Ne rrjet

Mediat e huaja: E diela prova më e madhe e demokracisë që nga komunizmi

Në kushte normale, zgjedhjet lokale në Shqipëri nuk marrin dhe nuk provokojnë shumë interes përtej kufirit të vendit tonë, por votimi i dielës është komentuar gjerësisht nga mediat amerikane, europiane dhe italiane. Për mediat pretigjoze si “Washington Post”, “New York Times” apo “AP” zgjedhjet e 30 qershorit janë vendimtare për rrugën që do të marrë Shqipëria në ardhmen por edhe përpjekjet e vendit tonë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Për “Accociated Press” votimi i së dielës është prova më e madhe e demokracisë në vendin tonë që pas rënies së komunizmit. Sipas agjencisë së njohur, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ka qenë “thembra e Akilit” për Shqipërinë paskomuniste dhe është konsideruar si hap kyç për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

“Opozita, e mbështetur nga presidenti i vendit, po bojkoton votimin mes akuzave për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar dhe kërkojnë zgjedhje të reja parlamentare, por qeveria shqiptare nuk është tërhequr”, shkruan “AP.

Ajo sjell në vëmendje faktin se numri i shqiptarëve që kanë të drejtë vote është më i lartë se e gjithë popullsia e vendit tonë. “Rreth 3.5 milion shqiptarë kanë të drejtë të zgjedhin kryetarët e bashkive për të drejtuar 61 qarqe për katër vitet e ardhshme. Numri i votuesve me të drejtë vote është më i lartë se gjithë popullsia e Shqipërisë, për shkak të numrit të njerëzve nga diaspora shqiptare në vende të tjera”, thekson media e njohur.

Ndërkohë gazeta greke “Prothema” shkruan se ndërkohë që po afrohen ora për zgjedhjet lokale të, situata në Shqipëri po bëhet më e rrezikshme. Ajo ngre alarmin se kryeministri Rama po armatos mbështetësit e tij.

“Përkrahësit e opozitës, të cilët kanë thënë se do të qëndrojnë larg zgjedhjeve të 30 qershorit, po përpiqen të parandalojnë përgatitjet për zgjedhjet duke shkatërruar materialet zgjedhore. Në disa qytete dhe fshatra në Shqipëri,  ka shpesh përplasje me policinë.

Por ajo që është më shqetësuese është numri i raporteve që vijnë nga opozita, sipas të cilës Rama, përveç shpërndarjes së parave për të rritur pjesëmarrjen në votimin e së dielës, po armatos edhe përkrahësit e tij me armë në mënyrë që të pengojë opozitën që të të bllokojë votimin”, shkruan gazeta greke. Zgjedhjet lokale të mbajtura nga Kryeministri janë anuluar nga Presidenti. Partitë e opozitës janë tërhequr dhe vetëm Partia Socialiste do të marrë pjesë” , thekson ajo.

Kryeministri Edi Rama

"Për fat të keq ne po tregojmë se demokracia jonë është e papjekur, e dobët dhe e korruptuar", thotë nga ana tjetër Skender Minxhozi për “Washington Post”. "Ne nuk jemi në gjendje të ulemi në dialog dhe të arrijmë në një kompromis."

Gazeta e njohur amerikane paralajmëron se pas katër muajsh protestash të dhunshme, të gjitha sinjalet tregojnë për një konfrontim të tensionuar të dielën.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe fuqitë e mëdha perëndimore i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës për të shmangur dhunën dhe për t'u angazhuar në një dialog për të zgjidhur bllokimin politik. Ndonëse dhuna është reduktuar kohët e fundit, vazhdimi i bllokimit vazhdon”, shkruan “Washington Post”. “Udhëheqësit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, që dërgojnë 280 vëzhgues zgjedhorë ndërkohë që ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në Tiranë, të premten i bënë thirrje liderëve politikë shqiptarë që të tregojnë përmbajtje, të angazhohen në një dialog konstruktiv dhe të sigurohen që zgjedhjet e së dielës janë paqësore. Ato kanë paralajmëruar se nxitësit e akteve të dhunshme do të përgjigjen para ligjit”, thekson gazeta e njohur.

Lulzim Basha

Ndërkohë “AP” sjell në vëmendje përplasjet mes tre aktorëve kryesorë politikë në Shqipëri, kryeministrit Edi Rama, kreut të PD-së Luzim Basha dhe presidentit Ilir Meta, dhe këmbënguljes së tyre për mos t’u tërhequr nga qëndrimit që kanë mbajtur përgjatë viteve të fundit, pavarësisht shtimit të tensioneve politike.

Opozita ka bojkotuar zgjedhjet dhe parlamentin. Presidenti Ilir Meta u përpoq të anulojë votimin e së dielës për shkak të bojkotit të opozitës dhe njoftoi të enjten se zgjedhjet do të zhvillohen më 13 tetor, disa ditë përpara se të pritet vendimi i BE mbi negociatat e anëtarësimit. Kryeministri Edi Rama megjithatë këmbëngul se zgjedhjet do të zhvillohen siç është planifikuar të dielën, për të parandaluar kundërshtarët që të përdorin "shantazhin" politik për të detyruar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Madje Rama akuzon opozitën se po përpiqet të pengojë përpjekjet e qeverisë së tij për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE. Ndërkohë, Opozita, e udhëhequr nga Lulzim Basha, fajëson qeverinë dhe thotë se kriza politike do të zgjidhet kur Rama të japë dorëheqjen”, shkruan “AP”. Për opozitën, problemi nuk është me të vërtetë zgjedhjet lokale. Ata po përpiqen të detyrojnë kryeministrin të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për shkak të korrupsionin të gjerë të qeverisë, manipulimit të votave dhe lidhjeve me krimin e organizuar”, thekson ajo.

Nga ana tjerër, gazeta amerikane “New York Times” ndalet te fakti që muajt e fundit akte qenë të mbushura me protesta, ku nuk ka munguar dhuna por edhe nisma për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
“Mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit të presidentit Meta. Por vendimin final e merr Gjykata Kushtetuese, që nuk ka funksionuar në vitin e shkuar për shkak se gjyqtarët e këtij institucioni u shkarkuan nga puna.”, shkruan ajo

Ilir Meta

Presioni ndërkombëtar

“AP” shkruan se Shtetet e Bashkuara, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare i kanë bërë vazhdimisht thirrje opozitës për të shmangur dhunën dhe për të hyrë në dialog me mazhorancën për të zgjidhur krizën politike.

“Ata e kanë shtyrë që mos bojkotojë zgjedhjet dhe kanë dalë kundër vendimit të marrë në shkurt nga ligjvënësit e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e tyre parlamentare. Demokratët e opozitës nuk i kanë kushtuar vëmendje thirrjeve të ndërkombëtarëve, megjithëse në protestën më të fundit u pa një reduktim i ndjeshëm të dhunës. Mediat shqiptare njoftuan se SHBA-të i kishin thënë Bashës dhe Monika Kryemadhit, gruas së presidentit Meta se grupet e tyre do të konsideroheshin si organizata të dhunshme nëse organizonin protesta të dhunshme, por ko nuk mund të konfirmohet zyrtarisht”, shkruan media e njohur.

Çfarë pritet?

“AP” shkruan se socialistët në pushtet janë kandidatët e vetëm në 35 nga 61 rrethe, ndërkohë që parti të vogla të majta konkurrojnë kundër PS-së në disa qarqe.

“Mijëra policë do të mbrojnë vendvotimet. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për Zyrat për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut po dërgon 174 vëzhgues zgjedhor. Ata do të japin të dhënat e tyre paraprake të hënën”, thotë “AP”. Por opozita ka krijuar Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, disa grupe mbështetësish anembanë vendit, të cilët mund të përpiqen të hyjnë me forcë në qendrat e votimit apo të ndalojnë votuesit e tjerë të mos hyjnë. Ambasadat perëndimore u kanë bërë thirrje qytetarëve të huaj në vend të shmangin qendrat e votimit dhe të jenë të kujdesshëm gjatë votimit të së dielës. Opozita ka thënë se nuk do të pranojë rezultatet apo do të njohë kryebashkiakët e rinj”, thotë agjencia informative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë