Futboll

Marota zbarkon në Milano, gati tre goditje “big”

Pas takimit me pronarët kinez në Pekin, Bepe Marota ka zbarkuar mbrëmjen e së martës në Milano. Ish-drejtori i Juventus është shumë pranë firmës me Inter dhe pritet që në ditët në vijim të zyrtarizohet marrëveshja.

Me Marotën në stolin e drejtorit, në shtëpinë e Inter nis një projekt i ri dhe shumë ambicioz. Me ecurinë pozitive këtë sezon të skuadrës, që ka bërë mirë në Ligën e Kampionëve dhe në kampionat, të gjithë tifozët ziklatër kanë rritur pritshmëritë dhe Marota duket të jetë njeriu i duhur për të përmbushur këto pritshmëri.

Ndarja e përgjegjësive

Tek Inter, nw vitet e fundit përveç të tjerave ka qenë një problem më vetë numri i madh i drejtorëve. Kur u përfol fillimisht emri i Marotës për të kaluar te Inter, shumë gazetarë dhe analistë italian menduan largimin e Piero Ausilios, drejtori aktual sportiv i klubit zikaltër. Por një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë, duke parë punën e mirë që Ausilio ka bërë në dy vitet e fundit, por edhe për shkak të raporteve që ka me presidentin Stiven Zhang. Pikërisht për të folur për ndarjen e kompetencave dhe planet afatgjata që Inter do të ketë besohet se është folur në Kinë me pronarët e Suning.

Marota do të jetë përgjegjës më shumë në drejtim të krijimit të strategjive, por edhe në afrimin e lojtarëve, duke bashkëpunuar me Ausilion. Marota nuk do e kishte të vështirë këtë lloj pozicionimi, pasi edhe Juventus e ka bërë të njëjtën gjë me drejtorin Fabio Paratiçi.

Marota vjen me tre ‘big”

Kur flitet për Bepe Marotën, përpos gjithë të tjerave nuk ka se si të mos flitet edhe për merkato. Autor i disa blerjeve të bujshme dhe shumë të suksesshme, ish-drejtori bardhezi do të kërkojë të përsërisë të njëjtën gjë edhe në Milano me Inter. Në listën e gjatë të Bepe Marotës janë tre lojtarë të kalibrit botëror. Sergej Milinkonviç, Antoni Martial dhe Frederiko Kieza, janë këto tre emrat që drejtuesi 61-vjeçar do të provojë t’i veshë me fanellën e Inter.

Për mesfushorin serb është i njohur pëlqimi i Marotës, pasi edhe kur ishte te Juventus kishte tentuar që ta merrte në Torino. Por për shumë arsye mesfushori lacial nuk shkoi te Juventus dhe mediet italiane tashmë flasin për një pistë që mund ta çojë atë në Milano për të veshur fanellën zikaltër. Duket shumë e vështirë, nëse do të kemi parasysh shifrën që kërkon presidenti i Lacios, Lotito për serbin, plot 120 milionë euro, por kur në mes është një mjeshtër i merkatos si Marota kurrë nuk duhet thënë kurrë.

Anthony Martial

Dy tratativat e tjera paraqiten më të lehta. Martial nuk po kalon një moment shumë të mirë te Mançester Juanjtid dhe besohet se do të kërkojë të ndryshojë ajër. Inter ka qenë gjithmonë në gjurmët e francezit, por me një Perisiç në formë në dy vitet e fundit, marrja e francezit është shtyrë. Por me kroatin që këtë sezon nuk po e kap formën e tij më të mirë, Inter me Marota dhe Ausilio në krye do të hidhet në sulm për ta sjellë në “Meazza” 22-vjeçarin francez.

Por Inter është duke menduar edhe për krahun tjetër të sulmit, pasi Kandreva dhe Politano nuk janë lojtarë që mund të garantojnë siguri në nivelet e larta europiane, aty ku Inter synon të mbërrijë sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i Fiorentinës, Frederiko Kieza është emri që po përflitet në mediet italiane. Ai është i kërkuar edhe nga shumë skuadra të tjera italiane, por Marota ka një raport të mirë me babain e futbollistit (Enriko Kieza) dhe kjo mund të jetë një ndihmesë e madhe në këtë tratativë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë