Ka ndodhur

Mbyllen hetimet për “339”, 21 komisionerë e qytetarë çohen në gjykatë

Prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet për dosjen e bujshme “339”, që ka të bëjë me shit-blerjen e votës në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, duke proceduar penalisht 21 persona, prej të cilëve 19 janë qytetarë dhe dy qytetarë.

Ndaj komisionerëve dhe qytetarëve akuzat që rëndojnë janë ajo e votimit më shumë se një herë, ose pa u identifikuar dhe të falsifikimit të materialeve zgjedhore dhe të rezultatit të zgjedhjeve. Nën hetim në total ishin 23 persona, por dy prej tyre kanë ndërruar jetë, ndaj prokuroria vendosi pushimin e hetimeve.

Për 21 të tjerët, Prokuroria e Durrësit vendosi t’i çojë për gjykim. Prokuroria thotë se në një rast, shtetasi Armelin Zeza ka votuar për 25 persona, për të cilët ka provuar që në ditën e zgjedhjeve, pra më 25 qershor të 2017-ës nuk ndodheshin në Shqipëri.

“Shtetasi Shpëtim Marku, banorë i lagjes Xhafzotaj, Shijak, gjatë votimeve për zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara me datë 25.06.2017, ka votuar në emër të babait të tij, ndërkohë që ky i fundit ndodhej jashtë shtetit, ndërkohë që kishte votuar më parë në emër të tij. Shtetasi Armelin Zeza ka vulosur fletë votimi dhe votuar në emër të 25 shtetasve të tjerë të cilët është ndodheshin jashtë shtetit me qëllim ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.

Në përfundim, Prokuroria e Durrësit ka dërguar për gjykim nën akuzat e shkeljes së rregullave që garantojnë fshehtësinë e votës dhe falsifikim të materialeve zgjedhore shtetasit Shpëtim Stafa, Elidon Stafa, Ramiz Tuda, Fredi Marku, Emilian Tuda, Redi Hysa, Dalvis Biba, Indrit Bici, Mehdi Lala, Agim Lala, Oriada Lala, Qazim Lala, Bujar Sula, Bashkim Alushi, Jakup Bregu, Altin Lala, Kujtim Uruçi, Zyhra Lala dhe Qemal Domi.

Hetimi i krimeve zgjedhore në kuadër u zbulua gjatë një operacioni të Prokurorisë për Krimet e Rënda që çoi në arrestimin e grupit të Avdylajve në Shijak. Prokuroria ka rënë në gjurmët e krimeve zgjedhore gjatë përgjimeve në kuadër të këtij operacioni.

Megjithatë, gjatë hetimeve, Prokuroria e Posaçme, ashtu si në rastin e dosjes 184 të Dibrës tha se nuk kishte elementë të grupit të strukturuar kriminal, duke ja deleguar hetimin e këtyre krimeve zgjedhore Prokurorisë së Durrësit.

Dosje 339 bëri bujë pas publikimit të përgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, ku mes personave të përgjuar ishte edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe drejtues të tjerë vendorë të Partisë Socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë