Bota

Masakra e fëmijëve në Luiziana, ku babai vret 7 fëmijët e tij dhe nipin

Gazeta Si – Një mosmarrëveshje familjare u përshkallëzua në një masakër në Shreveport, në Luizianën veriore pranë kufirit me Teksasin, ku një burrë hapi zjarr, duke vrarë shtatë nga fëmijët e tij dhe një fëmijë tjetër, që dyshohet se është nipi i tij.

Viktimat, ishin nga 15 muaj, deri në 14 vjeç. Dy gra të rritura, që besohet të jenë nënat e fëmijëve të vrarë, u qëlluan gjithashtu në kokë, por mbijetuan, ndërsa një djalë i vogël u plagos duke kërcyer nga një çati ndërsa përpiqej t’i shpëtonte të shtënave.

Pas një ndjekjeje dhe të shtënave të mëtejshme, personi i armatosur u vra nga policia. Shamar Elkins dhe gruaja e tij po ndaheshin dhe ishin planifikuar të paraqiteshin në gjykatë të hënën, më 20 prill, sipas Crystal Brown, kushërirës së njërës prej grave të plagosura.

Sipas raporteve fillestare nga forcat e rendit, incidenti filloi rreth orës 6:00 të mëngjesit sipas orës lokale (13:00 sipas orës shqiptare), dhe motivi u identifikua si një “mosmarrëveshje familjare” e dyshuar.

Të shtënat ndodhën në disa zona të qytetit, duke përfshirë dy shtëpi në të njëjtin bllok dhe një të tretë në një pjesë tjetër të lagjes.

Nga 10 personat e goditur – fatalisht ose jo – nga plumbat, disa janë të lidhur me vrasësin, i cili më vonë u vra nga forcat e rendit gjatë një ndjekjeje me makinë.

Siç specifikoi më vonë një zëdhënës i policisë, vrasësi me sa duket qëlloi në dy shtëpi të ndryshme: “Është një skenë masive ndryshe nga çdo tjetër që kemi parë ndonjëherë”.

Një nga personat e plagosur thuhet se u strehua në një shtëpi të tretë, ngjitur me vendin e të shtënave. Pasi qëlloi brutalisht dhjetë persona, vrasësi thuhet se vodhi një makinë disa metra larg vendit të vrasjeve për t’u arratisur dhe për t’u zhdukur.

“Në atë pikë, oficerët e policisë së Shreveport ndoqën automjetin”, vazhdoi zëdhënësi. Oficerët qëlluan dhe vranë të dyshuarin gjatë ndjekjes.

Kryetari i Bashkisë së Shreveport, Tom Arcenaux, e përshkroi skenën si “të tmerrshme”, duke shtuar: “Kemi familje, oficerë policie dhe staf që janë në zi. Kjo ngjarje prek të gjithë komunitetin dhe ne bashkohemi me pikëllimin e këtyre familjeve”.

Ai gjithashtu theksoi se kjo situatë tragjike është “më e keqja që kemi përjetuar ndonjëherë në Shreveport”.

Shefi i Policisë së Shreveport, Wayne Smith, shprehu ngushëllimet e tij për të gjithë komunitetin: “Nuk mund ta imagjinoj as se si mund të ndodhë një ngjarje e tillë”, tha ai, duke shpjeguar se hetimi po kryhet në koordinim me Policinë Shtetërore të Luizianës dhe me ndihmën e shumë agjencive të tjera.

“Ne do të punojmë me zell, për aq kohë sa të duhet, për të marrë përgjigje rreth asaj që ndodhi”, tha ai.

Sipas të dhënave nga organizata joqeveritare Arkivi i Dhunës me Armë, e cila punon për të luftuar dhunën me armë, gati 15,000 njerëz u vranë nga armët e zjarrit në Shtetet e Bashkuara në vitin 2025.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë