Politike

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Rama nga Bavaria: Shqipëria jo zgjidhja, por duhet të kontribuojë

Nga Gazeta Si- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës në Bavari të Gjermanisë, ka mbajtur një konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin bavarez, gjatë të cilës u ndal tek fenomeni i emigracionit të paligjshëm.

Rama u shpreh se ka pasur diskutime se si Shqipëria mund të japë kontributin për këtë problem edhe përmes marrëveshjes së arritur me Italinë për emigrantët.

Megjithatë kryeministri theksoi se Shqipëria nuk është zgjidhja e problemi pasi është “shumë e vogël dhe nuk ka mjetet për të qenë zgjidhja”.

“Prej kaq shume viteve kemi folur për temat që kemi diskutuar dhe i kemi hedhur ne tryezë edhe me kryeministrin tuaj gjatë vizitës së tij historike në Tiranë.

Sigurisht kemi folur edhe për mënyrën sesi Shqipëria e sheh dhe si Shqipëria mendon të kontribuojë, kundër emigracionit të paligjshëm përmes marrëveshjes që kemi arritur me Italinë.

Më duhet të them se Shqipëria nuk është zgjidhja pasi jemi shumë të vegjël dhe nuk kemi mjetet për të qenë zgjidhja, pikë së pari, dhe së dyti, sepse zgjidhja nuk është madje as në duart e një vendi të madh si Gjermania, por Shqipëria mund të bëjë pjesën e saj për të kontribuar në këtë zgjidhje, ashtu siç çdo vend europian duhet të bëjë pjesën e vet për të kontribuar në këtë zgjidhje pasi kjo sfidë kërkon një përgjigje mbarë europiane. Çdo përpjekje e veçuar është e  dënuar të sjellë pasoja që mund të bëhen të pariparueshme për të ardhmen ndaj e gjithë familja europiane duhet të qëndrojë së bashku e të bjerë dakord për një përgjigje të vetme e jo për përgjigje të shumta e të larmishme që ndonjëherë nuk lidhen me brezat e ardhshëm, por me politikën e ditës”, u shpreh Rama.

Gjithashtu, Rama tha edhe se “ne nuk jemi BE, por jemi E pa B kështu që,  askush nuk mund të vendosë për ne, nëse jemi a jo europiane sepse kjo tashmë është vendosur tashmë nga Zoti i plotfuqishëm e nga gjeografia që na ka vendosur në mes të Europës dhe Bashkimi Europian është realiteti i vetëm në historinë e hartave me kufij të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Nuk ka ekzistuar asnjë realitet tjetër i ngjashëm në histori. Pra, hyn në BE dhe për të ardhur në Shqipëri duhet të dalësh nga BE-ja. Është thjesht një fluturim 1orë e gjysmë prej këtej dhe ne jemi në mes”.

Rama tha se BE nuk është një ‘menu’ ku shtetet mund të zgjedhin atë çfarë iu pëlqen dhe çfarë jo dhe theksoi se Shqipëria e ka për detyrë të sillet si shtet anëtar duke marrë përgjegjësi edhe pse ende nuk është pjesë e unionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë