Futboll

“Më mirë dy të plagosur se një i vdekur”, biskotat më të famshme në futboll

A do ta hapë Francë-Holandë, që luhet të premten në mbrëmje, “furrën e futbollit”? Në horizont duket një barazim, që do të kontribuonte në rënien e Gjermanisë në Serinë B të Ligës së Kombeve… Eh, historia e futbollit është e mbushur me biskota, të gatuara edhe nga kombëtaret më të madha të futbollit botëror! Pse quhet “biskotë” ky fenomen? Termi është huazuar nga hipizmi, një sport ku mund të “manipulohen” garat, duke i ushqyer kuajt me biskota që përmbajnë substanca që influencojnë në performancën e tyre. I bën ata më të shpejtë ose më të ngadaltë, varet nga rrethanat. Dhe nëse biskota është bërë mirë, nuk e vë re thuajse askush…

Nga një ndeshje mes Francës dhe Holandës 

Në Holandë-Francë, biskota mund të serviret lehtë. Me një barazim, Franca kualifikohet për në fazën finale të Ligës së Kombeve, ndërsa Holanda i shpëton rënies nga grupi, ku pas hedhjes së shortit u duk një “viktimë” e fatit. Kush e ha në këtë mes? Gjermania, rivale e përbashkët, që në rast barazimi në Holandë-Francë, do të ishte thuajse e rënë në Serinë B të Ligës së Kombeve. Mendja të shkon te pakti i heshtur. Bufon, me sinqeritet ekstrem, e ka pranuar më parë se në raste të tilla është “më mirë dy të plagosur se një i vdekur”. Historia është e mbushur me “akorde taktike” në favor të dy skuadrave në fushë. Ja disa prej biskotave më të famshme në futboll, ku “furra” mbetet gjithmonë e hapur.

Nga ndeshja Peru-Kolumbi, 1-1

Peru-Kolumbi, 1-1 (kualifikueset e Botërorit 2018)
Një nga ndeshjet e fundit, e mbushur me dyshime për një marrëveshje mes palëve, është ajo e luajtur mes Perusë dhe Kolumbisë në kualifikueset e Botërorit të Rusisë. Për mënyrën si shkuan gjërat në fushë dhe në grupin e Amerikës së Jugut, të dyja skuadrave u leverdiste barazimi, sidomos Perusë. Ajo pikë i jepte kësaj skuadre shansin e Botërorit në ndeshjen shtesë me Zelandën e Re. Ndeshja u mbyll 1-1, me Kolumbinë që shkoi direkt në Botëror. Peruja shkoi në “play-off” dhe më pas në Rusi, kurse Kili në…“det”.

Pas ndeshjes Francë-Danimarkë, 0-0

Francë-Danimarkë, 0-0 (Botërori Rusi 2018, ndeshjet në grup)
Kush thotë se në Rusi nuk ka ëmbëlsira? Biskota të ëmbla, si barazimi 0-0, ndeshja e parë pa gola e Botërorit 2018, e regjistruar mes Francës së kualifikuar, që i duhej një pikë për vendin e parë, dhe Danimarkës, që me një pikë kapte vendin e dytë. Një barazim, që rëndoi në kurriz të Australisë, që gjithsesi nuk arrit të fitonte me Perunë. Kështu e ka futbolli…

nga derbi mes dy Gjermanive e vitit 1974

Gjermania Perëndimore-Gjermania Lindore, 0-1 (Botërori 1974)
Në Botërorin e 1974-ës, dy Gjermanitë ishin në të njëjtin grup, duke luajtur kështu derbin e vetëm botëror në historinë e tyre. Përtej gjithë parashikimeve, fitoi 0-1 Gjermania Lindore, një rezultat që hyn në historinë romantike të futbollit. Por Bekembauer me shokë i kishin bërë mirë llogaritë. Nëse Gjermania Perëndimore fitonte, shkonte në grupin e Holandës dhe Brazilit. Më mirë t’u jepte një kënaqësi “kushërinjve” dhe të shkonte në grupin e Jugosllavisë, Polonisë dhe Suedisë, për të shkuar në finale dhe për të fituar Kupën. “Gëzimi për ju, lavdia për ne”.

Nga ndeshja Argjentinë-Peru, 6-0

Argjentinë-Peru, 6-0 (Botërori 1978)
Luhet Argjentinë-Peru në Botërorin e 1978-ës. Kombëtarja që organizon kompeticionin ka nevojë për një fitore të thellë, me shumë gola, për të kaluar më tej dhe për të shkuar në finale. Ndeshja me Perunë është vendimtare dhe në portën kundërshtare është Kuiroga, me origjinë argjentinase. Argjentinës i duheshin 6 gola për t’u kualifikuar dhe si përfundoi ndeshja? Me rezultatin e rastësishëm 6-0.

Para ndeshjes Gjermani-Austri

Gjermani-Austri, 1-0 (Botërori 1982)
Pas katër vitesh luhet botërori në Spanjë. Gjermania e kishte humbur ndeshjen e parë me Algjerinë, por kjo e fundit kishte humbur me Austrinë. Dy skuadrat që flasin gjermanisht ndeshen mes tyre, pasi mësojnë rezultatin e afrikanëve. Gjermanisë i duhej një fitore 1-0, që për Austrinë do të ishte një humbje pa dhimbje, sepse garantonte kalimin e turit. Ndeshja përfundoi pikërisht kështu, 1-0, dhe mbeti në histori si “pakti i Gijonit”, që çoi në shtëpi kombëtaren nga Afrika e Veriut.

Nga ndeshja Spanjë-Maltë 12-1

Spanjë-Maltë, 12-1 (Kualifikueset e Europianit 1984)
Sërish Spanja, por këtë herë vetë protagonistë në fushë. Janë kualifikueset e Europianit të 1984-ës. Spanja dhe Holanda luajnë për vendin e vetëm të disponueshëm për fazën finale në Francë. Spanjollëve u duhet një fitore jashtë çdo logjike kundër Maltës dhe si për habi kjo fitore vjen fiks aq sa duhet. Një 12-1, që lë më shumë se dyshime.

Iralnda e Veriut e vitit 1986

Angli-Irlandë e Veriut, 0-0 (kualifikueset e Botërorit 1986)
Një tortë me mjaltë. Një dhuratë e bukur për fqinjët. Anglia është e kualifikuar për në Botërorin e 1986-ës, ndërsa Irlanda e Veriut ka nevojë për një pikë që të shkojë në Meksikë. Një nga ndeshjet më pak të luftuara të historisë së futbollit, që mund të mbyllej vetëm me një rezultat, 0-0. Në fund, të dyja skuadrat festojnë.

Haxhi feston për kualifikimin e Rumanisë

Kamerun-BS 0-4 dhe Argjentinë-Rumani 1-1 (Botërori Itali 1990)
Itali 1990. Grupi B është mjaft i komplikuar. Bashkimi Sovjetik, Rumania dhe Argjentina luajnë për një vend, ku latino-amerikanët dhe rumunët kanë nevojë për një pikë. Kameruni, i pari në grup, nuk ka interes për ndeshjen e fundit në grup dhe mundet thellë, 0-4, nga sovjektikët. Por këta të fundit nuk mund të buzëqeshin, sepse Argjentinë–Rumani mbyllet 1-1. Një biskotë e dyfishtë këtë radhë, me njërën që ha tjetrën.

Nga ndeshaj Holandë-Irlandë, 1-1

Holandë-Irlandë, 1-1 (Botërori Itali 1990)
Një tjetër grup në Itali 1990 është shumë i ekuilibruar. Luhen ndeshjet Holandë–Irlandë në Palermo dhe Angli-Egjipt në Kaljari. Për holandezët dhe irlandezët barazimi është perfekt, duke pasur parasysh pozicionin e Egjiptit. Dhe kështu mbyllet ndeshja, 1-1. Nuk rezultoi një zgjedhje e mirë për Holandën, që në fazën tjetër u ndesh me Gjermaninë dhe shkoi në shtëpi.

Nga ndeshja Brazil-Norvegji, 1-2

Brazil-Norvegji 1-2 (Botërori Francë 1998)
Edhe Brazili e ka një “njollë në biografi”. Në Botërorin e 1998-ës nuk ka asnjë interes për të mundur Norvegjinë në ndeshjen e fundit në grup. Skandinavët bëjnë gjithçka për të fituar dhe në fund arrijnë ta përmbysin ndeshjen nga 1-0 në 1-2. Në këtë rast e “ha” Maroku, që pavarësisht fitores 3-0 ndaj Skocisë, i thotë lamtumirë Botërorit të Francës.

Del Piero shën me golin e barazimit ndaj Meksikës

Itali-Meksikë 1-1 (Botërori Japoni-Kore 2002)
Atdheu i “kompromisit historik” nuk mund të mungonte në këtë listë biskotash. Edhe pse nuk ishte një e tillë, por një verdikt i fushës së blertë. Itali–Meksikë, Botërori 2002. Kroacia bën vetëvrasje me Ekuadorin dhe kur Del Piero shënon golin e barazimit, të dyja skuadrat i bashkohen thënies së Bufonit: “më mirë dy të plagosur se një i vdekur”. Të dyja skuadrat kualifikohen me rezultatin 1-1.

Parulla ironike e suedezëve për Italinë

Suedi-Danimarkë 2-2 (Europiani 2004)
Një biskotë daneze për Italinë e drejtuar nga Xhovani Trapatoni. Një “shaka” mes Suedisë dhe Danimarkës në Europianin e 2004-ës djeg ende në lëkurën e asaj Italie, që edhe mund t’i shkonte në fund kompeticionit, nëse dy kombëtaret skandinave nuk do të kishin luajtur aq hapur për barazimin 2-2, që i kualifikonte të dyja për në çerekfinale.

Trajneri i Italisë U21, Di Biaxho

Suedi U21-Portugali U21, 1-1 (Europiani U21 2015)
Një llogari e hapur e suedezëve edhe në sektorin e të rinjve. Pas 2-2 në Euro 2004, vjen biskota edhe 11 vjet më pas. Protagonistë janë Suedia U21 dhe Portugalia U21, që me një barazim 1-1 të paracaktuar dhe të realizuar me përpikëri, zhvlerëson fitoren 3-0 të Italisë ndaj Anglisë në fazën e grupeve të Europianit të 2015-ës.
Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë