Keshilla

Më shumë proteina apo më pak? Ushqimet që ju ndihmojnë të përballoni të nxehtin

Kur temperaturat ngjiten mbi 30 gradë Celsius, oreksi zakonisht bie dhe gatimi kthehet në një sfidë. Ekspertët e ushqyerjes thonë se gjatë valëve të të nxehtit nuk është e nevojshme të ndryshoni rrënjësisht dietën, por disa zgjedhje të zgjuara mund t’ju ndihmojnë të përballoni më lehtë vapën dhe të shmangni dehidratimin.

Më pak mish, më shumë ushqime të lehta

Sipas Aisling Daly, lektore e lartë e të ushqyerit në Universitetin Oxford Brookes, nuk ka nevojë të konsumoni më shumë proteina gjatë ditëve të nxehta.

Megjithatë, tretja e proteinave kërkon më shumë energji nga organizmi dhe prodhon më shumë nxehtësi sesa karbohidratet apo yndyrnat. Kjo do të thotë se një biftek apo një vakt i rëndë me mish mund t’ju bëjë të ndiheni edhe më të nxehtë.

Në vend të vakteve të rënda, ekspertët rekomandojnë ushqime të pasura me proteina, por më të lehta për organizmin, si sallata me fasule ose thjerrëza, vezë, kos grek, djathë, ton, salmon ose karkaleca.

Një alternativë praktike është edhe smoothie me fruta, perime, kos dhe pak gjalpë kikiriku, që siguron proteina dhe lëngje njëkohësisht.

Hani edhe… ujë

Hidratimi nuk vjen vetëm nga uji që pini.

Shumë fruta dhe perime përmbajnë mbi 90% ujë dhe ndihmojnë organizmin të zëvendësojë lëngjet e humbura përmes djersitjes.

Ndër ushqimet më të pasura me ujë janë kastraveci, domatet, selinoja, shalqiri, luleshtrydhet.

Edhe mollët, portokallet, dardhat, rrushi, ananasi, karotat dhe brokoli përmbajnë sasi të konsiderueshme uji.

Specialistët këshillojnë që gjatë vapës të mos mbështeteni vetëm te shishja e ujit, por të konsumoni sa më shumë fruta dhe perime të freskëta.

Një mënyrë e thjeshtë për të kuptuar nëse jeni të hidratuar është ngjyra e urinës. Nëse ajo është e verdhë e zbehtë, niveli i hidratimit është normal. Nëse bëhet portokalli ose kafe e errët, organizmi ka nevojë për më shumë lëngje.

A freskojnë pijet e ftohta?

Edhe pse shumica zgjedhin ujë me akull ose pije shumë të ftohta, studiuesit thonë se temperaturat e lëngjeve nuk bëjnë ndonjë ndryshim të madh.

Madje, një filxhan çaj i ngrohtë mund të ndihmojë trupin të djersijë më shpejt, duke favorizuar procesin natyror të ftohjes.

Sipas ekspertëve, më e rëndësishme sesa temperatura e pijes është sasia e lëngjeve që konsumohen gjatë ditës.

Kujdes me kafen dhe alkoolin

Një ose dy filxhanë kafe në ditë nuk ndikojnë ndjeshëm në hidratim, por sasitë e mëdha të kafeinës mund të shtojnë humbjen e lëngjeve.

Edhe alkooli ka efekt dehidratues dhe rekomandohet të konsumohet me shumë kujdes gjatë ditëve me temperatura të larta.

Ndryshoni edhe orarin e vakteve

Ekspertët sugjerojnë gjithashtu të përshtatni orarin e ngrënies me temperaturat.

Një mëngjes i hershëm, një drekë e lehtë dhe një darkë më vonë në mbrëmje, kur temperaturat bien, janë zgjedhje që ndihmojnë organizmin të përballojë më mirë vapën.

Në ditët e nxehta, sekreti nuk qëndron te ngrënia më shumë, por te zgjedhja e ushqimeve të lehta, të pasura me ujë dhe mbajtja e organizmit të hidratuar gjatë gjithë ditës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë