Katër marokenë përfunduan në polici për vjedhjen e disa produkteve ushqimore, por kur agjentët i kanë marrë në pyetje, ata kanë treguar se e kryen krimin për të ndihmuar shokun. Policia radhit për Gazetasi.al se Badr Banone, Yasin Amiti , Wassin Oumina u kapën për vjedhjen e tre kokrrave ananas, 2 kilogramëve kivi, pesë pakove me fiq të tharë, tre kokrrave arrë kokosi. Të rinjtë, më i madhi i tyre i moshës 34 vjeç, të penduar pohuan në polici se këtë veprim e kryen për shokun e tyre të katërt Mouhamad Marzoki, një 24-vjeçar që ishte plagosur dhe që sipas tyre kishte humbur shumë gjak dhe kishte nevojë për t’u ushqyer sa më mirë.
Ngjarja
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Don Bosko” në një dyqan ushqimesh që i përket shtetasit I. L. Policia shkruan se marokenët u konstatuan duke ecur në rrugë nga një parullë policie. Konkretisht sipas raport shërbimit, secili prej tyre kishte qese me fruta dhe sapo kanë parë automjetin e policisë ata janë shfaqur shumë të shqetësuar.
“Pas verifikimeve është gjetur dyqani ku marokenët kishin qenë dhe mbasi është identifikuar dyqani është marrë në pyetje pronari që ka numëruar një më një se çfarë produktesh i mungonin”.
Policia e komisariatit numër tre shkruan në procesverbal se autorët e pranuan vjedhjen në prani të një përkthyesi duke shtuar se Marzoki, shoku i tyre i plagosur, kishte humbur gjak dhe duhej t’i shërbenin medoemos. Përgjatë llogaritjes, agjentët shtojnë se dëmi i shkaktuar shitësit duke llogaritur secilin nga produktet e vjedhur është në vlerën e 7800 lekëve. Të gjithë të dyshuarit kanë si adresë vendqëndrimi qendrën e azilkërkuesve në Babrru.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.