Ne rrjet

Merkel mund të vendoset në Bruksel!

Kancelarja Angela Merkel po tregon shqetësim të madh për të ardhmen e BE-së duke theksuar se ndihet më përgjegjëse se kurrë për Europën. Por a mund të ketë plane kancelarja për t’u zhvendosur në Bruksel? Deklaratat e Merkel kanë nxitur spekulime të forta rreth tranzicionit të mundshëm në poste të rëndësishme të BE-së.

Në një intervistë me gazetën bavareze “Süddeutsche Zeitung” më 15 maj, Merkel njoftoi se do të punonte edhe më shumë për të ardhmen e Europës sesa më parë.

“Shumë njerëz, përfshirë edhe veten, janë të shqetësuar për Europën. Kjo më jep një ndjenjë edhe më të madhe përgjegjësie për t’u kujdesur për fatin e Europës”, tha ajo në intervistë.

Dyshimet nisën javë më parë, kur Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker bëri të qartë se ai e konsideron të mundur që Merkel të marrë një post të në rëndësishëm në Bruksel pas mbarimit të mandatit si kancelare.

“Nuk mund ta imagjinoj largimin e Angela Merkelit”, tha ai. “Jo vetëm që është një person që të ngjall respekt, por është edhe një lidere mjaft e dashur. Ajo do të ishte shumë e kualifikuar për një post në BE”, theksoi Juncker.

Angela Merkel

Në spekulime të ndryshme Merkel zakonisht përmendet si një pasardhësja e Presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk. Në një pozitë të tillë, ajo mund të ofrojë përvojën e saj të madhe si negociatore.

Pas zgjedhjeve europiane, qeveritë e BE-së do të duhet të vendosin për disa pozita të larta të BE, duke përfshirë atë të presidentit të Komisionit, të Këshillit të BE-së, të Bankës Europiane dhe Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme.

Së bashku me Merkelin, presidenti francez Macron ka të ngjarë të luajë një rol kyç në shpërndarjen e posteve kryesore të BE pas zgjedhjeve evropiane më 26 maj. Megjithëse Merkel pranoi se kishte mendime të ndryshme nga Macron, sidomos për zgjerimin e BE-së.
Pas trembëdhjetë vitesh në pushtet, kancelaria gjermane ka humbur betejën e parë politike, duke njoftuar se do të dorëhiqet nga posti si kryetare e partisë dhe se do të largohej nga politika në vitin 2021. Megjithatë, muajt e fundit kancelaria e ka shprehur qartë se Europa duhet të fitojë autonominë e saj, në një botë të kthyer kokëposhtë dhe përballë një presidence amerikane që është bërë haptazi armiqësore.

Merkel si udhëheqësja e BE-së?

Merkel ndodhet në mandatin e saj të katërt dhe për shumë analistë ajo po drejton ‘de facto’ edhe Bashkimin Europian sidomos pas vitit 2008 me fillimin e krizës financiare të BE-së dhe asaj greke, duke vazhduar me krizën e refugjatëve dhe luftën në Siri.

Kriza greke nxori në pah Merkelin si figurën më të rëndësishme për ofrimin e zgjidhjeve por edhe më të kritikuarën e reflektuar kjo në viktimë të karikaturave, shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve të vendeve të Europës Lindore të prekur nga kriza më së shumti. Shumë shpejt asaj iu vendosën epitete si një politikane e ftohtë, edhe pse ishte e vetmja që arriti ta kufizonte më së miri problemin që po përballej jo vetëm Greqia por i gjithë Bashkimi Europian.

Angela Merkel

“Nëse Euro dështon, Europa dështon”, është shprehur ajo duke shpjeguar vetëm me një fjali të gjithë krizën e euros që nuk ishte më vetëm një krizë ekonomike. Masat shtrënguese dhe reformuese të sugjeruara nga Merkel por sidomos qëndrimi i saj i fortë për plotësimin e këtyre masave, pavarësisht pakënaqësive u vlerësua dhe arriti ta dallonte nga liderët e tjerë. Kriza e Euros e përcaktoi atë si udhëheqëse jo vetëm të Gjermanisë por të gjithë Europës, pasi sfida më e madhe e saj është e ardhmja e BE-së, dështimi apo suksesi i këtij projekti.

Në kuadrin si politikane dhe udhëheqëse, kriza e refugjatëve e azilkërkuesve dhe qëndrimi ndaj tyre kanë shfaqur një tjetër anë të personalitetit të Merkelit , duke vendosur në një situatë të re jo vetëm Gjermaninë por për të gjithë projektin europian. E nxitur gjithmonë nga motoja e saj për një botë pa kufij me individë dhe popuj të lirë dhe më shumë tolerancë ajo pa si të vetmen zgjidhje hapjen e kufijve dhe mikpritjen pa kushte të civilëve që iknin nga lufta, varfëria dhe vdekja.

Nuk dihet ende nëse ajo do të kandidojë për të marrë një post dhe nuk dihet nëse populli dhe partia e saj do ta mbështesë aq sa ka bërë deri tani. E sigurt është që ajo krijoi një mënyrë të re të të bërit politikë, pragmatike, të panxituar, të qëndrueshme dhe pa shumë bujë që është njohur dhe do të vazhdojë të njihet si: ’Merkelizmi’.

Për pothuaj një dekadë Merkeli i ofroi Gjermanisë lulëzimin e saj, Europës një udhëheqës ‘de facto’ dhe botës një model lideri në menaxhimin e krizave.
Ajo është duke u përpjekur të ringjallë frontin franko-gjerman, për t’i dhënë një frymë të re udhëheqjeje kontinentit europian. Për të forcuar eurozonën, që gjatë këtyre viteve ka qenë disa herë në prag të humnerës, Merkeli ka vënë në tryezë edhe negociatat për ndryshimin e “tabletave të ligjit” europian. Edhe këtu, bie në sy një frazë që Merkeli e tha në krah të Macronit, në një konferencë për shtyp: “Në vitet e ardhshme, ne nuk mund të merremi vetëm me Brexit”. Debati do të duhet të kompensohet nga një rimëkëmbje e fortë e projektit europian.”

Megjithatë, pas viteve të tëra ankesash të vazhdueshme mbi miopinë e pretenduar dhe taktikat proverbiale të kancelares, nga çdo cep i kontinentit kanë vërshuar kritikat mbi deklaratat e saj rreth Trumpit dhe politikës së dyerve të hapura për refugjatët. Rastet e dhunës nga ana e refugjatëve nuk janë të shumta:proporcionalisht më pak se sa ato të kryera nga pjesa tjetër e popullsisë. Megjithatë, sa herë që ndodhin, jehona e mediave është e fortë dhe kujtimi i sulmeve terroriste nga ekstremistët myslimanë në tokën europiane duket se e ka përndjekur vazhdimisht kancelarin.

Në fakt Angela mban mbi supe shumë çmime dhe rekorde, ku vetëm “Forbes” e ka shpallur 8 herë si gruan më të fuqishme në botë. Rekorde të tjera në karrierën e saj, lidhen me faktin se ajo është femra e parë që merr postin e Kryeministrit në Gjermani, por edhe personi i parë që vjen nga Gjermania Lindore dhe mban këtë post.

 

Më Shumë