Politike

Marrëveshja për emigrantët / Rama: Po sillemi si vend i BE-së. U desh lufta e Putinit në Ukrainë që unioni të kuptonte rëndësinë e Ballkanit

Në vizitën e tij zyrtare në Bruksel, gjatë një konference për shtyp të mbajtur atje, pak orë para mbërritjes së Blinken në Tiranë, Kryeministri Edi Rama u pyet nga mediat për marrëveshjen me Italinë për emigrantët.   

“Nuk e shoh sesi ajo që po bëjmë me Italinë bie ndesh me qëndrimin e BE-së për migracionin, është e kundërta do të thoja, ajo që po bëjmë me Italinë, si shtet jo anëtar është ajo që duhet të bëjë një shtet anëtar. Ne po sillemi si një vend anëtar i BE-së dhe po pranojmë që një tjetër vend anëtar i BE-së të ndaj me ne çështjen e  përgjegjësisë dhe të ndaj me në çështjen kur migracionit të paligjshëm është bërë ushqim i politikës së përgjithshme. Këto debate janë ushqim për zgjedhjet e radhës dhe më tej, por kjo nuk mund të jetë përgjigja e njëanshme për mënyrën sesi duhet trajtuar kjo situatë.

Gjithë politika që prodhohet nga kjo çështje nuk merret me shkakun, por me simptomat, situata në të ardhmen e afërt mund të dalin jashtë kontrollit. Shqipëria nuk ka asnjë fuqi këtu, por jemi kontribuues modest dhe qëndrojmë krah për krah me një vend që për ne ka një domethënie të veçantë që është Italia. Ne nuk na detyron asnjë marrëveshje asnjë angazhim për tu përfshirë në atë që ju e quani punë e pistë. Është një punë sfiduese” tha Rama.

Në konferencën nga Brukseli kryeministri tha se BE po kupton më në fund rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Ramës, kjo ndodhi vetëm pasi Putini goditi Ukrainën, ndërsa theksoi se nuk duhet pritur ndonjë agresion tjetër për t’i dhënë përparësi Ballkanit Perëndimor.

"Së fundi po shohim që BE është shumë më i vetëdijshëm në vepra, jo vetëm në fjalë për rëndësinë strategjike të BB. E trishtë që duhej Vladimir Putin që të ndodhte kjo gjë. Besoj se ne tashmë duhet të ruajmë ritmin duke ecur me hapa të guximshëm e të mos presim një katastrofë tjetër që të kujtojë Brukselin sa i rëndësishëm është BP për BE. BE është i rëndësishme për ne por të gjithë në BE duhet të kuptojnë që po kaq rëndësi ka Ballkani për BE-në", tha ai.

Teksa mori pjesë në një konferencë të përbashkët me homologun e Malit të Zi, Milojko Spajic dhe Presidentit të Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale, Oliver Ropke, Rama u ndal te çështja e integrimit. Ai tha se Bashkimi Europain dhe Ballkani Perëndimor duhet të gjejnë një mundësi për rrugëtimin e këtyre vendeve drejt BE-së.

“Ky është një lajm i mirë i ardhur nga organizëm shembulloj i kompleksit të institucioneve si komiteti i Ekonomisë që vendosi të marrë hapa të guximshëm duke u dhënë të gjitha vendeve kandidate mundësinë të jenë pjesë e komunitetit që përbëhet nga shtete anëtare. Ky është shembulli i parë të shkëlqyer se si duhet të parashohim të ardhmen e afërt dhe se duhet të biem dakord me miqtë tanë në BE mbi qasjet e ndryshme për t’i bërë gjërat bashkë dukë na lejuar të jemi pjesë e hapësirave të dialogut, ndërveprimit e bashkëpunimit që kjo organizatë ofron për anëtarë.

Duke pasur vendet tona në Komitet në kuptimin e plotë pa të drejtë vote është ajo që duhet të ndodhë në të ardhmen e afërt për Ballkanin perëndimor që duhet të gjejë rrugën që rrugëtimi drejt anëtarësimit duhet të jetë rrugëtim bashkëpunimi dhe ndërveprimi organik që duhet të ofrohet nga BE.

Besoj se është koha që BE të kuptojë se vendet kandidatë të Ballkanit perëndimor nuk janë mjaftueshëm të pjekura por janë në një situatë ku meritojnë të përqafohen e të sillen më pranë pa qenë domosdoshmërisht anëtar me të drejta të plota sic është qëllimi fundor i procesit", tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë