Futboll

Mbrëmja e Ligës së Kampionëve, nuk ka më kohë për gabime

Mbrëmjen e së kësaj të martë rikthehet Champions League. Është raundi i tretë i këtij kompeticioni në fazën e grupeve dhe nuk ka kohë për gabime. Janë disa skuadrat e mëdha, që do të luajnë këtë të martë për të kërkuar fitoren. Mançester Siti, Real Madrid, Bajern Munih, Roma dhe disa ekipe të tjera të mëdha do të zbresin në fushë për tre pikët dhe që të kalojnë në raundin tjetër. Përballja më e fortë e kësaj të marte luhet në “Old Traford”, aty ku Juventus do të përballet me Mançester Junajtid.

Këtë të martë vetëm dy ndeshje do të luhen në orarin e pasdites. Bajern do të udhëtojë drejt Athinës për t’u përballur me kampionët grek të AEK. Gjermanët pas një mini krize në kampionat do të kërkojnë të kthehen të rezultatet pozitive përballë një ekipi relativisht të lehtë. Po në orën 18:55 luhet edhe sfida mes zviceranëve të Jang Bojs dhe Valencia. Spanjollët kanë marrë vetëm një pikë deri më tani dhe me ekipin zviceran do të kërkojnë tre pikët me çdo kusht të paktën për të qëndruar në valle për vendin e tretë që të çon në Europa League.

Në mbrëmje fillon spektakli i vërtetë, pasi luhen edhe përballjet më të forta. Kampionët në fuqi të Real Madrid sfidojnë modestët e Viktoria Pëlzen në mitikun “Santiago Bernabeu”. Janë bërë pesë ndeshje pa fitore për Real Madrid dhe këtë të martë do të kërkohet me çdo kusht fitorja, pasi në fundjavë është “El Clasico”. Në këtë grup, shumë interesante do të jetë përballja mes CSKA e Moskës dhe Roma. Rusët vijnë me stofin e kryesueses së grupit në këtë përballje dhe me ekipin italian do të kërkojnë fitoren për të ruajtur vendin e parë. Pas humbjes në kampionat të shtunën, Roma do të kërkojë që mos t’i zhgënjejë sërish tifozët e saj në “Olimpico”.

Katër herë fituesit e Ligës së Kampionëve, Ajaksi që janë rikthyer këtë vit, do të presin Benfikën në një përballje që pritet të përcaktojë shumë në luftën për vendin e dytë të këtij grupi. Ajaksi nuk ka humbur asnjë përballje në këtë rikthim në Ligën e Kampionëve, por edhe Benfika është aty, pasi ka tre pikë në dy ndeshje.

Shumë interesante do të jetë edhe ndeshja mes Hofenhaim dhe Lion, me të dyja ekipet që synojnë vendin e tretë. Por sfida më e fortë e kësaj mbrëmje është ajo mes Mançester Junajtid dhe Juventus. Kristiano Ronaldo rikthehet në stadiumin ku u bë i famshëm dhe nga ku e njohu e gjithë bota, “Old Traford”. Të dyja skuadrat kanë zënë vendet e para të grupit, por Juventus është me pikë të plota, ndërsa ekipi i Murinjos barazoi në sfidën e dytë. Në javën e fundit në Premier League, Junajtid mori një barazim shumë të luftuar me Çelsin e Sarrit, ndërsa kjo sfidë me torinezët pritet të jetë akoma dhe më e fortë. Kjo ndeshje e parë në “Old Traford” dhe ajo e pas një jave në “Juventus Stadium” do të përcaktojnë se cila nga këto dy ekipe do të kap vendin e parë të grupit.

Nëse për anën e kuqe të Mançesterit mbrëmja e së martës rikthen kujtimet e vjetra, pasi në fushë do të zbresë lojtari që i ka lumturuar për vite më radhë, ana tjetër e qytetit është pak  më e qetë. Mançester Siti do të udhëtojë drejt Ukrainës, për t’u përballur me Shaktarin. Për skuadrën e Guardiolës fitorja në këtë transfertë është detyrim, por duhet thënë se nuk një mision aspak i lehtë.

 

Më Shumë