Opinion

Ndarja e Kosovës, Merkel kundër të gjithëve

Gati dy dekada pas luftës së përgjakshme për pavarësëi, ndryshimi i kufijve të Kosovës nuk është më një tabu për Perëndimin. Diskutimet për një shkëmbim të mundshëm territorial mes dy vendeve duket se kanë tanimë “dritën jeshile” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Europian. E vetmja që qëndron e palëkundur, nga ana tjetër e “murit të rezistencës” për mbrojtjen e kufijve të Kosovës, duket se është Kancelarja gjermane , Angela Merkel, e cila këmbënguli gjatë ditës së djeshme se “kufijtë janë të shenjtë.” Teza Thaçi-Vuçiç për shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve duket se ka “trokitur” fillimisht në Uashington, ku Shtëpia e Bardhë është shprehur e hapur për çfarëdolloj zgjidhjeje.  John Bolton, këshilltari i Donald Trump e bëri të qartë këtë para pak ditësh, kur tha se SHBA do të mbështesë çdo marrëveshje, përfshirë edhe ndryshimin e kufijve nëse arrihet ujdia mes Serbisë dhe Kosovës. Fill pas deklaratës së Bolton nga Kievi, shkëmbimet territoriale mes dy vendeve morën “dritën jeshile” edhe nga komisionari Johannes Hahn , i cili tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të duhet të respektohet nga të gjithë.

“Dy vendet e Ballkanit duhet të normalizojnë marrëdhëniet për anëtarësimin në BE. Është një zgjidhje dypalëshe e cila nuk duhet të shërbejë si një plan për çështje të tjera”, tha ai në një konferencë shtypi me presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiç. Përgjigjja e Hahn reflekton lëkundjen e Brukselit për këtë temë, duke lënë hapur mundësinë e ndryshimeve kufitare, ndërkohë që Merkel sinjalizon se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim.

Angela Merkel, Doanld Tusk, Frederica Mohgerni, Mark Rutte dhe Johannes Hahn

Merkel kundër Hahn, Thaçit dhe Vuçiçit

Edhe pse me tonë më të kujdesshme, Hahn la të kuptohej se ishte pro planeve të Kosovës dhe Serbisë , edhe gjate samitit të Ballkanit Perëndimor në Durrës. Ai këmbënguli se vendet e BE-së duhet të “respektojnë” qëllimin kryesor të vendeve të Ballkanit për të stabilizuar rajonin. Por komentet e Hahn bien ndesh me qëndrimin e Gjermanisë në lidhje me këtë çështje. Kancelarja Merkel ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se është kundër ndryshimit të kufijve, të cilin e ka konsideruar madje edhe si një rregull “të pacenueshëm”, i cili nuk duhet thyer për asgjë dhe askënd.  “Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është krijuar kohë më parë dhe është i paprekshëm- deklaroi kancelarja gjermane disa jave më parë- Kjo duhet të përsëritet vazhdimisht derisa të marrin fund të gjitha përpjekjet për ndryshimin e kufijve.”

Me siguri, në atë kohë kancelarja gjermane nuk e kishte parashikuar ende “thikën” që t’i ngulte Hanh dhe Brukseli zyrtar, duke mbështetur një tezë që parashikohet ta çojë Ballkanin drejt kaosit. Qëndrimi i Merkel u hodh poshtë nga Hahn gjatë konferencës me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe homologun e tij Hashim Thaçi në Austri, duke deklaruar se arritja e një marrëveshjeje të tillë mund të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Hahn tha në Alpbach se shtetet e BE-së kishin një përgjegjësinë për të luajtur rolin udhëheqës në zgjidhjen e këtij konflikti.

Johannes Hahn, Aleksandër Vuçiç Hashim Thaçi në Austri,

Por Hahn nuk ishte i vetmi që bëri një “sy qorr dhe një vesh shurdh” kundër paralajmërimeve të kancelares gjermane, pasi edhe Presidenti Thaçi i mëshoi rolit të tij si lajmëtari më i madh i ndryshimit të kufijve. I pozicionuar mes Hahh dhe Vuçic, ai deklaroi se: Ne duam të sigurojmë vendet fqinje, vendet anëtare të BE dhe vendet e tjera në botë, që të mos kenë frikë nga një marrëveshja paqësore midis Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim kufitar”. Deklarata e tij duket se ishte melodi për veshët e Vuçiç, i cili u përgjigj duke thënë se ai dhe Thaçi po përpiqeshin të bënin diçka me rëndësi të madhe për të ardhmen, e cila sipas tij është shumë edhe për shqiptarët.

“Sapo ishim dëshmitarë të një momenti historik”, deklaroi Hahn pas Thaçit dhe Vuçiçit, duke u buzëqeshur kamerave dhe duke “harruar” se nga ana tjetër e kufirit austriak (në Gjermani), liderja më e fuqishme e Bashkimit Europian kishte kundërshtuar publikisht këtë tezë. Për t’i mëshuar edhe më shumë qëndrimit të saj, Merkel pati një konference shtypi në Berlin ditën e djeshme, së bashku me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, nga ku paralajmëroi se një marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për ndryshimin e kufirit mund të ketë pasoja në rajonet e tjera të Ballkanit.

“Ne natyrisht mbështesim të gjitha bisedimet që mund të çojnë drejt arritjes së një marrëveshjeje, por në të njëjtën kohë këmbëngulim se integriteti territorial është i shenjtë”, tha Merkel. Kancelarja doli kundër tezës Thaçi-Vuçiç duke thënë se një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve do të krijonin një precedent dhe të çonte në negociata të ngjashme në vende të tjera në Ballkan.

“Duhet të jemi të kujdesshëm që negociatat mes Kosovës dhe Serbisë të mos çojnë në negociata në vendet e tjera të Ballkanit,” tha ajo. Në një mendje me Merkel duket se është Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili deklaroi disa ditë më parë se “kufijtë në Ballkan janë shkruar me fjalë, por ndryshojnë vetëm me pushkë “.

Angela Merkel dhe Donald Trump

Merkel kundër SHBA-së

SHBA dhe BE-ja kanë ecur gjithnjë krah për krahu në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas intervenimi i NATO-s për t’i dhënë fund lufëtrave të viteve 1990 atje. Por Shtëpia e Bardhë doli kundër Merkelit të premten, kur John Bolton mbështeti një ndryshimin potencial të kufijve të Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse të dyja palët mund të punojnë së bashku dhe të arrijnë një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë as shkëmbimet territoriale,” tha ai. Bolton, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës prej vitesh, deklaroi se SHBA-ja nuk do të bëhej pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, duke nënvizuar gjithashtu se nuk mendonte se dikush në Europë do të qëndrojë në mes, pavarësisht kundërshtimit të shprehur nga kancelarja Merkel.  Disa ditë më vonë , kancelarja e Gjermanisë deklaroi në Berlin se kishte diskutuar mbi zhvillimet mes Beogradit dhe Prishtinës në një telefonatë me presidentin amerikan, Donald Trump. Merkel zbuloi se ajo dhe Trump kanë diskutuar për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, duke thënë se dy mbështesin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por nuk dha më shumë detaje. Ndërkohë, disa zyrtarë serbë e komentojnë ndryshimin e politikës së Uashingtonit, si “triumf” të Beogradit. Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç tha ditën e djeshme se: “Ne arritëm një sukses historik duke ndryshuar pozicionin e palëkundur të SHBA-së mbi këtë çështje.’”

Një burim i qeverisë serbe tha po ashtu për “The Guardian” se qëndrimi ndërkombëtar ndaj ndarjes së mundshme të Kosovës po ndryshonte, pavarësisht kundërshtimit të kancelares gjermane Angela Merkel.  Por edhe sa kohë do të vazhdojë të mbajë Merkel e vetme murin e rezistencës kundër ndarjes së Kosovës, vetëm një dekada pas luftës së përgjakshme për pavarësi?

Burimet: “Euroactiv”, “Reuters”, “Foreing Policy”, “The Guardian” 


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë