Politike

Mediu: Më shumë se një koalicion për vota edhe majtas. Basha të jetë lider jo vetëm i PD

Për Kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, opozita mund të dalë me më shumë se një koalicion në zgjedhje me qëllim përthithjen e votës jo vetëm nga e djathta, por edhe e majta.

Në këtë logjikë, ai nuk përjashton edhe formulën që po diskutohet brenda opozitës për të dalë si dy koalicione me lista unike drejtuar nga PD dhe LSI.

“Çdo variant që maksimalizon rezultatin është më i miri.

Koalicioni politik dhe jo thjesht elektoral që garanton ndërtimin e shtetit dhe jo ndarjen e pushtetit është koalicioni dhe fitorja më e mirë.

Ndoshta ky është një nga variantet që do vlerësuar dhe shqyrtuar”, thotë Mediu

Kryetari i republikanëve vlerëson në një intervistë për Gazetën “Si” se, “si opozitë duhet të kemi më shumë veprim të përbashkët me ide të qarta dhe po ashtu më të strukturuar edhe me partnerët ndërkombëtarë”

Por çfarë mendon ai për PD dhe vetë Bashën?

“Na duhet një PD e fortë dhe Basha është dhe duhet të jetë lider jo thjeshtë i PD, por i shqiptarëve që duan ndryshim”.

Ai thotë gjithashtu se i ka kërkuar opozitës që t’i paraqesë zyrtarisht Presidentit Ilir Meta kërkesën për shpërndarjen e parlamentit, nisur nga ndryshimet e fundit kushtetuese.

Mediu nuk jep një shifër paraprake sa sa mandate po synon opozita të rikuperojë në zgjedhjet e ardhshme, por nënvizon se duhet një organizim i detajuar në çdo qendër votimi, për të mbrojtur votën dhe mundësuar shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Z.Mediu në momentin që po flasim ndodhemi në rrethana të reja politike ku debati kryesor brenda opozitës lidhet me  hapat që ajo do të ndjekë për të maksimalizuar votën, pas ndalimit të koalicioneve me listë të përbërë… Në këndvështrimin tuaj, si duhet të dalë opozita në zgjedhje, secila me sigël më vete apo me një listë të përbashkët?

Si shqiptarë jemi në situatën më të keqe. Regjimi i korruptuar dhe çartur i Edi Ramës ka vendosur me një ligj antikushtetues shkatërrimin e shtetit, klientelizmin, paratë e krimit dhe kriminelët, paratë e korrupsionit, të grabisë zgjedhjet dhe lirinë e shqiptarëve për të votuar dhe vendosur për të ardhmen e tyre.

Përballë kësaj situate nuk është e mjaftueshme t’i tregojmë shqiptarëve se sa i keq është Edi Rama, por të bashkojmë opozitën dhe shqiptarët me një program të qartë politik dhe qeverisës që fillon me interesin Kombëtar, ndërtimin e shtetit dhe jo thjesht pushtetin, taksat e ulëta, 9% taksë e sheshtë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë dhe biznesit, punësimin e shqiptarëve, shëndetësi funksionale, arsim dhe vlerësim të meritës, zhvillimin dhe mbështetjen e bujqësisë etj.

Ndërtimin e një shteti që respekton të drejtën e pronës, garanton siguri juridike, bashkëpunim me të përndjekurit politik, pronarët dhe njerëzit e besimit të persekutuar nga regjimi komunist.

Përballë anti-vlerave europiane të Rilindjes së Ramës, ne duhet të frymëzojmë vlerat dhe traditën shqiptare dhe besimin se Shqipëria brenda mandatit të parë qeverisës mund të behet vend anëtar i BE-së.

Nëse bëhemi dhe bashkohemi në qëllime politike do të jetë më thjeshtë të ndërtojmë koalicion apo koalicione që do të mbrojnë dhe marrin votën e të majtëve dhe të djathtëve në gjithë vendin.

Nëse ju i qëndroni variantit për listë të përbashkët, sa deputetë (të sigurt) pretendon PR të fusë në listë? Se nuk po flasim për numër kandidatësh…

Interesi politik i PR është të dalë më vete me këtë ligj, por ato vota të PR-së, që nuk sigurojnë mandat do i hiqeshin të djathtës dhe do i shërbenin Edi Ramës, prandaj kam thënë se: Nëse do kishim dy alternativa; Të marrim 20 deputetë dhe të jetë Rama në pushtet?; Apo të marrim 2 dhe të ik Rama? Do zgjidhnim të dytën.

Partia Republikane ka 30 vjet marrëdhënie me PD në opozitë dhe qeveri dhe do të diskutojmë së bashku për atë koalicion që bën fitues shqiptarët.

Koalicioni opozitar që garanton një PD të fuqishme është rruga drejt suksesit.

Në tryezën e diskutimeve është hedhur edhe ideja e dy koalicioneve brenda opozitës, një me PD dhe një me LSI…që ju e prekët pak edhe më sipër. Çfarë mendimi keni për këtë variant, a mendoni se dalja e opozitës me dy koalicione do të mundësonte maksimalizimin e votës?

Çdo variant që maksimalizon rezultatin është më i miri.

Koalicioni politik dhe jo thjesht elektoral që garanton ndërtimin e shtetit dhe jo ndarjen e pushtetit është koalicioni dhe fitorja më e mirë.

Ndoshta ky është një nga variantet që do vlerësuar dhe shqyrtuar.

Si janë marrëdhëniet tuaja me Lulzim Bashën? Çfarë duhet të ndryshojë Basha në raport me aleatët? Sepse po duket sikur mbledhjet që ju zhvilloni në seli si opozitë e bashkuar janë krejt formale dhe pa rezultate konkrete në dukje…

Me zotin Basha kam marrëdhënie të mira si në planin personal ashtu edhe atë politik. Kam pasur dhe kam debate apo diskutime jo në lidhje me interesin tim apo të PR, por për të djathtën, opozitën dhe vendin.

Zoti Basha ka treguar një maturi dhe vlerësim me të gjithë aleatët.

Duhet të kemi më shumë veprim konkret të përbashkët në çdo skaj të Shqipërisë me ide të qarta dhe po ashtu më të strukturuar me partnerët ndërkombëtarë, pa nënvlerësuar rolin dhe vlerën e veçantë të PD-së dhe z. Basha me këto marrëdhënie.

Na duhet në PD e fortë dhe Basha është dhe duhet të jetë lider jo thjeshtë i PD, por i shqiptarëve që duan ndryshim.

Basha është dhe duhet të jetë e kundërta e Ramës i cili është banal, arrogant, shpërfillës dhe shkatërrues.

Ka dukshëm (të paktën në publik) një diferencë në mënyrën e të bërit politik mes Presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha. Meta ka dalë në betejë frontale dhe të hapur me qeverinë, duke sulmuar çdo ditë Ramën, ndërsa Bashës duket sikur nuk i intereson kjo polemikë, duke vijuar fushatën në një drejtim tjetër, dhe me një ton tjetër… A shikoi ndonjë dualizëm në këtë raport dhe a keni ndonjë opinion se cila mënyrë e të bërit politikë po i shërben më mirë  (apo edhe e kundërta) opozitarizmit, i Metës (edhe pse President) apo i Bashës?

Ilir Meta është President dhe ka detyrën e mbrojtjes së Kushtetutës dhe Unitetit Kombëtar.

Ka deklaruar me të drejtë që do të shpërndajë parlamentin nëse shkelet Kushtetuta.

Kushtetuta është shkelur në mënyrë flagrante nga Rama me Kodin Zgjedhor dhe po shkatërron zgjedhjet e lira dhe të ndershme, po shkatërron të ardhmen tonë europiane. Duke konsideruar të gjitha këto i kam kërkuar opozitës t’i kërkojë zyrtarisht Presidentit shpërndarjen e parlamentit, sipas qëndrimit të shprehur vazhdimisht prej tij.

Ndërsa Basha është lider i opozitës dhe duhet që ai dhe opozita të jetë sa më institucionale, sa më transparente dhe e drejtë.

Shqiptarët kanë nevojë për një Shqipëri ndryshe Europiane.

Ju jeni një politikan me eksperiencë të gjatë në politikë… Në këndvështrimin tuaj për çfarë ka nevojë më shumë opozita sot, me qëllim nesër fitoren e zgjedhjeve?

Qartësi, transparencë, marrëdhënie e drejtpërdrejtë me njerëzit, vlerësim të historisë së saj dhe njerëzve që kanë kontribuar në çdo nivel, angazhim real të brezave të rinj të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, profesoratit, intelektualëve dhe akademikëve.

Ka nevojë që të krijojë një marrëdhënie intensive dhe të qëndrueshme me partnerët tanë në Tiranë dhe në qendrat vendimmarrëse sidomos, Ëashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe qendrat e tjera europiane.

Sa mandate synon PR zgjedhjet e ardhshme parlamentare, dhe për të kaluar tek një pyetje më e përgjithshme, a keni ju ndonjë të dhënë paraprake se sa mandate mund të rikuperojë opozita në përgjithësi në zgjedhje? Sepse PS psh synon sërish 74 mandate…

Partia Republikane ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që të krijojë grupin e saj parlamentar.

Vërej me kënaqësi që strukturat e PR-së në qendër dhe degë kanë një prurje fantastike të të rinjve, profesionistëve dhe pedagogëve të cilët kanë studiuar në Shqipëri, USA dhe Europë.

Partia Socialiste vodhi dhe bleu 74 mandate në 2017 dhe do të vjedhë përsëri.

Ne duhet të organizohemi pavarësisht nga lloji i koalicioneve në çdo qendër votimi, për t’i bërë ballë Ramës, pushtetit, krimit dhe korrupsionit, të mbrojmë votën dhe t’i mundësojmë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Intervistoi: Nevila Perndoj


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë