk pati dëshirën për t’u ribashkuar me të. Më 5 gusht 1962, kur Merlin u gjet e vdekur, Xho pati një krizë të fortë nervore. Ishte sikur i kishin hequr një pjesë të trupit. Ishte ai që organizoi ceremoninë mortore dhe që mbajti larg kësaj ceremonie njerëzit e Hollivudit, që i konsideronte përgjegjës për vdekjen e saj. Për më shumë se 30 vjet, mbi varrin e Merlinit, në Uestvud, nuk mungonin tre trëndafilat e kuq. Ia sillte Xho Di Maxho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë