Analize

Mënjanohet May, Parlamenti britanik merr kontrollin e Brexit

U deshën një sërë debatesh të ashpra që zgjatën deri në mesnatë që deputetët britanike të merrnin kontrollin e plotë të Brexit.

Përmes një votimi të tensionuar në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësit votuan me 329 vota pro dhe 302 kundër për të marrë kontrollin e procesit të shkëputjes nga BE-ja.

Për shumë ekspertë, ajo që kishte mbetur nga autoriteti politik i kryeministres Theresa May u copëtua pasi deputetët injoruan kërkesën e saj emocionale për të ndaluar këtë lëvizje drastike.

Kontrolli i Brexit do t’u japë deputetëve britanikë fuqinë për të mbajtur një serë votimesh, për të zhbllokuar procesin e divorcit nga Brukseli zyrtar. Votimi i ardhshëm për të gjetur një alternativë tjetër përveç marrëveshjes së paraqitur nga kryeministrja May, e cila është refuzuar dy herë nga Parlamenti, do të jetë më 27 mars

: Kryeministrja britanike Theresa May dhe Sekretari i Shtetit për daljen nga Bashkimi Evropian, Stephen Barclay, largohen nga Downing Street

Mediat britanike raportojnë se deputetët pritet të zgjedhin mes një Brexit-i pa marrëveshje, Brexit-i më të butë, anulimin e tij, ose referendum të dytë për shkëputjen nga Bashkimi Europian.

Alternativa që presin të zgjedhin deputetët britanikë mbetet e panjohur, por disa ekspertë  thonë se në një përpjekje të fundit për të rifituar kontrollin, May do të luajë “asin” që i ka mbetur: shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Ajo premtoi se do të "angazhohet në mënyrë konstruktive" ndaj procesit, por nuk u zotua se do të miratojë çfarëdolloj vendimi që do të marrin ligjvënësit.

Bashkimi Europian i ka dhënë kryeministres kohë deri më 12 prill, për të siguruar mbështetjen e ligjvënësve britanikë për marrëveshjen që ajo ka arritur me BE-në, ose për të gjetur alternativa të tjera të zbatueshme.  Në këtë rast, Britania do të largohej nga BE-ja  më 22 maj.

Edhe pse britanikët kanë votuar për daljen nga BE-ja në një referendum të vitit 2016, negociatorët e Mayt nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje me Brukselin, e cila do të ishte e pranueshme për të gjitha partitë në Parlamentin britanik.

Theresa May

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa asnjë marrëveshje të dakorduar me BE-në do të shkaktonte recesion të thellë në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun europian.

Por edhe përpara se të humbiste kontrollin e Brexit, qeveria nuk ishte duke pretenduar të ishte udhëheqësja e këtij procesi.

Tridhjetë deputetë konservatore, duke përfshirë tre ministra mbështetur amendamentin për kalimin e kontrollit të procesit të Brexit tek parlamenti, për të shmangur dalje e kombit ishullor nga unioni pa asnjë marrëveshje.

“Ky vendim do të rrisë ekuilibrin midis institucioneve tona demokratike, por do të vendosë një precedent të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm për të ardhmen", tha një zëdhënës i Departamentit për Daljen e Bashkimit Europian. "Ndërkohë që tani është radha e parlamentit që të përcaktojë hapat e ardhshëm në lidhje me këtë proces, qeveria do të vazhdojë të kërkojë alternativa reale të pranuara nga të gjitha palët", tha zëdhënësi.

Udhëheqësi laburistëve dhe udhëheqësi i opozitës, Jeremy Corbyn

Shpresa më e mirë e kryeministres May është që deputetët të pranojnë se dalja pa asnjë marrëveshje është një opsion i përjashtuar dhe të mbështesin marrëveshjen e saj si opsionin më pak të keq. "Edhe sikur parlamenti britanik të jetë dakord, dalja pa asnjë marrëveshje nuk do të ndodhë", deklaroi ajo mbrëmjen e së hënës.

Ekspertët britanikë parashikojnë që në votimin e ardhshëm, deputetët të votojnë për një Brexit më të butë, i cili përfshin një bashkim doganor me BE-në dhe respektimin e rregullave të një tregu të vetëm europian. Partia Laburiste favorizon këtë skenar si dhe shanset e një referendumi të dytë. Ish-Prokurori i Përgjithshëm Dominic Grieve deklaroi të hënën se mbajtja e një votim publik mund të konsiderohet sidomos për propozimet si të duhet të largohet Britania nga BE.

Duke komentuar humbjen e kontrollit mbi Brexit nga ana e qeverisë, kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se "kur dështon qeveria do të triumfojë parlamenti”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë