Ne rrjet

Media gjermane: Serbia nuk duhet të anëtarësohet në BE

Serbia cilësohet si pararojë në procesin e anëtarësimit për në Bashkimin Europian, madje Beogradit i është dhënë edhe një datë e mundshme se kur kjo mund të realizohet. Viti 2025 përflitet në korridoret e Brukselit dhe kjo datë qarkullon e i mëshohet fort edhe nga politikanët serbë.

Pengesa kryesore për serbët deri më tani është ngërçi në dialogun me Kosovën, i shkaktuar jo për fajt të Prishtinës, as të Bashkimit Europian, por për shkak të agjendës së brendshme të klasës politike serbe, që këtë temë e përdor për përfitime elektorale.

Tani, mendon gazetari gjerman Michael Martens në një analizë të publikuaar në Frankfurter Allgemeine Zeitung, po për të njëjtin qëllim po përdoret edhe Bashkimi Europian. Beogradi është joshur prej vitesh nga ideja e ndryshimit të kufijve me Prishtinën. Kjo ide konsiderohej tabu, por “shkelja e syrit” nga SHBA u ka dhënë më shumë guxim politikanëve serbë për këtë temë. E vetmja pengesë tani është Bashkimi Europian.

Në analizën e tij, gazetari gjerman përqendrohet tek ky fakt. Pavarësisht se qeveria aktuale e konsideron BE-në një partnere të pazëvendësueshme, në mediat proqeveritare në Beograd, Brukseli sulmohet vazhdimisht.

Serbia, thotë ai, gëzon një gjendje relativisht të mirë ekonomike, por media po shfrytëzon çdo mundësi me propagandë sistematike kundër Bashkimit Europian. Ai përmend me emra televizionin “Pink” dhe gazetën “Informer”, më të madhe në vend. Martens thotë se që të dyja këto media janë vendimtare në mbajtjen e Vuçiçit në pushtet.

“Kur “Informer” nuk merret me kundërshtarët politikë të brendshëm të Vuçiç, paralajmëron për rreziqet e jashtme që i kanoset Serbisë, duke e përshkruar Bashkimin Europian si një aleancë e miqëve të shqiptarëve, e lobistëve pro homoseksualizmit, që synojnë ta shndërrojnë Europën në një kontinent mysliman. Kjo ndodh thuajse çdo javë”, shkruan Martens.

Gazetari gjerman kujton se nga ana tjetër “Informer” është një mbështetëse e madhe e Presidentit rus, Vladimir Putin. “Nëse do të dëgjohej këshilla e kësaj gazete, Serbia nuk duhet të anëtarësohet në BE, por duhet të bëhet pjesë e Federatës Ruse”, shkruan ai.

Martens kujton në artikull se në Serbi mbështetja pro BE-së dhe anëtarësimit në të është më e ulta në rajon dhe siç koha ka provuar në rastet e tjera, anëtarësimi e ul edhe më tej këtë mbështetje.

“Nisur nga të gjitha këto, pse këmbëngul BE për të anëtarësuar një vend anti-perëndimor dhe ku gjuha kundër vetë BE-së është një element kryesor për të mbajtur pushtetin?”, pyet në fund të artikullit, Michael Martens.

Vuçiç: Media ka qëndrimet e saj dhe unë i respektoj

Mbi këtë temë, para se të niste samiti në Berlin ditën e hënë, Frankfurter Allgemeine pyeti Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“Dragan Vuçiçeviç (kryeredaktori i Informer) është një miku im i ngushtë prej 25 vitesh. Ai është haptazi pro rus. Ky është mendimi i tij. Ai më mbështet mua, por jo partinë time, që shpesh e kritikon”, shpjegoi Vuçiç.

Presidenti serb u pyet edhe mbi gjuhën shpesh raciste dhe urrejtëse në artikujt për shqiptarët. “Nuk jam kryeredaktor i asnjë medieje dhe nuk kam ndërmend që të bëhem. Po punoj çdo ditë me popullin serb për t’i përgatitur mbi një zgjidhje të mundshme për Kosovën dhe për shkak të kësaj cilësohem si tradhtar në media”, shtoi Presidenti serb, duke cituar këtu televizionin N1 dhe gazetën Danas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë