Futboll

Mema firmos kontratën me Tiranën: Të fusim frymën e grupit!

Ka pak ditë që ka nisur punën me Tiranën, duke zëvendësuar brazilianin Ze Maria, por tashmë Ardian Mema është edhe zyrtarisht i pari i stolit bardheblu. Ai dhe presidenti Refik Halili kanë nënshkruar kontratën e bashkëpunimit, me kohëzgjatje njëvjeçare dhe me opsionin e rinovimit edhe për sezonin e ardhshëm.

“Ardian Mema ka firmosur sot zyrtarisht kontratën, që e rikthen në shtëpi si bardheblu. Tekniku ka nënshkruar një marrëveshje 1-vjeçare në praninë e presidentit Refik Halili. Në këtë kontratë është parashikuar një opsion rinovimi për sezonin e ardhshëm. Mema është ish-futbollist dhe ish-trajner i Tiranës dhe rikthimi në shtëpi është një premtim për vazhdimësinëë e këtij sezoni”, - shkruan klubi bardheblu në njoftimin zyrtar për marrëveshjen me trajnerin Mema.

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, dhe trajneri Ardian Mema

Pas firmës në kontratë, ka folur edhe vetë trajneri Ardian Mema, i cili la Vlorën, ku ishte ndihmës i Ilir Dajës te Flamurtari, për t’u kthyer në skuadrën-mëmë. Mema është një produkt i shkollës së Tiranës dhe pas një karriere të gjatë si futbollist, ai tashmë do ta drejtojë këtë skuadër nga stoli: “Të them të drejtën, e prita pak me skepticizëm ftesën për të drejtuar Tiranën, sepse situata që po kalon nuk është e këndshme. Kemi përpara një kalendar të vështirë. Së pari, duhet të kemi frymën e grupit për të arritur rezultate të mira. Shpresoj që ekipi të jetë në një atmosferë më të mirë në vazhdim. Ndeshja me Flamurtarin? Luajmë me një ekip të mirë, që ka trajner Ilir Dajën. Kam punuar gjatë me të, është trajneri më i mirë në Shqipëri. Ai i përgatit mirë ndeshjet dhe e njoh mirë gjendjen e ekipit kundërshtar. Në Vlorë do të shkojmë për rezultat pozitiv”, - theksoi Mema, trajneri i ri i bardhebluve.

Tirana ndodhet në pozita të vështira në tabelën e klasifikimit. Objektivi i sezonit është një vend në Kupat e Europës dhe detyra e trajnerit Mema dhe lojtarëve është të rikuperojnë sa më shumë pikë deri në merkaton e janarit, ku skuadra duhet të forcohet në mbrojtje dhe në sulm.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë