Bota

Merkel thirrje vendeve të BE-së për të mbyllur pistat e skive për Krishtlindje

Kancelarja pranoi se do të jetë e vështirë të bindësh Austrinë "por gjithsesi do të përpiqemi". Komisioni Europian distancohet: "Nuk është përgjegjësia jonë"

Angela Merkel u bën thirrje vendeve të BE-së të mbyllin të gjitha vendpushimet e skive në Europë për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, si pjesë e përpjekjes për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë. Në "deklaratën e saj qeveritare" në Bundestag, kancelarja gjermane gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të Unionit të shmangin çdo udhëtim për qëllime turistike mes periudhës tani dhe fundit të vitit.

"Sezoni i skive po afron dhe ne do të bëjmë presion që BE të vendosë me një votë për të mbyllur të gjitha vendpushimet e skive," tha Merkel, duke pranuar megjithatë se do të jetë e vështirë të bindësh qeverinë e Austrisë, ku industria e pushimeve dimërore përbën një shtyllë të rëndësishme të ekonomisë, shpesh e vetmja në rajonet Alpine. "Por gjithsesi do të përpiqemi," siguroi Merkel.

Të mërkurën, kancelari austriak Sebastian Kurz kishte hedhur poshtë edhe një herë çdo hipotezë të mbylljes, duke theksuar se çështja "nuk është në kompetencën e  BE-së ". Komisioni Europian gjithashtu shprehu një pozicion të ngjashëm: përfaqësuesi i tij në Vjenë, Martin Selmayr, tha se "kjo nuk është në sinkron me kompetencat e Brukselit".

Polemika mbi sezonet e skive ndan vendet e Bashkimit. Autoritetet gjermane kujtojnë rastin e Ischgl, fshati austriak në Tirol, i njohur si parajsa e skive që u bë një nga vendshpërthimet më të mëdha në botë të infeksionit gjatë valës së parë, me mijëra të infektuar dhe zinxhirët e infektimit të shtrirë nga Islanda në Singapor , nga Suedia në Izrael, pikërisht për shkak të refuzimit të autoriteteve lokale për të marrë ndonjë masë kufizuese, kur të dhënat për pandeminë ishin tashmë alarmante. Markus Soeder, Kryeministri Social-Kristian i Bavarisë, është mbështetësi më i fortë i një qasje unike për të gjithë Europën: "Ne po mbyllim skijimin dhe turizmin në Gjermani dhe Austria duhet të bëjë të njëjtën gjë".

Turizmi i skive përbën 4% të prodhimit të brendshëm bruto të Austrisë dhe gati 8% të punësimit në muajt e dimrit. Ministrja Federale për Turizmin, Elizabeth Koestinger, tha se "pushimet e dimrit do të jenë të sigurta", falë masave të distancës në ashensorët e skive dhe ndalimit të orarit për baret dhe restorantet.

Çështja austriake po ndiqet me shumë vëmendje në Itali, ku qeveria Conte ka njoftuar se dëshiron të mbyllë vendpushimet e skive deri më 10 janar, por rajonet më të interesuara janë kundër. Presidenti i rajonit të Venetos, Luca Zaia, tha se një sezon i Krishtlindjeve pa ski do të ishte "një vetëvrasje ekonomike". Në Francë, qeveria ka njoftuar se dëshiron të lërë vendpushimet e skive, por që dëshiron të mbyllë teleferikët. Nëse Austria nuk do të pranonte një vendim të përbashkët europian për mbylljen, do të ishte e vështirë të bëhej e pranueshme një masë e tillë në vendin tonë./Corriere.it/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë