Art dhe Kulture

Margariti: Do të restaurohen Teatri i Kukullave dhe mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar

Teatri Kombëtar i Kukullave dhe mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar do të restaurohen.

Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ministrja Margariti së bashku me ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, ishin në Teatrin e Kukullave dhe pranë mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar.

Në një postim të saj në “Facebook”, ministrja Elva Margariti shkruan se restaurimi po kryhet falë mbështetjes së BE. “Një ditë e rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore. Falë mbështetjes së Bashkimit Europian nis rrugëtimin programi më i madh i restaurimit dhe rijetëzimit ‘EU4CULTURE’, që shtrihet në gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. E nisim këtë program me dy ndërtesa simbolike: Teatrin Kombëtar të Kukullave, ish-godinën e parlamentit të parë shqiptar dhe mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar”, shprehet ministrja Margariti, që ka postuar dhe foto nga këto dy godina.

Ministrja Margariti vijon më tej se është bërë prezantimi i dy projekteve, për t’i hapur udhën dhe të tjerëve në vijim.

“Bashkë me ambasadorin e BE, Luigi Soreca dhe përfaqësuesen e UNOPS, Pamela Lama prezantuam këto dy projekte që nisin nga puna, për t’u hapur udhën projekteve të tjera, siç është ambicia jonë për rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar dhe rijetëzimin sipas standardeve të kohës”, shprehet ministrja Elva Margariti.

Gjatë tërmetit të nëntorit të 2019, godina e Teatrit të Kukullave, pësoi dëmtime të konsiderueshme dhe shumë shpejt pasi u evidentuan edhe dëmet, u mor vendimi për të ndërhyrë për restaurimin e saj.

Godina e Teatrit të Kukullave në fillim u ndërtua nga austriakët dhe më pas në vitin 1925 dhe pjesa e mbetur u përfundua prej shtetit shqiptar.

Gjatë viteve 1925-1944 ka shërbyer si selia e legjislativit shqiptar dhe më pas kjo ndërtesë shërbeu si selia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Pas përfundimit të luftës ky objekt shërbeu edhe si Shtëpia e Pionierëve dhe më pas përfundimisht në të u vendos Teatri i Kukullave sikurse shërben edhe në ditët e sotme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë