Shendet

Më shumë fëmijë po kontrollohen për ankth dhe depresion. Po pastaj çfarë vjen?

Ekzaminimet e shëndetit mendor për fëmijët po zgjerohen në të gjithë botën por ndërsa më shumë fëmijë po identifikohen se kanë nevojë për ndihmë, familjet janë më të shqetësuara se si do ja japin atë ndihmë fëmijës.

Kriza e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët ka filluar prej vitesh por u përkeqësua pas izolimit për shkak të Covid-19.

Edhe pse ka një sensibilizim për problemet e të rinjve, përsëri nuk është bërë aq sa duhet.

Për këtë Akademia Amerikane e Pediatrisë vijon t'i mëshojë faktit se të gjithë fëmijët nga 12 vjeç e lart duhet të kontrollohen për problemet me shëndetin mendor pasi janë një grup që rrezikojnë.

Familjet në të gjithë botën po përpiqen të kuptojnë se cfarë mund të bëjnë në rast se fëmija i tyre shfaq probleme.

Shkollat dhe mjekët në Amerikë po përpiqen të bëjnë një “ndarje punësh”.

Disa shkolla po shtojnë grupe terapie, duke u mësuar fëmijëve mënyra për të menaxhuar ndjenjat ose duke zgjeruar trajnimin për stafin e shëndetit mendor. Pediatrit ndërkohë po stërvitin familjet për zakone që mund të përmirësojnë shëndetin mendor, të tilla si gjumë të mjaftueshëm, stërvitje dhe ushqime të shëndetshme, ose po u mësojnë pacientëve strategji të përballimit emocional.

“Sfida do të jetë ajo që bëni kur identifikoni dikë që është në rrezik. Kjo është më e vështira”, thotë pediatrja Katherine Williamson duke shtuar se burimet e shëndetit mendor janë tepër të kufizuara.

Disa shkolla në Amerikë po ekzaminojnë vetëm një nëngrup nxënësish për probleme të shëndetit mendor, sepse e dinë se nuk do të jenë në gjendje të plotësojnë kërkesën e shtuar që do të dalë në fund të vlerësimeve.

“Nëse ne kontrollojmë 700 fëmijë për ankth, e dimë se ndoshta 35% deri në 40% do të kenë ankth dhe më pas çfarë të bëjmë me këtë? Ne nuk jemi të përgatitur klinikisht për të përballuar këtë fluks”, thotë Ryan Sherman, drejtor i mirëqenies në Shkollat Publike Medway në Masaçusets.

Vitin e kaluar Medway vendosi të kontrollojë vetëm nxënësit e klasës së shtatë dhe të tetë që mungojnë në mënyrë periodike për çrregullime ankthi, pasi pikërisht në këtë moshë fillon të rritet ankthi dhe grupi që u krijua ishte shumë i madh për t’u përballuar nga vetëm një pediatre.

Në shumë shkolla në Amerikë por dhe në zyrat e mjekëve po plotësohen pyetësorë për vlerësimin e fëmijëve dhe të rinjve. Prindërit (ose mësuesit) mund të plotësojnë pyetësorë për fëmijët më të vegjël, ndërsa fëmijët më të mëdhenj dhe adoleshentët mund t'u përgjigjen pyetjeve vetë.

Në zyrat e mjekut, pyetjet rreth gjendjes shpirtërore dhe sjelljes bëhen shpesh së bashku me pyetjet për shkollën dhe miqtë. Nëse përgjigjet tregojnë një problem në një fushë specifike, si depresioni ose ankthi, mjeku vazhdon me pyetje në lidhje me ato probleme të veçanta të shëndetit mendor.

Në shkolla, disa kontrollojnë për probleme specifike si ankthi, mendimet dhe sjelljet vetëvrasëse ose simptomat e stresit post-traumatik. Shkolla të tjera përdorin pyetësorë që mbulojnë mirëqenien e përgjithshme sociale dhe emocionale.

Disa pediatër po u mësojnë pacientëve teknika të shkurtra nga terapia njohëse e sjelljes, një trajtim efektiv për ankthin dhe depresionin, të tilla si ushtrime relaksimi dhe mënyra për të rregulluar mendimet negative që mund të nxisin shqetësimin.

Ndërkohë, disa shkolla po krijojnë orë të veçanta për t’u mësuar fëmijëve mënyra se si të rregullojnë emocionet.

Prindërit shpesh mund të rishikojnë pyetjet që bëhen nëpër shkolla dhe gjithashtu mund të zgjedhin nëse duan që fëmijët e tyre të bëhen pjesë e orëve të veçanta apo jo.

Shkollat Publike në Masaçusets filluan të vizitojnë nxënësit nga klasa e pestë deri në klasën e 12 në vitin 2021 dhe rreth 38% e nxënësve kishin rezultate që tregonin simptoma të moderuara ose të rënda të stresit post-traumatik.

Ata nxënës u ftuan të merrnin pjesë në grupe terapie në shkollë ose morën terapi individuale nga psikologët, këshilltarët dhe punonjësit socialë të shkollës.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë