Ne rrjet

Mediat izraelite: Irani planifikoi të vriste Netanjahun në Shqipëri

Gati një muaj pas anulimi të vizitës së Benjamin Netanjahu në Tiranë mediat izraelite shkruajnë se kryeministri ishte njoftuar për një komplot të mundshëm kundër tij në tokën shqiptare.

Këto pretendime dolën në dritë pas dëbimit të Ambasadorit Iranian dhe një diplomati tjetër nga Shqipëria, për cenimin e sigurisë kombëtarë të vendit tonë. Sipas “Times of Israel”, diplomatët iranianë kishin planifikuar një komplot kundër kryeministrit Netanjaju, ashtu siç planifikuan të sulmonin ekipit kombëtar izraelit të futbollit gjatë një ndeshjeje në “Elbasan Arena.

Një arsye tjetër sipas mediave izraelite pse Netanyahu anulon vizitën e tij në Tiranë më një nëntor ishte edhe refuzimi i Shqipërisë në atë kohë për të dëbuar diplomatët iranianë pavarësisht presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Edi Rama dhe Benjamin Netanjhau

Në atë kohë, Tel Avivi zyrtar e lidhi anulimin e vizitës me vdekjen e ministrit David Azoulay dhe faktin se disa udhëheqës të tjerë ballkanikë nuk pranuan të mblidheshin në Tiranë për një samit rajonal.

Edhe pse takimi i nivelit të lartë në Shqipëri u shty, Netanjahu vazhdoi agjendën e planifikuar në Bullgari, për t’u takuar me krerët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri izraelit fluturoi drejt Varnës, ku u takua me kryeministrat e Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë dhe presidentin e Serbisë, por planet për vizitën në vendin tonë duket se u lanë në harresë.

Edhe pse nuk ka komentuar zyrtarisht anulimin e vizitës, të enjten në mbrëmje, kryeministri izraelit vlerësoi qeverinë shqiptare për dëbimin e diplomatëve iranianë.

"Lajme të rëndësishme vijnë nga Shqipëria. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dëboi ambasadorin iranian nga Tiranë. Më anë të këtij vendimi, Kryeministri Rama i ka dërguar një mesazh të qartë regjimit radikal të Iranit se planifikimi i sulmeve terroriste ka një kosto ", ka shkruar Netanjahu në Twitter.

Në një postim të dytë ai theksonte se: "Izraeli qëndron me Shqipërinë ashtu siç qëndron me çdo vend tjetër që e sheh regjimin iranian për atë që është: kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë botërore".

https://twitter.com/netanyahu/status/1075707362961485824

Reagimet e tij të njëpasnjëshme erdhën pas Irani fajësoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për dëbimin e dy diplomatëve të tij nga Tirana. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Bahram Ghasemi deklaroi të enjten se "Shqipëria është bërë një viktimë e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe disa grupeve terroriste". Sipas Teheranit, SHBA-ja dhe Izraeli po punojnë për të shkatërruar marrëdhëniet mes Iranit dhe vendeve evropiane dhe se Shqipëria nuk duhet t'u lejojë të tjerëve të diktojnë marrëdhëniet e saj me Iranin.

Edhe gazeta amerikane “Washington Times” shkruan se dëbimi i diplomatëve iranianë nga Shqipëria është bërë i mundur pas presionit të administratës së Trump dhe Izraelit.

Rudy Jualiani dhe Presidenti Meta

Ndërkohë , “Jerusalem Post” shkruan se agjentët iranianë kanë planifikuar një sërë sulmesh kundër zyrtarëve të huaj në Shqipëri. Ata u përpoqën të bombardonin festën e Vitit të Ri të Iranit në mars, aktivitet gjatë të cilit, në kampin e muxhahedinëve në Manzë ishte i pranishëm edhe Rudy Jualiani, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut dhe miku i ngushtë i presidentit Trump.

“Disa agjentë iranianë janë akuzuar gjithashtu për komplote kundër një ndeshje kualifikuese të Kupës Botërore midis Shqipërisë dhe Izraelit dy vjet më parë. Pas përballjes Shqipëri-Izrael në ‘Elbasan Arena’ u arrestuan rreth 20 persona”, shkruan “Jerusalem Post”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë