Politike

Mbyllet afati për kandidaturat, të hënën asnjë emër për President

Kuvendi do të mblidhet të hënën në një seancë plenare për të djegur formalisht raundin e parë të zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Ora 16:00 e kësaj të diele ishte afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit dhe në të hënën nuk do të votohet për asnjë kandidat.

Socialistët vijojnë t’i qëndrojnë pozicionit se nuk kërkojnë të zgjedhin një president të partisë së tyre, dhe se janë të gatshëm për një emër konsensual, por kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë asnjë kandidaturë që mbërrin nga Sali Berisha.

Të premten ata zhvilluan bisedime me dy nga tre grupet parlamentare të opozitës. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, shmangu bisedimet, duke dërguar një dokument me kriteret që, sipas tij, duhet të plotësojë një kandidat për kreun e shtetit, e duke deklaruar se mbetet në pritje të një reagimi nga shumica.

Kaosi në grupin e demokratëve po ndikon dhe të përfaqësuesit e tjerë të opozitës. Grupi Aleanca për Ndryshim, i përbërë nga disa prej aleatëve të Partisë Demokratike, ka deklaruar që nëse nuk do të ketë një konsensus brenda vetë opozitës, nuk do të shprehet për çështjen e presidentit të ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë