Lajme

Marku i dorëzon detyrën Çelës: Njerëzit presin drejtësi pas tërmetit

Është prezantuar në Prokurorinë e Përgjithshme, kreu i ri i organit qednror të akuzës i zgjedhur një ditë më parë nga Kuvendi, Olsian Çela.
E pranishme ka ish-kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, e cila i ka dorëzuar stafetën kryeprokurorit të ri, Olsian Çelës.
Marku u shpreh se është e lumtur që këtë detyrë po ja pason ish-shokut të klasës.
“Jam munduar që prej ditës së parë të punoj me përkushtim e integritet ashtu siç duhet të bëjë çdo zyrtar i këtij shteti. Dua të falënderoj prokurorët qe gjithë stafin që më kanë ndihmuar në përballimin e sfidave në këto 2 vite ndihma juaj më ka dhënë një eksperiencë të shkëlqyer. Falënderoj përfaqësuesit e OPDAT dhe Euralius më kanë mbështetur ne çdo iniciative. Falënderim të veçantë për median, hapësirën që më keni përkushtuar qoftë kur keni qenë dashamirës apo edhe më pak roli juaj na bën më të përgjegjshëm. Urime prokurorit, kam besim që Prokuroria do ecë përpara në përmbushjen e misionit të saj kushtetues jam shumë e lumtur që detyrën ia pasoj një shokut tim të klasës e jam e sigurt që do kaloni shumë mirë me të”, u shpreh Arta Marku.
Ndërsa, kryeprokurori i ri gjatë fjalës së tij, vlerësoi punën e paraardhëses dhe theksoi faktin se do të ketë ndryshime pozitive shumë shpejt.

“E falënderoj zonjën Marku për punën e bërë në këto dy vite. Në një fazë tranzicioni ajo ka bërë më të mirën e mundshme në këto kushte. Tani hyjmë në një fazë të re, në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë ku prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore. Kjo kërkon konceptim të ri. Ekziston mbështetja dhe kemi kapacitete që t’i japim vendit një të ardhme më të mirë, që të mundësohet që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane, ku rezultatet e punës tonë kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Ta shohim përditshmërinë e punës si një gjë të zakonshme për të ardhmen e vendit”, u shpreh Olsian Çela.
Mes të tjerash, Çela u ndal edhe tek situata në vend pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa bëri edhe premtimin e tij të parë, duke shtuar se qytetarët presin që drejtësia të vihet në vend.
“Sot vendi po përballet me një krizë të madhe për shkak të ngjarjeve të ndodhura në fund të muajit nëntor. Përgjigjja që duhet të japë prokuroria në rastin konkret duhet të spikasë në raport me institucionet e reja. Sot njerëzit kërkojnë drejtësi. Sot kërkohet që të bëhen gjëra konkrete. Në këtë fatkeqësi për vendin, njerëzit presin nga ne që të vihet drejtësi në vend. Jam i bindur që do të bëjmë një punë të mirë. Çdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet janë pozitive. Kam besimin që vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”, tha ndër të tjera Olsian Çela.

Gazeta “Si” ka siguruar edhe fotot kur kryeprokurori i ri Olsian Çela ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Kuvendi votoi me 101 vota pro kandidaturën e Olsian Çelës si Kryeprokuror për shtatë vitet e ardhshme. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Arta Markun.
Për Arta Markun Kuvendi votoi me 11 pro 22 kundër dhe 78 abstenim, e ndërsa për Fatjona Memçaj 8 kanë qenë pro, 16 kundër dhe 87 abstenim.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë