Ekspozite

Merita Selimi – Të gjitha tonalitetet e së bardhës dhe së zezës

Suadela Balliu - Lapsi, letra dhe, mes tyre, e gjithë bota e së bardhës dhe së zezës. Merita Selimi vendosi të hiqte dorë nga ngjyrat, për t’iu përkushtuar vizatimit me dy skajet e ngjyrave, që përkufizojnë ndoshta vetë jetën, ekzistencën. “Edhe tek e bardha dhe e zeza ka tonalitete të ndryshme”, rrëfen piktorja, e cila këto ditë i ka ekspozuar disa prej punimeve të saj në mjediset e Galerisë “Zenit”, në kuadër të ekspozitës “Proces” , organizuar nga pedagogë e studentë të Akademisë së Arteve, njëherazi në tri galeri të ndryshme, që do të qëndrojë e hapur për të gjithë dashamirësit e artit figurativ, deri më 15 dhjetor.

Piktorja Merita Selimi Spahija 


Pjesëmarrje në këtë ekspzoitë, erdhi edhe si ngacmim i kuratorit Ilir Kaso, shton më tej Selimi, me filozofinë rreth së cilës do të sillej kjo ekspozitë e përvitshme, duke e shtyrë vizitorin ndërsa kundron një vepër arti, të mendojë rreth procesit të ngjizjes, asaj rruge që e ka çuar një ide nga abstraksioni i imagjinatës tek konkretizimi në forma, përmasa e ngjyra.
Kësaj here artistët, në mënyrë simbolike, i hapën dyert e atelieve të tyre, duke e ftuar kundruesin të jetë një lloj bashkëkrijuesi, ose të paktën të shkrihet në imagjinatën e bërësit, artistit.
“Këtë “proces” në radhë të parë, duam t’ia prezantojmë publikut, por edhe studentëve, që të shohin sesi e zhvillojmë idenë në realizimin e një vepre”, zbulon piktorja, ndërsa shkon më përtej, në zbulimin e këtij procesi vetjak. Përpara se të marrin pamje, vizatimet e saj bëhen fjalë. “E shkruaj idenë dhe e skicoj në një bllok ose mbaj një ditar , për të mos e humbur idenë në rropatjen e përditshme”.

Më pas e skicon dhe në fund vjen realizimi, ashtu siç mund të shihet në ato punime, më shumë se dhjetë të tilla, që kuratori Kaso i përzgjodhi prej fondit të saj. Disa prej vizatimeve mbajnë të shënuara krahas firmës së artistes data të fillimviteve ’90, kohë kur Merita Selimi Spahija, u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura, në degën “Grafikë”. Janë njëzetetetë vite rrugëtim dhe tranzicion artistik, ku datat përkojnë me të njëjtin transformim që pëson çdo ditë shoqëria shqiptare që prej rrëzimit të diktaturës.

“Me kohën ndryshon dhe puna; mendon ndryshe, por dhe rritesh dhe je më kritike ndaj vetes”. Gjuha e punës, thotë, është pak a shumë e njëjta, ndërsa emocioni jo. Sa ka ndryshuar kumti artistik ndër vite, duke marrë impulse nga zhvillimet së jashtmi, shoqërore, ekonomike e politike? Një prej vizatimeve të Selimit, titullohet pikërisht “Demokracia”. Selimi ishte një nga ata studentë të epokës së lëvizjeve të mëdha – Dhjetoristët e ’90. “Zhvillimet shoqërore ndikojnë patjetër në punën tonë”, pohon piktorja, ndërsa ndalet tek nocioni i demokracisë.

“Fjalë që e ka humbur fuqinë mendoj, megjithëse kam qenë pjesë e lëvizjes studentore të viteve ‘90”, kujton ndërsa këto ditë, përkujtohen edhe 28 vite të asaj epoke ku studentët vendosën ta shprehin fuqinë përmes demonstratash dhe grevash urie. “Artisti e ka gjithnjë në punën e tij këtë liri dhe sidomos puna jonë që është më individuale se artet e tjera, të cilat janë kolektive dhe ndoshta kjo, për ne artistët e artit pamor, na krijon privilegjin të jemi më të lirë.”Çfarë mendonte studentja e asokohe në vizionin që kishte rreth së ardhmes së artit të saj? “Në një farë mënyre ne kishim një frymë më liberale , të cilën disa pedagogë e ruanin me studentët e tyre. Lëvizjet jashtë ishin një mundësi për të perceptuar ndryshe artin tonë.”

Kjo ekspozitë e përbashkët përball në të njëjtat hapësira dhe kohë, disa breza artistësh, secili me dimensionin vetjak të shprehjes dhe gjuhës artistike, lidhen përmes fillit kuratorial, procesit. Mund të quhej një lloj rrugëtimi për të parë transformimin e artit figurativ shqiptar.“Ne jemi prezantuar pothuajse çdo vit me një ekspozitë, por kësaj here ideja e një hapësire më të madhe krijon mundësi për një prezantim më të plotë, dhe i jep dhe një ridimensionim hapësirës artistike të qytetit, duke dhënë gjithsecili individualitetin e tij.

Merita Selimi dhe Maks Velo, në çeljen e ekspozitës "Proces" 

Duke parë shumë profile të ndryshme artistike , them se jemi pjesë e këtij procesi artistik shqiptar”, është e mendimit Selimi. Në hapësirën e ekspozimit të veprave të saj, që në mjedisin intim të galerisë “Zenit” të japin përshtypjen e një ekspozite thuajse vetjake, përtej markës dalluese të vizatimeve bardhezi, me laps, disa punime vijnë në teknikë kolazhi. Në një punim, të titulluar “Fëmijëria” ka përdorur një rrjetë , për të potencuar ndoshta kufijtë e kohës historike, por edhe kohës së brendshme, një periudhë e largët, e cila nuk arrihet më, nuk ndryshohet më, veçse pranohet me të gjitha gjurmët që lë. Në një tjetër vepër, me përmasa të mëdha, një pëlhurë sateni në të bardhë perle krijon siluetën e një gruaje, e ngritur në këmbë, ndërsa krah saj ka një karrige me rrota, që piktorja e ka titulluar “Fuqia e gruas”. Këto mjete të kolazhit, i quan formë ndihmëse në realizimin e veprës. Një tjetër vizatim në bardhezi, të një portreti familjar, Selimi shpjegon se ka kthyer përmes teknikës së vizatimit, në negativ, një fotografi të vjetër të familjarëve të saj, realizuar nga “Marubi”. “Marubi për mua është memoria e qytetit tim, por dhe një monument kulture”.Fotografia, në krijimtarinë e saj, rrëfen se ka qenë udhërrëfyese, ndërsa ajo ka gjetur pikëtakime të forta mes të dyjave.


Thotë se vizatimet bardhezi, grafika, janë një disiplinë më e veçuar në artet figurative, ku jo të gjithë munden ta mbërthejnë kumtin e saj. Ajo guxon me baziken, pa kërkuar ndihmën e ngjyrave. Magjia e grafikave, pak kohë më parë erdhi në një tjetër ekspozitë, në mjediset e COD, në kryeministri, me grafikat e piktorit të famshëm, Chagall; ilustrime të veprave të shkrimtarëve të mëdhenj si Shekspir, La Fonten apo Gogol. Talenti dhe dashuria për pikturën, tek Merita Selimi u frymëzua, krahas magjisë së fotografive të Marubit, edhe nga përrallat magjike të gjyshes së saj. Mes punëve të saj , më të famshmet përfshijnë ciklin “Familja”. Por, Selimi rrëfen se me ilustrime është marrë pak. “Sepse kërkon përkushtim dhe shumë kohë”, thotë, ndërsa përrallat e së gjyshes në Shkodrën e fëmijërisë së saj, kanë qenë të parat vepra letrare, mbi të cilën ndërtoi të gjithë botën e saj. Fëmijëria e saj, sëbashku me magjinë e ngjyrave, ka qenë gjithashtu e rrethuat me tingujt muzikorë të shtatë instrumenteve që luante i ati, pasi kthehej nga puna.

“Në familjen time ka pas shumë dashuri dhe art”, thotë, duke kujtuar të atin. “ Babi nuk ka pasur shkollim artistik ,por i ka rënë disa veglave muzikore, si dhe ka pasur një kaligrafi të shkëlqyer. Këtë e ka trashëguar dehe vëllai i madh, i cili është muzikant, Voltani”.
Në shtëpinë e saj, ndërmend, se të gjithë në familje këndonin. Shkodra e ka pas këtë fat “me kenë i pasur” kulturarisht ”.Vërtet që gjuha e saj vizuale është grafike dhe teknika dominuese është në bardhezi, por nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Dikur i pëlqenin ngjyrat dhe teknika e vajit në kanavacë. Por, në vitin e katër të studimeve në Akademi, me paraqitjen e diplomës në teknikën e vizatimit, duket se u shënua edhe një fillim i ri në karrierën artistike, që do të përkufizohej nga fuqia e lapsit dhe kontrasti i së bardhës dhe së zezës. “Piktura është pjesë e formimit të çdo artisti , por e “praktikoj rrallë” .Po kam disa vizatime ku ka dhe ndërhyrje të lehta me ngjyrë”.


Nga 2004, Selimi është edhe pedagoge e Akademisë së Arteve në Tiranë. Si lektore, çfarë vëren ajo tek brezi i ri, në një epokë, ku burimet e informacionit dhe liritë për t’u shprehur nuk njohin censurë? “Artistët e rinj duhet t’u përkasin kohës së tyre, dhe të punojnë më shumë dhe të kenë më dashuri, respekt dhe pasion për artin e tyre”, thotë. Në veprën e saj, do të shprehej dikur Selimi, ngjarjet e prishin rregullin e kohës së hapësirës, që sundon jetët e përditshme. Vizatimi e lejon të dalë prej kësaj jete, me barrën e saj të ditë pas dite, e duke përdorur ndjeshmërinë, t’i japë formë krejt të re. Fuqia që ka e bardha dhe e zeza, mendon Selimi, nuk do të zbehet kurrë dhe forca magnetike që kanë këto dy skaje e bëjnë veprën më të ndjeshme e më të vërtetë për atë që ndalet ta kundrojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë