31 gushti është data që shënon fundin e merkatos në kampionatet europiane, pasi më herët e kishin mbyllur vetëm Italia dhe Anglia. Në këtë ditë të fundit kanë ardhur dy lëvizje të bujshme të legjionarëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja. Bëhet fjalë për Eros Grezdën dhe Keidi Bare. Gjakovari ka zyrtarizuar transferimin te Rangers në Skoci, ndërsa fieraku, ka lënë Atletico Madrid për të firmosur me Malaga.
Grezda kalon te Rangers me trajner Gerrard
Eros Grezda prej vitesh ishte cilësuar si një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar dhe nga viti në vit pritej shpërthimi i tij. Më në fund ka ardhur dhe atëherë kur askush nuk e priste. Sulmuesi anësor ka përmbyllur transferimin e tij të skuadra e Rangers, për të cilin përflitej prej disa ditësh. Grezda largohet pas disa vitesh në kampionatin kroat, ku përpara se të luante me Osijek, kishte mbajtur edhe fanellën e Lokomotivës së Zagrebit. Për të marrë sulmuesin gjakovar, Rangers ka paguar në arkat e Osijek një shumë që shkon deri në 2.6 milionë euro. Grezda do të ketë në bankinë një legjendë të futbollit botëror, si Stiven Gerrad që prej disa muajsh ka marrë drejtimin ekipit skocez. Tashmë me këtë transferim, nga Grezda do të pritet më shumë kontribut edhe në ekipin kombëtar. Vetë futbollisti kuq e zi në një prononcim për Gazeta Si pati deklaruar se pret një rol protagonisti dhe se skuadra e shqiptare mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet në Uefa Nations League.
Bare në përvojën e parë larg Atletico Madrid
Sakaq në këtë ditë të fundit të merkatos edhe mesfushori i talentuar i kombëtares, Keidi Bare ka ndryshuar klub. Shtatshkurtri fierak, produkt i akademisë së Atletico Madrid është larguar nga klubi i kryeqytetit, por ka vijuar të qëndrojë në Spanjë. Bare ka firmosur një kontratë tre vjeçare me ekipin e La Liga, Malaga. Në këtë klub të ri Bare pritet të ketë më shumë hapësira për të luajtur dhe për të akumuluar eksperiencë. Keidi Bare aktualisht grumbullohet me ekipin kombëtar U-21, por me këtë lëvizje, pritet që shumë shpejt të kthehet në një nga elementët bazë të kombëtares së madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.