Ekspozite

Marie-Thérèse Walter, dashnorja e ëndrrave të Picassos

“Le Rêve” (Ëndrra) portretizon dashnoren 22-vjeçare të piktorit asokohe 50 vjeç, Marie-Thérèse Walter, në ëndërrim erotik. Gjysma e kokës së saj duket si një penis; duart krijojnë një vaginë. Është një pikturë primitive dhe e hareshme, me format e thjeshtuara, ngjyrat e harlisura dhe modelet vallëzuese.

Piktura është po aq e famshme, për atë çka ka ndodhur jashtë skenës,  sa edhe për kanavacën. Pjesë e një serie me ngarkesë epshore, pikturat e dashnores së tij që kënaqin turmat, konkurrenca kreative ishte një motivues i madh për Picasso-n, po aq sa edhe seksi . Picasso realizoi disa nga këto tablo, në më pak se pesë orë, i vendosur të bënte një retrospektivë  në vitin 1932, për t’ia kaluar asaj të Matisee-it, një vit më parë. Më  shumë se gjithçka tjetër, ishte menduar të lajmëronte virilitetin e tij artistik.

Dashnorja e piktorit, Marie-Thérèse Walter ishte muza e tij në këtë portret epshor të dëshirës seksuale dhe ekspresionizmit

“Le Rêve” ka kryesuar kryetitujt në disa raste. Duke siguruar një shitje prej 139 milionë dollarësh nga koleksionuesi Steven Cohen në vitin 2006,  asokohe pronari i saj, Steve Wynn, kaloi bërrylin përmes pikturës. Piktura ishte në pronësi të  Steve Wynn, manjati i kazinove dhe koleksionuesi i kryeveprave. Ai e  bleu “Le Rêve” në një shitje private më 2001-shin nga një koleksionues anonim, i  cili e pati blerë  në një ankand më  1997 –ën për  48.4 milionë dollarë. Wynn vendosi ta shesë, bashkë me piktura të tjera muzeale,  që i kishte në pronësi. Një mik i tij, moguli i investimeve dhe koleksionuesi i flaktë Steven Cohen e kishte lakmuar “Le Rêve” për vite, kështu  ai dhe Wynn ranë dakord të bënin një ujdi. Cohen ra dakord të paguante  njëqind e tridhjetë e nëntë milionë dollarë për të, çmimi më i lartë i paguar për një vepër arti.

Marie-Thérèse Walter

Por përpara se ta blinte, një përfaqësues i Cohen shkoi për ta inspektuar pikturën. E lëvizi nga muri, e nxori nga korniza dhe pohoi se ishte në formë të shkëlqyer. Me të shkruar raportin e gjendjes së pikturës, sipas kontratës, marrëveshja u arrit. Ajo që kishte mbetur ishte vetëm kalimi i parave dhe i veprës së artit. Atë fundjavë. Wynn  pati disa miq për vizitë. Ata po qëndronin, siç edhe bënin shpesh në hotelin dhe kazinonë e tij, në Las Vegas. Ndërsa hëngrën darkë bashkë, Wynn u tregoi rreth shitjes. Thanë se do të shkonin ta shihnin të nesërmen.  Ai e kishte lëvizur pikturën nga salloni i hotelit. Të ftuarit u dukën në pesë e e gjysmë dhe Wynn i ftoi brenda. Në mur, nga e majta dhe e djathta e tij ishin disa piktura, përfshi një Matisse, një Renoir dhe  “Le Rêve.”  Muret e tjerë ishin prej xhami, me pamje nga kopshti i mbyllur.  Wynn  nisi të rrëfejë historinë e origjinës së Picasso-s, i kthyer  me shpinë nga piktura. Kishte veshur xhins dhe një këmishë golfi. Wynn vuan nga një sëmundje sysh – pigmentoza  e retinës –që  prek shikimin periferik dhe për pasojë, pa e kuptuar, mbështetej pas ndërsa fliste. “Pastaj bëra një  gjest me dorën time”  kujton Wynn, “dhe bërryli im i djathtë goditi pikturën. E shpoi”. Ishte një tingull i dallueshëm grisjeje. Wynn u kthye dhe pa;  në parakrahun e majtë të  Marie-Thérèse Walter –it, në kuadratin  e poshtëm,  nga e djathta e pikturës “një shpim të vogël, një grisje pak centimetrash. Të gjithë ndalëm dhe thashë:  “Nuk e besoj dot çfarë bëra. Dreqin!”

Steve Wynn

Wynn u kthye sërish. Vendosi gishtin e vogël te vrima dhe pa se një copë e kanavacës ishte shtyrë pas. U tha të ftuarve:  “Epo, gëzohem që e bëra unë dhe jo ju”. Tha se i duhej të telefononte Cohen-in dhe William Acquavella-n, agjentin e tij të shitjeve në Nju Jork, për t’u thënë se ujdia anulohej. E më pas nisi të flasë sërish rreth pikturave, por jo i qetë, pasi kishte kryer atë që një nga të ftuarit  do ta quante më pas “bërryli dyzet milionë dollarë”

Disa orë më pas, u takuan për darkë dhe Wynn ishte në humor të mirë. “Ndjesia ime ishte; është një pikturë, është piktura ime dhe do e ndreqim. Askush nuk u sëmur apo vdiq. Është pikturë. Iu deshën vetëm pesë orë Picasso-s për ta pikturuar.”Mary Boies- një e ftuar e Wynn-it  atë natë, porositi një shitje gjashtë litërshe me verë Bordeaux dhe kur u zbraz,  u kërkoi të gjithëve të firmosnin etiketën për të përkujtuar atë pasdite katastrofike. Të gjithë ranë dakord të bënin atë që një pjesëtar e quajti “zotimi i heshtjes”. “Zotimi zgjati vetëm një javë, derisa dikush  e rrodhi ndodhinë në media).

Ditën tjetër,  Wynn, kontaktoi me agjentin dhe i tregoi ç’kish ngjarë. Më vonë, gjatë asaj jave, e shoqja e Wynn-it, Elaine, e mori pikturën në Nju Jork në avionin privat të Wynn-it,  ku ajo dhe   “Le Rêve”  u pritën nga një kamion i blinduar. Cohen i takoi në galerinë e Acquavella –s  dhe ra dakord të anulonte ujdinë derisa të riparohej i gjithë dëmi. Kontrata, ishte e pavlefshme.

Piktura përfundoi në duart e një restauratori arti, i cili tha  Wynn-it  se kur të përfundonte me të, në gjashtë apo tetë jave, nuk do të ishte në gjendje të dallonte se bërryli i tij i  kishte kaluar përmes parakrahut të Marie-Thérèse Walter-it. Një të premte, kur alarmi i Wynn-it ra në orën  7 të mëngjesit, e shoqja duke u kthyer nga ai, në shtrat i tha:  “ E shoh  të gjithë këtë si shenjë të fatit. Të lutem mos e shit pikturën!”  Atë mëngjes, Wynn e telefonoi Cohen-in dhe i tha se në fund, dëshironte ta mbante pikturën.Por, pas një restaurimi të kushtueshëm dhe  pretendimeve të policës së sigurimeve, Cohen e bleu “Le Rêve”  në vitin 2013 për 155 milionë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë