Keshilla

Mënyrat më të mira për të ruajtur maskat gjatë pandemisë

Maskat janë bërë një pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë. Siç nuk do të dilnit nga shtëpia pa çelësat, telefonin dhe portofolin, tani nuk mund të dilni as pa maskën.
Deri më tani, ne e dimë se cilat materiale janë më të mirat dhe si t'i vendosim ato si duhet. Por çfarë duhet të bëni me maskat kur nuk i keni të vendosura?
Disa ekspertë të ndryshëm kanë ndarë disa këshilla se si të ruani maskat në shtëpi.
Zgjidhni një vend të pastër dhe të thatë për të mbajtur maskat tuaja.
Peter Chin-Hong, mjek i sëmundjeve infektive dhe profesor i mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisco thotë se mund të mbahen në një sirtar të veçantë, enë ose çantë dhe mbajini larg nga objektet e tjera që prekni shpesh, sidomos me duar të palara.
"Për shembull, unë nuk i mbaj në sirtarin tim të rrobave ose në sirtarin e peshqirëve sado pastër të më duket sirtari" tha ai.
"Nëse harroni të merrni maskën kur bëheni gati për të dalë, varini ato në derë larg nga çelësat e shtëpisë." tha Amanda Castel, pedagoge e epidemiologjisë në Universitetin "George Washington".

E rëndësishme është që mos të ngatërroni maskat e lara nga ato të përdorurat. Mbani një qese për të përdorurat ose thjesht lajini sa më shpejt.
Ndajini nga njëra-tjetra maskat e pastra
"Ne përqendrohemi në Covid-19, por ka 300 viruse të tjerë që shkaktojnë ftohjen e zakonshme", tha Chin-Hong.
Nëse secili anëtar i shtëpisë ka maskën e tij, kështu zvogëlohet rreziku i transmetimit të fomiteve në duar ndoshta të papastra që mund të transmetojnë edhe viruse të tjera të zakonshme. (Transmetimi i fomiteve është vendi ku mund të infektoheni nga një sipërfaqe ose objekt i ndotur.)
Domethënë, nëse maskat janë të gjitha bashkë dhe një nga fëmijët tuaj prek me duar të palara maskën e tij, egziston mundësia që ai të kontaminojë dhe maskat e tjera. Prandaj maskat duhet të jenë të ndara nga njëra-tjetra në mënyrë që të ketë më pak rrezik transmetimi.
"Ju dhe mund t'i mbani ato në një vend, por të zgjidhni një anëtar të familjes që t'ju shpërndajë maskat kur është siguruar se i ka larë mirë duart." tha Chin-Hong. Castel nuk ju rekomandon të ndani maska me anëtarët e tjerë të familjes tuaj.
Mbajeni maskën tuaj në një qese ose letër kur jeni duke lëvizur
Mos e hidhni direkt në çantë, xhep ose çantë shpine, ku mund të laget, prishet ose të ketë kontakt me sende të ndotura. Në vend të kësaj, me duar të pastra, vendoseni maskën së pari në një qese ose letër. Mund të përdorni edhe një çantë plastike posaçërisht për të dhe pastaj mund ta hidhni në çantën tuaj nëse dëshironi.
"Kini parasysh ta mbani maskën në një qese të vogël që mund të mbyllet në mënyrë që të mbetet e pastër, e thatë dhe të mos dëmtohet" tha Castel.
Kur e nxirrni maskën për ta vendosur, gjithmonë kapeni nga lidhëset dhe sigurisht me duar të pastra.

Shmangni prekjen e pjesës së brendshme të maskës, atë që Chin-Hong i referohet si "shenjtërorja e brendshme".
Nëse duhet të hiqni maskën përkohësisht ndërsa jeni jashtë, ndoshta në një restorant, paloseni maskën në gjysmë dhe vendoseni në qese të pastër për momentin.
Disa ekspertë rekomandojnë palosjen e saj në mënyrë që pjesa e brendshme që prek hundën dhe gojën të jetë e kthyer nga brenda, ndërsa të tjerët rekomandojnë që ta palosni atë në mënyrë të kundërt.
"Vendosja e një maske ka për qëllim kryesisht t'ju parandalojë të infektoni dikë tjetër, kështu që nëse supozoni se jeni të infektuar, atëherë pjesa e brendshme e maskës do të ishte më e kontaminuar prandaj do të kishte kuptim ta palosnim në mënyrë që pjesa e brendshme të ishte e paprekur." tha Castel.

Castel tha dhe që ekziston gjithashtu një shans që pjesa e jashtme e maskës të jetë ndotur nga pikat e pështymës së dikujt tjetër që mund të jetë i infektuar, prandaj kurrë nuk dihet cila është mënyra më e mirë për të palosur maskën dhe ndoshta e vetmja gjë që mund të bëhet është të dezinfektoni duart para se ta palosni maskën dhe mbasi ta palosni për të zvogëluar rrezikun e transmetimit.
Mos harroni të lani maskat tuaja shpesh
Disa ekspertë thonë se ju mund të vendosni të njëjtën maskë cope shumë herë në një ditë, për sa kohë që nuk është e lagur, e ndotur ose e grisur. Të tjerët thonë se duhet të përdorni një maskë të re pas çdo dalje.
"Larja e maskës me ujë të ngrohtë në lavatriçe është mirë. Gjithashtu nëse e lani atë me dorë, lëreni në zbardhues për pesë minuta e pastaj shpëlajeni me ujë, thajeni në diell dhe është në rregull." tha Chin-Hong.

Ekspertët paralajmërojnë se maskat kirurgjikale nuk duhet të lahen dhe të rivendosen. Hidhini ato pas çdo përdorimi dhe mos harroni se mbajtja e një maske duhet të shoqërohet gjithmonë bashkë me masa të tjera parandaluese.
"Mos mendoni se vetëm me vendosjen e maskës mund të luftoni Covid-19. Higjiena e duarve dhe distancimi social gjithashtu janë të rëndësishme." tha Chin-Hong.

Burimi: Huffington Post. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë