Politike

Duka: Kur mund të afrohem me PS, s’përjashtoj koalicionin me LSI dhe këshilla për Bashën

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shpjegon në një intervistë për gazetën “Si” tre formulat që po diskutohen brenda opozitës në kushtet e rregullave të reja të lojës, ku koalicionet parazgjedhore nuk lejohen.

Ai jep përgjigje shteruese se ku e sheh më shumë veten PAA në gjithë përllogaritjet elektorale, në cilat kushte do të bashkëpunonte edhe me PS-në, a sheh ai dualizëm politik mes Metës dhe Bashës dhe ku duhet të fokusohet kryetari i PD-së këto muaj para zgjedhjeve.  

Z.Duka në momentin që po flasim ndodhemi në rrethana të reja politike ku debati kryesor brenda opozitës lidhet me  hapat që ajo do të ndjekë për të maksimalizuar votën, pas ndalimit të koalicioneve me listë të përbërë. Në këndvështrimin tuaj, si duhet të dalë opozita në zgjedhje, secila me sigël më vete apo me një listë të përbashkët?

Ndonëse jemi në pritje të miratimit përfundimtar të Kodit Zgjedhor, paçka se ka pak gjasa që të ketë reflektim nga ana e mazhorancës pasi Presidenti ta kthejë atë, ne si opozitë jemi në shqyrtim të vazhdueshëm të skemave nëpërmjet të cilave do të maksimalizojmë votën. Sikurse jam shprehur edhe më parë, opsionet e mundshme janë tri.

I pari është dalja të vetëm në zgjedhje, i cili mbart një pabarazi për partitë alternative apo të vogla, pasi  nuk jemi të përfaqësuar në komisionet e votimit dhe numërimit. Në këtë moment opsioni më i papërshtatshëm.

I dyti është një koalicion i gjerë midis të gjitha forcave politike. Kjo mund të mbrojë votat, por rrezikon identitetin e partive pjesëmarrëse dhe mund të cungojë propozimet programore.

Dhe i treti është ai me disa koalicione opozitare, në të cilat partitë të atashohen sipas një konvergjence ideologjike dhe pastaj të kenë një program politik të përbashkët postzgjedhor. Duhet të presim edhe pak dhe do të kemi formulën përfundimtare.

Ku e shikon PAA më shumë veten në këtë diskutim?

Për ne është e rëndësishme mbrojtja e siglës, e cila përkthehet në peshën që qytetarët duan t’i japin secilës parti, si dhe ofertë programore që partia ka. Sigurisht duke maksimizuar votat e opozitës, e cila nuk është vetëm një zgjedhje pragmatike, por edhe një garanci përfaqësimi për qytetarët. Pasi kushtëzimi që prodhojnë ndryshimet e njëanshme, nuk rrezikojnë vetëm një coptëzim të votës, por lënë pa përfaqësi komunitete të tëra që zgjedhin me vetëdije përfaqësues që i përkasin partive që kanë një çështje, siç ka PAA bujqësinë dhe mjedisin, dhe nuk ndihen të përfaqësuar nga dy partitë e mëdha.

Ne si PAA kërkojmë që asnjë votë të mos shkojë dëm, që asnjë qytetar të mos mbetet pa alternativë dhe i papërfaqësuar.

Pak kohë më parë keni deklaruar se PAA synon jo vetëm mandat deputeti, por edhe një pozicion ministri në qeverinë e ardhshme... Ju keni bashkëpunuar si me të majtën ashtu edhe më djathtën, madje keni qenë edhe ministër (para vitit 2005)...A ekziston mundësia e një marrëveshje mes PAA (nëse del sigël më vete)  edhe me PS-në sepse ka zëra që Rama ju ka kontaktuar... Në cilat kushte do pranonit një bashkëpunim me PS-në? 

Ambiciet tona bazohen mbi një punë të shtrirë në kohë, qysh prej 2016, nëpërmjet të cilës ne si PAA kemi jo vetëm një bazë të mirë në terren, por kemi konsoliduar edhe një ekip ekspertësh dhe specialistësh që kanë potencialin për të qenë alternativa më e mirë për t’i dhënë një hov të ri bujqësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ne qëndrimin tonë në opozitë nuk e kemi lidhur vetëm me çështjet morale dhe zgjedhore, për të cilat unë si përfaqësues i Durrësit kam qenë një nga denoncuesit më të mëdhenj të krimeve elektorale të kryera nga mazhoranca aktuale. Por edhe në bazë të neglizhencës me të cilën është trajtuar bujqësia përgjatë këtyre viteve, me përjashtim të karameleve elektorale që artikulon sot kryeministri.

Prandaj dua të sqaroj se ne kemi një marrëveshje si grupim opozitar dhe do ta respektojmë atë.

Sa për kushtet e bashkëpunimit, jo vetëm me PS-në, por edhe me PD-në, në një të ardhme ku krimi zgjedhor të mos jetë më protagonist, dhe fati i qeverisë të mos përcaktohet nga shkatërruesit e zgjedhjeve, ne si PAA do të jemi përherë të gatshëm të japim kontributin tonë për ato mazhoranca që do të kenë në fokus zhvillimin rural dhe një strategji kombëtare për bujqësinë.

Çfarë e kushtëzon PAA-në në vendimin e saj në raport edhe me PD, apo LSI sepse po diskutohet shumë që edhe LSI të dalë në koalicion me vete me disa parti të opozitës...PAA ku e sheh me afër veten, në bashkëpunim me cilën parti?

Siç thashë më sipër, ajo që na ka bërë pjesë e grupimit opozitar është qëndrimi ndaj krimit flagrant zgjedhor, të pasqyruar bollshëm në dy dosje tashmë të famshme, 184 dhe 339, si dhe premtimet e pambajtura të mazhorancës ndaj sektorit bujqësor. Ndërsa bashkëpunimi me partitë aleate është zhvilluar ndër vite.

Me Partinë Demokratike kemi një historik që ka nisur qyshkur Profesor Xhuveli drejtonte PAA-në, dhe e kemi vijuar edhe kur unë u zgjodha në krye të saj në vitin 2016.

Ndërsa me LSI-në na bashkon beteja që kemi bërë tre vitet e fundit në opozitë. Për përcaktimin e strategjisë për zgjedhjet e 25 prillit, për sa kohë ndodhemi brenda ‘gardhit’ të opozitës së bashkuar, nuk e përjashtojmë se mund të kemi një bashkërendim të veprimit me LSI-në, nëse strategjia që si opozitë e bashkuar do të zgjedhim, na garanton maksimizimin e votës dhe krijimin e një mazhorance që do të ketë mundësinë të implementojë një program qeverisës serioz, në të cilin bujqësia të jetë një nga kolonat kryesore.

Ka dukshëm (të paktën në publik) një diferencë në mënyrën e të bërit politik mes Presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha. Meta ka dalë në betejë frontale dhe të hapur me qeverinë, duke sulmuar çdo ditë Ramën, ndërsa Bashës duket sikur nuk i intereson kjo polemikë, duke vijuar fushatën në një drejtim tjetër, dhe me një ton tjetër… A shikoi ndonjë dualizëm politik në këtë raport dhe a keni ndonjë opinion se cila mënyrë e të bërit politikë po i shërben më mirë  (apo edhe e kundërta) opozitarizmit, i Metës (edhe pse President) apo i Bashës?

Unë gjykoj se nuk ka asnjë dualizëm. Diferenca midis qëndrimeve të Metës, që sot përfaqëson institucionin e vetëm të pakontrolluar nga Edi Rama, dhe atyre të Bashës, dhe opozitës, qëndron te detyrat dhe mundësitë e ndryshme që ka opozita dhe Presidenti.

Pavarësisht se duket atipike, mënyra sesi Presidenti po reagon ndaj shkeljeve të Edi Ramës, është e kushtëzuar nga agresiviteti i një mazhorance që i ka kapur të gjitha. Dhe duke pasur parasysh se fuqitë kushtetuese që i kanë mbetur Presidentit të Republikës, janë gati protokollare, ngritja e zërit për të sensibilizuar opinionin publik dhe partnerët, duket si zgjedhja e vetme.

Ndërsa Basha, por edhe ne si opozitë në përgjithësi, kemi sot një tjetër detyrë. Jo atë të denoncimit, që kemi bërë për vite me radhë, duke faktuar sidomos krimet zgjedhore që tashmë janë të pakundërshtueshme. Por detyrën e alternativës. E ofertës. Qytetarët nuk kanë më nevojë të dinë nga ne sa keq po qeverisen, si u kriminalizua politika apo si u vodhën zgjedhjet e shkuara, por duan të dinë si do të jetë qeverisja në katër vitet e ardhshme. Prandaj, fokusi te shëndetësia, të bujqësia, te integrimi, te ekonomia në përgjithësi, që nga eksperienca ime në fushën e sipërmarrjes ju them se është në një moment shumë të vështirë, është një zgjedhje e detyruar për Bashën dhe të gjithë ne.

Situata është shumë serioze prandaj, pavarësisht stërkëmbëshat që vendos Rama në rrugën tonë, ne duhet të flasim më shumë për problemet e qytetarëve, sesa për hilet e një mazhorance që nuk surprizon më askënd për nga djallëzia me të cilën po kërkojnë të mbajnë një pushtet të pamerituar.

Intervistoi: Nevila Perndoj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë