Lajme

Mbyllet shkolla që financohej nga Irani në Tiranë

Ministria e Arsimit ka mbyllur shkollën “Saadi” që ushtronte aktivitet prej disa vitesh në Tiranë.

Vendimi është marrë ditët e fundit dhe mban firmën e ministres së Arsimit, Besa Shahini.

Ministria nuk ka dhënë detaje mbi arsyet që kanë çuar në këtë vendim, por duket se gjithçka ka ardhur pas shpalljes “non grata” të dy diplomatëve iranianë në Tiranë pak ditë më parë.

Në vendimin për mbylljen e shkollës, ministria i kërkon asaj që t’u kthejë nxënësve pagesat e kryera deri më tani, të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për t’u regjistruar në shkolla të tjera dhe të dorëzojë regjistrat.

Gjithashtu urdhërohet edhe ngritja e një komisioni prej tre vetash që do të ndjekin procedurat e mbylljes së shkollës.

Shpallja “non grata” e diplomatëve iranianë, por edhe mbyllja e shkollës, që pason vendimin e parë, janë ndërmarrë pas tensioneve të forta mes Iranit dhe SHBA, teksa forcat ushtarake amerikane ekzekutuan gjeneralin iranian, Qassem Suleiman.

Diplomatët e shpallur si të padëshiruar janë Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast, ku njëri prej tyre ishte edhe drejtues i fondacionit “Saadi Shirazi”, që financon pikërisht shkollën në fjalë.

Kolegji “Saadi”

Në kolegjin “Saadi” që nga viti 2001 e gjer më sot kanë përfunduar studimet 10 gjenerata, ku shumica e vajzave kanë vazhduar studimet e mëtejshme në universitetet shqiptare dhe të huaja.

Kolegji “Saadi” është një shkollë e Mesme Publike, ku përpos mësimit formal që bëhet sipas programit të Ministrisë së Arsimit, nxënëset këtu mësojnë si të ndërthurin njohuritë teorike me vlerat morale duke u edukuar nga mësues të Shqipërisë dhe Republikës Islamike të Iranit.   

E veçanta e këtij kolegji nga të gjitha kolegjet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni sepse është kolegj vetëm për vajza dhe pjesë e kolegjit ishin vajza nga të gjitha viset dhe tokat shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë