Politike

Mbetjet, raporti i KE shqetësim për inceneratorët: Të nxitet riciklimi!

Kryeministri Edi Rama mblodhi kryebashkiakët për t’u kërkuar në formë ultimatumi që të trajtojnë me prioritet çështjen e pastrimit të territorit nga mbeturinat. Në fakt, çështja e mbetjeve dhe e landfilleve të ngritura kuturru nëpër territor ngrihet si problem shqetësues edhe në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Raporti i prezantuar në fillim të kësaj jave nga ana e Komisionerit Oliver Varhelyi thotë se kuadri ligjor i Shqipërisë në këtë fushë nuk përputhet me atë të Bashkimit Europian.

“Kuadri ligjor i menaxhimit të mbetjeve është pjesërisht në përputhje me të BE. Mbyllja e një numri të madh landfillesh dhe venddepozitimesh të tjera mbeturinash mbetet një sfidë. Ndarja e mbetjeve në burim dhe instrumentet ekonomike të nxitjes së riciklimit e ripërdorimit mbeten të kufizuara”, thotë raporti.

Raporti shpreh shqetësimin në rritje në lidhje me inceneratorët, që nuk përputhen me strategjinë e BE në këtë sektor.

“Ndërtimi i një inceneratorit të ri, përveç dy ekzistuesve në Elbasan dhe Fier përbën një shqetësim në rritje në termat e përputhshmërisë me ligjet e standardet e BE për trajtimin e mbetjeve, përfshirë këtu edhe parimin e hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve dhe objektivave të riciklimit”, thotë KE.

Brukseli kërkon nga Shqipëria, përmes politikave dhe ndërhyrjeve të duhura në kuadrin ligjor të nxisë riciklimin.

“Shqipëria duhet të nxisë ekonominë qarkulluese duke synuar parandalimin e reduktimin e mbetjeve dhe rritur reciklimin e tyre për të ulur numrin e landfilleve”, thotë KE.

Në raportin e sivjetshëm vihet re se rekomandimet e dhëna vitin e kaluar nuk janë përmbushur, përfshirë këtu ndryshimi i kuadrit ligjor dhe forcimit të institucioneve zbatuese të ligjit në këtë sektor.

“Rekomandimet në masterplanin për menaxhimin e mbetjeve, në disa raste bien ndesh me legjislacionin vendas në fuqi dhe me ligjet e politikat e BE-së për mbetjet. Kjo duhet të rishikohet”, thotë KE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë