Analize

Mediat ruse: Moska çarmatoset vetëm nëse Trump “dorëzon” Kosovën

Dërgimi i trupave ruse në Venezuelë dhe akuzat se Kremlini ka shkelur traktatin e armëve bërthamore kanë rritur ndjeshëm tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit si dhe kanë rritur frikën për një krize të ngjashme me atë të raketave të Kubës.

Edhe pse askush nuk do ta kishte menduar, për ekspertët rusë çelësi për zgjidhjen e kësaj krize është Kosova. Ndërkohë që mediat perëndimore raportojnë për dërgimin e forcave ruse në Karakas , mediat në Moskë shkruajnë se nëse Presidenti Donald Trump dëshiron të çarmatosë Rusinë, duhet të tërheqë njohjen për pavarësinë e Kosovës.

Në një analizë të gjatë, televizoni rus, “RT”, i kontrolluar gjerësisht nga Kremlini, sugjeron se gjithçka që Trump duhet të bëjë për të rikthyer rendin botëror të bazuar në rregulla të përbashkëta për përdorimin e armëve bërthamore është “braktisja” e Kosovës.

Edhe pse shumë analistë mendonin se interesi i Rusisë për Kosovën ka ardhur duke rënë, me kalimin e viteve, raportet dhe sugjerimet e fundit që vijnë nga ekspertët rusë tregojnë të kundërtën.

Presidenti Hashim Thaci takon Presidentin Donald Trump

“Administrata Trump ka dështuar për ruajtjen e vlerave amerikane. Të gjithë kritikët e tij do të duhet të pranojnë se është e virtytshme të mos e mbështesin më një vend që vuan nga korrupsioni endemik i qeverisë dhe krimet që përfshijnë dhunën ose kërcënimet e ndaj gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të qeverisë”, shkruan “RT” . “Kosova është një shteti i rremë i krijuar si rezultat i një okupimi të paligjshëm, pas një lufte që filloi pikërisht 20 vjet më parë”, thekson televizoni rus, duke iu referuar sulmeve ajrore të NATO-s për t'i dhënë fund gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“RT” e cilëson tërheqjen e Kosovës si një vendim që do t’i jepte fund jo vetëm përplasjeve të SHBA-së me Rusinë, por do të korrigjonte sipas saj një gabim historik, i cili ndryshoi marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit.

“Përse duhet të tërhiqet SHBA nga njohja e Kosovës? Korrigjimi i këtij gabimi historik do të çarmatoste kritikët e Uashingtonit, të cilët aktualisht theksojnë hipokrizinë amerikane, standardet e dyfishta dhe arsyetimet selektive”, shkruan televizioni rus. “Në mendjet e arkitektëve të luftës së vitit 1999, Serbia dhe Jugosllavia shërbyen si një mjet për t'i dërguar një mesazh Moskës për të mos bërë rezistencë ndaj vullnetit të Perëndimit" thuhet më tej.

Putin i referohet Kosovës pothuajse çdo herë kur ai flet për Perëndimin, duke e përdorur atë si një shembull të sjelljes arbitrare dhe të paligjshme nga SHBA, ashtu siç Uashingtoni flet për rendin botëror dhe rregullat e shkuara të Rusisë dhe Kinës”, thekson “RT”.

Ajo e krahason Kosovën me Krimenë, duke theksuar se e vetmja mënyrë që marrëdhëniet Kosovë-Serbi të kthehen në pikën që ishin në vitin 1999 është braktisja e Kosovës. Sipas televizionit rus, ky nuk ka të ngjarë të jetë një vendim i vështirë për Trump, pas ndryshe nga Barack Obama, Bill Klinton, apo Joe Biden, ai nuk ishte një mbështetës i “zjarrtë” i pavarësisë së Prishtinës (edhe në fakt gjatë presidencës së tij, Trump duket se e ka vënë Kosovën në krye të agjendës së tij).

“Në vitin 2009, Bill Klinton inauguroi një statujë të stolisur në sheshin qendror të Prishtinës. Tre vjet më vonë, Hillari Klinton, e quajti pavarësinë e Kosovës një çështje "personale" për të dhe familjen e saj. Senatori Bernie Sanders mbështeti edhe luftën e vitit '99, ndërsa edhe Joe Biden ishin gjithashtu një mbështetës i madh i pavarësisë së Kosovës”, shkruan “RT”. “Por Trump ishte kritik i luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, shton televizioni rus.

Sipas analistëve në Moskë, në këto ditë, kur Trump flet për "sovranitetin" dhe denoncon globalizmin, përgjigjja e Rusisë duhet të jetë që SHBA-ja të respektojë sovranitetin e Serbisë dhe të dorëzojë Kosovën.

Por sa seriozisht duhet të merren këto sugjerime dhe sa e rëndësishme është Kosova në politikën e jashtme të Rusisë?

Presidenti Vladimir Putin dhe presidenti serb

Në një intervistë të kohëve të fundit, Jamie Shea, ish-zyrtari i lartë të NATO-s që u kthye në një nga figurat kryesore ndërkombëtare gjatë luftës se vitit 1999, zbuloi se Vladimir Putin planifikonte ta ndante Kosovën në dy pjesë, Veriun e kontrolluar nga Rusia dhe Lindjen e kontrolluar nga Perëndimi”. Sipas tij, humbja e Kosovës ishte një goditje e madhe për Moskën dhe interesat e saj gjeostrategjike dhe është kthyer në një precedent në marrëdhëniet Rusi-SHBA. Por sa gjasa ka që Rusia të “çarmatoset” nëse SHBA-ja dorëzon Kosovën? Sipas zhvillimeve të fundit aspak.

Gati gjashtë dekada pas krizës së raketave në Kubë, SHBA dhe Rusia duket se janë tanimë përballë një përplasje të ngjashme. Moska ka dërguar më shumë se 35 ton pajisje ushtarake ne Venezuelë. Ky lëvizje erdhi pas raporteve se Uashingtoni mund të vendosë raketa me rreze të mesme në Europë duke dalë nga traktati bërthamor me Rusinë.

Edhe pse çështja e Kosovës është vendosur në krye të agjendës të Moskës dhe Uashingtonit përgjatë muajve të fundit, mosmarrëveshjet mes dy super fuqive nuk kanë gjasa të shuhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Përkundrazi, bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë ka të ngjarë t’i ulin edhe njëherë përballë njëra-tjetrës. Për shumë ekspertë, Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ka të ngjarë të kthehen sërish në fushëbetejën e fuqive të mëdha, pasi Rusia ka filluar të përdorë Serbinë për ta pozicionuar veten si një faktor në arenën ndërkombëtare.

Autoritetet e Kosovës kanë sinjalizuar prej kohësh se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinë do të hyjë në një fazë të re në të cilën do të përfshihet edhe Uashingtoni. Nga ana e saj, Serbia e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmarrë një hap pa u konsultuar me Rusinë.
Këto zhvillime kanë të ngjarë t’i kthejnë bisedimet Kosovë-Serbi në një tjetër arenë përplasjesh mes Uashingtonit dhe Moskës, duke e bërë Prishtinën gjithçka përveçse “çelësin” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Rusi-SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë