Bota

Mediat e huaja “ziejnë”, Netanyahu takon trashëgimtarin e kurorës në Arabinë Saudite

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu raportohet se ka takuar princin e kurorës në Arabinë Saudite

Disa media izraelite por edhe amerikane referuar burimeve, kanë raportuar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka vizituar në mënyrë sekrete Arabinë Saudite më 22 nëntor, për të takuar udhëheqësin de fakto të mbretërisë, si dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Mediat izraelite kanë cituar disa zyrtarë anonimë të Izraelit duke konfirmuar se Netanyahu dhe udhëheqësi i agjencisë së spiunimit Mossad, Yossi Cohen, kanë zhvilluar takime me princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman si dhe me diplomatin e lartë amerikan, në qytetin Neom (që quhet qyteti i të ardhmes) në Arabinë Saudite.

Lajmi ka marrë dhenë dhe është publikuar në të gjitha mediat ndërkombëtare.

Zyra e Netanyahut dhe ambasada amerikane në Jerusalem nuk kanë komentuar për udhëtimin e raportuar, por as nuk e kanë përgënjeshtruar atë. Ky do të ishte i pari takim i një kryeministri izraelit në Arabinë Saudite.

I vetmi që ka reaguar është zyra e shtypit e princit Faisal bin Farhan Al Saud, ministri i Jashtëm i Mbretërisë, i cili ka konfirmuar vetëm takimin me Pompeon.

Këto takime vijnë pasi Izraeli ka nënshkruar marrëveshje historike për të normalizuar marrëdhëniet me dy aleatë sauditë në Gjirin Persik, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë