Analize

Merkel përgatit krijimin e një “Republike Srpska” në Kosovë?

Ndërkohë që presidentët dhe kryeministrat e Ballkanit po u hedhin në sy të fundit agjendave për samitin e Berlinit, Angela Merkel duket se po përgatit një draft-marrëveshje që do t’u vihet përpara në liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Nëse raportet e mediave janë të vërteta, atëherë kancelaria gjermane do të ndalonte ndarjen e Kosovës, në këmbim të krijimit të një “Republike Srpska” në komunat e Veriut.

E përditshmja austriake “Der Standard” shkruan se qëllimi i konferencës që do të mbledhtë të gjithë liderët e Ballkanit, përfshirë kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta është të “ndalojë” me çdo kusht planin për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas gazetës, Merkel dhe kabineti i saj kanë hartuar tanimë një draft zyrtar për marrëveshjen përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës. “Der Standart” shkruan se Merkel synon të propozojë status të posaçëm për pjesën e Veriut të Kosovës.

“Gjermania është kategorikisht kundër idesë së ndryshimit të kufijve, ndërkohë që kjo e fundit se është mbështetur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini, Komisioneri i BE Johannes Hahn dhe këshilltari i presidentit amerikan, John Bolton, por edhe Austria dhe Hungaria”, shkruan gazeta.

Edhe burime diplomatike konfirmojnë për mediat në Prishtinë se kancelarja gjermane po merret personalisht me çështjen e Kosovës. Ato thonë se gjatë takimit në Berlin do të propozohet një projekt-marrëveshje që synon arritjen e një pakti përfundimtar midis Kosovës dhe Serbisë. “Marrëveshja e re nuk përfshin shkëmbimin e tokës, por nuk do të jetë në favor të Kosovës. Më shumë gjasa do të propozohet që Serbia të ushtrojë një lloj sovraniteti në territore të caktuara të Kosovës” thonë burimet.

Hashim Thaçi , Federica Mohgerini dhe presidenti Vuçiç

Gazeta Express shkruan se projekt-marrëveshja deri në një farë mase do t’i përshtatej kërkesave të Beogradit, por përjashton ndarjen e Kosovës.

“Ka një diskutim rreth sovranitetit të dyfishtë. Kosova do të mbajë integritetin territorial të paprekur, ndërsa Serbia do të gëzojë një lloj sovraniteti mbi serbët në Kosovë dhe kishat ortodokse serbe “, tha një burim për Gazeta Express. Sipas saj, ka të ngjarë që Kosova t’i ofrojë një një pjesë të sovranitetit të saj Brukselit, i cili ka gjasa t’ia transferojë më pas Serbisë.

Qeveria gjermane ka konfirmuar se qëllimi i Kancelares Merkel dhe i Presidentit francez Macron është stabiliteti në rajon, duke u përqendruar në dialogun Kosovë-Serbi. “Stabiliteti dhe zhvillimet pozitive në rajon janë të një rëndësie të madhe për Kancelaren dhe Presidentin. Qëllimi i tyre është të diskutojnë me të ftuarit për sfidat e veçanta me të cilat po ballafaqohet rajoni, duke u fokusuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi “, thuhet në një deklaratë të qeverisë gjermane.

Pakti i Merkel dhe Macron duket se e ka rrugën e hapur, pasi sipas “Der Standard” SHBA-ja ka hequr dorë nga ideja e shkëmbimit të territoreve.

“Sipas burimeve diplomatike, SHBA-ja është dorëzuar, për faktin se ideja kishte shumë vështirësi ligjore dhe implikime për sa i përket sigurisë kombëtare”, shkruan e përditshmja austriake.

Sipas saj, Berlini mendon se është jetike që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje të mirë. Franca ndan të njëjtin qëndrim lidhur me këtë çështje, pasi konsideron se është shumë e rëndësishme të vendoset sundimi i ligjit në Ballkan.

Por qëndrimi i Kosovës përballë Serbisë ka të ngjarë të jetë i dobët, pasi presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj do të shkojnë në Bruksel pa një qëndrim të unifikuar.

Thaçi u takua të hënën me komisionerin e BE-së Johannes Hahn, ndërsa Haradinaj nga Kosova akuzoi Hahnin dhe Mogherinin se i kishin humbur Kosovës një vit me deklaratat e tyre mbi shkëmbimin e territoreve. Ndërkohë që Mohgerini ka konfirmuar prezencën e saj në Berlin, komisioneri Hahn raportohet se nuk është ftuar për të marrë pjesë në këtë konferencë, edhe pse është një nga zyrtarët më të angazhuar në Ballkanin Perëndimor.

Kancelarja Angela Merkel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Meliza Haradinaj, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj tha hënën tha se çështja e Kosovës do të jetë në qendër të takimit rajonal të Berlinit dhe u bëri thirrje udhëheqësve institucionalë të përfaqësohen me një qëndrim të unifikuar përpara Merkel dhe Makro

Por ndërkohë që mediat dhe zyrtarët në Prishtinë “vlojnë” nga raportet për marrëveshjen e re të paraqitur nga Merkel, presidenti Thaçi thotë se takimi në Berlin nuk ka të bëjë me arritjen e një marrëveshjeje ose paraqitjen e një plani për çështjen Kosovë-Serbi.

Ai shkruan në rrjetin social Facebook se ndodhet në konsultime të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë mbi zhvillimet në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor dhe se takimi i Berlinit është vetëm një vazhdimësi e interesit që Gjermania dhe Franca kanë për Kosovën dhe në rajon.

“Kosova do të jetë e zhgënjyer në rast se Franca dhe Gjermania nuk arrijnë të harmonizojnë qëndrimin e tyre mbi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës gjatë këtij takimi”, shkroi ai.

Por sipas presidentit Aleksandër Vuçiç, për Serbinë po vjen një periudhë jashtëzakonisht e vështirë, pasi do të ballafaqohet me një sërë kërkesash për njohjen e pavarësisë së plotë të Kosovës.

“Asgjë e mirë nuk na pret. E vetmja gjë që pres unë është fillimi i kërkesave për një format të ri ku qëllimi do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës, pa dhënë asgjë në këmbim për Serbinë “, tha Vuçiç të mërkurën duke folur në asamblenë e Partisë së tij.

Presidenti serb i vuri një ultimatum për Kosovën që të heqë taksën ndaj mallrave të vendit të tij deri në fillim të majit, duke paralajmëruar se do të “ndërmarrë masa”.
“Nëse taksa ndaj mallrave serbe nuk hiqet deri më 6 maj, atëherë do të mbahet një seancë speciale e Komitetit Kryesor (SNS)-së në Serbi, në të cilin do të dalim me masa kundër Prishtinës”, tha presidenti serb.

Ai se Beogradi ka bërë gjatë gjithë kësaj kohë të pamundurën për të arritur një marrëveshje me Prishtinën zyrtare, por se atmosfera politike Serbi, Kosovë dhe Bruksel, ka qenë agresive.

“Në Beograd priten bisedime të rënda me përfaqësuesit shqiptar, nuk do të jetë e lehtë as me Merkel dhe Macron, por kjo nuk ka të bëjë me ndonjë zgjidhje për Kosovën”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, për ekspertët, samiti në Berlin pritet të ketë në qënder të tij edhe hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, edhe pse kjo duket gjithnjë e më e vështirë. Naim Rashiti, drejtori i Institutit Ballkanik për Politika Zhvillimore, thotë se “takimi në Berlin më 29 Prill, i liderëve të BE-se, Gjermanisë e Francës me vendet e Ballkanit ka për qëllim t’i japë një shtytje të fuqishme miratimit të negociatave me Shkupin, fillimin e negociatave për Tiranën, edhe pse kjo është gjithnjë e më e vështirë, vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rinisjen e dialogut Beograd-Prishtinë”.

“Duke shfrytëzuar prezencën e presidentin francez, Gjermani po lobon sidomos për tri pikat e para, sepse Franca është ende kundër. Ky takim do të jetë kyç për këto tri çështje, mund të jetë takim i lajmeve të mira, por edhe shumë të këqij”, thotë njohësi i politikave ballkanike.

 

Më Shumë