Ne rrjet

Masakra e Reçakut, ministri serb i Mbrojtjes: Shqiptarët s’kanë besë!

Deklaratat e SHBA-së dhe Bashkimit se nuk mund të mohohet masakra e Reçakut, ka xhindosur Serbinë.

Zëdhënësja e re e Komisionit Europian për Zgjerimit kritikoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për mohimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, duke thënë se deklarata të tilla shkojnë kundër vlerave të Bashkimit Europian dhe kundër integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Por kjo deklaratë e BE-së është pritur me zemërim nga Beogradi zyrtar. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i ka bërë thirrje BE-së që të përmbahet nga ato që i cilëosi si “deklarata nxitëse dhe të papërmbajtura” rreth masakrës së Reçakut.

“Si një organizatë që nuk është kompetente për të dhënë gjykime juridike dhe konkluzione historike, BE-ja do të ndihmonte shumë në pajtimin dhe paqen në rajon nëse autoritetet dhe zyrtarët e saj do të përmbaheshin nga shpërndarja në publik e pikëpamjeve që mund të jenë nxitëse”, tha Vulini pas reagimit të BE-së.

Ai thotë se “autoritetet e BE-së do të duhej të punonin që e kaluara të vlerësohet në mënyrë të drejtë dhe të tillë çfarë është, duke respektuar viktimat”.

Vulin tha se më tej, se gjatë një bisede me presidentin Vuçiç, ky i fundit i kishte thënë “shiptarët” (Vulini përdori një term përbuzës për shqiptarët në gjuhën serbe) kanë bërë hapa pas nga pavarësia.

“Shqiptarët e dinë se dialogu me Vuçicin i ka larguar ata nga pavarësia. Prandaj kërkesa e tyre e vetme është që serbët t’i prezantojë dikush që nuk do të përfaqësojë Serbinë”, tha ai, pas deklaratës së Albin Kurtit se nuk e do Vuçicin në tavolinën e negociatave.

Ai tha se “askujt s’i intereson se çfarë dëshirojnë shqiptarët”, duke shtuar se: “Shqiptarët nuk kanë besë, por a ka BE-ja?”.

“Vuçiqi është i vetmi që mund të flasë jo vetëm në emër të Serbisë, por në emër të të gjithë serbëve dhe këtë e di edhe Kurti. Nuk është me rëndësi çfarë duan shqiptarët, askujt s’i intereson kjo, por na intereson se a do ta mbajë Bashkimi Evropian fjalën e tij dhe të zbatojë sa më parë marrëveshjen e Brukselit dhe të heqë më pas të heqë taksën ndaj mallrave serbe”, tha ministri serb i Mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë