Njerez

Masakra që ndryshoi historinë e Kosovës!

Qindra qytetarë janë nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm drejt në fshati të vogël në dalje të Prishtinës, Reçakut, i cili u kthye në simbolin e masakrave të ushtrisë serbe në Kosovë duke zgjuar mbarë botën 21 vite më parë për atë që po ndodhte.

Por edhe pse sot bëri bashkë shqiptarë të të gjitha trevave, njëzetenjë vjet më parë, më 15 janar të vitit 1999, në fshat kishin mbetur shumë pak banorë që nuk ishin larguar. Si çdo mëngjes, ata u zgjuan herët nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.

Por atë ditë, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 burra, gra dhe fëmijë shqiptarë, pa e ditur se plumbat ndaj të pafajshmëve në këtë fshat të vogël do të ndryshonin njëherë e përgjithmonë historinë e Kosovës.

Një i ri shqiptar mbulon fytyrën ndërsa qan më 16 janar pranë trupave të të paktën 22 banorëve nga Racaku të cilët u gjetën në një hendek. Gazeta Si, 2020

Sapo dëgjuan krismat në orët e hershme të mëngjesit, banorët u grumbulluan nëpër shtëpi dhe bodrume në përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjarët e tyre. Por forcat ushtarake serbe u futën shtëpi më shtëpi, duke vrarë të mëdhenj e të vegjël dhe duke i braktisur trupat e tyre mes pellgjeve të gjakut.

Edhe pse Beogradi zyrtar u mundua ta mohonte masakrën, një ditë më vonë shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker u nis me urgjencë drejt fshatit, për të parë me sytë e tij nëse dëshmitë e tmerrshme që kishte dëgjuar ishin të vërteta. Ai mbeti i tmerruar.

William Walker shikojn nga afer trupat e viktimave ne Recakut, Gazeta Si, 2020

Walker ishte zyrtari i parë ndërkombëtar që pa trupat e të vrarëve që kishin mbetur të braktisur në një luginë.

Në intervistat që dha ai do ta përshkruante mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999 si më të tmerrshmin e jetës së tij. Walker ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut dhe deri atë mëngjes nuk i kish qëlluar të bëhej dëshmitar një skene të tillë.

Pasi Walker pa trupat e të vrarëve, mësohet se kërkoi menjëherë të fliste përpara mediave.

Trupat e 40 prej 45 shqiptarëve te masakruar nga forcat serbe lihen në një xhami në Recak ndërsa policia serbe rifillon sulmin e tyre kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gazeta Si, 2020

"Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale dhe atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme", deklaroi ai, duke i bërë thirrje autoriteve ndërkombëtare për ndërhyrje të menjëhershme. Por ushtria serbe nuk do të mjaftohej me kaq.

Pas largimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Reçaku, banorët mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që të kryhej varrimi. Por forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave, duke shkaktuar nisjen e luftimeve mes të forcave ushtarake dhe policore si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Varrrimi i viktimave te Recakut, Gazeta Si, 2020

Pasi gati dy ditë luftimesh, forcat policore e ushtarake serbe morën me forcë të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, duke mohuar që të kishin vrarë e masakruar civilë. Në deklaratat e zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime.

Por fotot, lotët e familjareve dhe dëshmia e zyrtarëve të huaj kishin bërë xhiron e botës. Në Shqipëri indinjata dhe solidariteti ishte i jashtëzakonshëm. Në atë kohë të vështirë nuk gjeje shqiptar që nuk ishte i gatshëm të hapte dyert për shqiptarët e Kosovës.

Ndërkohë, ditë pas ditë, pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Me kërkesën që trupat e të vrarëve t’u dorëzoheshin familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës

Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën. Familjarët u lejuan që të shkonin për t’i marrë trupat e të vrarëve vetëm në shkurt dhe kthimi në fshat zgjati disa ditë. Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999 në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë, e cila mblodhi në këtë fshat të vogël shqiptarë nga mbarë Kosova.
Indinjimi ishte i madh edhe në Europë, me Britaninë e Madhe që kërkonte ndërhyrje ushtarake. Por ajo që do ta merrte hapin e parë do të ishte SHBA-ja.

NATO sulmon Serbinë

Masakra e Reçakut e detyroi NATO-n të hynte për herë të parë në luftë. E udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleanca nisi fushatën ajrore kundër ish-Jugosllavisë për të detyruar Presidentin Millosheviç t’i jepte fund masakrave në Kosovë. Zyrtarët e aleancës veri-atlantike deklaruan në atë kohë se kjo ishte zgjidhja e vetme për të ndaluar spastrimin etnik dhe vrasjet masive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Presioni ndërkombëtar kishte arritur kulkin pas masakrës në fshatin Reçak. Ndër mbështetësit më të vendosur të një intervenimi ushtarak në ish-Jugosllavi ishte kryeministri britanik Tony Blair, i cili në maj të vitit 1997 kishte zëvendësuar paraardhësin e tij konservativ John Major dhe kishte nisur një kthesë në politikën britanike ndaj Ballkanit. Blair ishte i mendimit se politika e nënshtrimit ndaj Millosheviçit kishte dështuar dhe se nuk duhej lejuar përsëritja e një “Bosnje të dytë”.

Duke deklaruar se duhej të vepronte për t’i dhënë fund një krize humanitare, NATO vendosi të ndërhynte pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB. Serbët akuzuan aleancën se sulmet e saj lanë mijëra viktima, por u tërhoqën nga Kosova vetëm pas 87 ditë sulmesh të njëpasnjëshme.

Forcat e KFOR-it hyjne ne Kosove, Gazeta Si, 2020

Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me Sllobodan Millosheviçin që pranoi t’i tërhiqte trupat nga Kosova. Serbët pranuan kushtet e NATO-s dhe filluan të tërhiqen, ditë në të cilën forcat ruse hynë në Prishtinë.

Vuçic si Millosheviçi

Duke folur sot në 21 vjetorin e kësaj masakre, Ambasadori Walker i dërgoi një mesazh të fortë Serbisë nga Prishtina, duke i kërkuar presidentit Aleksandër Vuçiç të tërhiqej nga deklaratat se Reçaku nuk ishte gjë tjetër veçse një fabrikim.

Duke folur në një konferencë në Prishtinë, Walker tha se kur kishte dëgjuar deklaratat e Vuçicit, i ishte kujtuar Sllobodan Millosheviçit, i cili, sipas tij, fliste po njësoj për Reçakun.

Homazhe në nder të viktimave, Gazeta Si

“Unë nuk jam këtu sot të vërtetoj se Reçaku nuk ishte gënjeshtër. E gjithë e bota e ka kuptuar se Reçaku ka ndodhur, ku 45 banorë të një fshati të pambrojtur ishin masakruar. Mbi këtë fshat u krye një masakër nga forcat e sigurisë së Beogradit, nën komandën e Millosheviçit”, tha Walker. “Njerëzit më pyesnin rreth reagimit ndaj presidentit serb, Vuçiq, i cili më ka quajtur gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur. Më duket sikur po dëgjoj Sllobodan Millosheviqit edhe një herë. Reçaku ka ndodhur, bota mësoi për të dhe bota reagoi”, tha Walker.

Homazhe në nder të viktimave

Të gjithë të pranishmit në homazhet në nder të viktimave të pafajshme ishin sot të bindur se historia e Kosovës nuk do të kishte e njëjta pa sakrificën e tyre.

Duke folur sot nga Reçaku në krah të presidentit Ilir Meta, Presidenti Hashim Thaçi tha se masakra në këtë fshat “ishte kulmi i krimeve të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë”.

“E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet, e madje duke etiketuar apo fyer edhe të vrarët civilë në Kosovë”, tha Thaçi. “Kjo masakër ka qenë krim kundër njerëzimit e cila fatkeqësisht nuk është zbardhur ende nga drejtësia ndërkombëtare.

Thaci dhe Meta ne Recak, Gazeta Si, 2020

"Jemi së bashku me zotin Meta për të bëtë nderime në Reçak. Masakra e Reçakut është krim kundër njerëzimi. Serbia ka bërë spastrim etnik. Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur që të zbardhet kjo masakër. Tendenca ë fshehjes së kësaj masakre është sjellje e mentalitetit Millosheviqit" ka thënë ai.
Në anën tjetër, presidenti Meta deklaroi se është përgjegjësia për të marrë pjesë në këto homazhe e për tu përkulur para fëmijëve e të rriturve që janë vrarë.

“Çdo përpjekje për të mohuar masakrën e Reçakut, dhe çdo masakër tjetër në rajon, është një rrezik për riciklimin e dhunës” deklaroi Meta duke i dërguar po ashtu një mesazh Serbisë. “Ndaj sot është koha, jo vetëm për të kujtuar këtë masakër dhe të gjitha ato ngjarje tragjike të ndodhura në Kosovë, por edhe për të kërkuar që drejtësia të shkojë deri në fund për të gjithë ata, të cilët orkestruan dhe realizuan këtë krim kundër njerëzimit, pasi kjo është rruga më e mirë për një pajtim të vërtetë e të qëndrueshëm në rajonin tonë", shtoi presidenti.

lbin Kurti ne Recak, Gazeta Si, 2020

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se masakra që ndodhi 21 vite më parë në Reçak është një nga krimet më të tmerrshme të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare.
“Aktin makabër të regjimit të Millosheviçit e pa nga afër i tmerruar edhe ambasadori i OSBE-së, William Walker. Viktimat e Reçakut, janë vulë e çlirimit dhe shtet-formimit të Kosovës, ata janë në piedestalin e historisë më të re, prandaj përulemi para tyre. Pa sakrificën e tyre, liria nuk imagjinohej dot”, ka deklaruar Mustafa.
Ai që shkoi i vetëm në homazhe ishte kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili kërkoi drejtësi në emër të familjarëve.
“Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviqit….21 vite më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, popullit tanë, ndaj shtetit tonë, është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë që të sjellim drejtësi”, tha Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë