Futbolli është fat, nuk i dihet si shkon, kështu që më mirë ta kesh një zanat për të qenë i sigurt në jetë. Shumë lojtarë, ish-lojtarë apo dhe trajnerë, personazhe të njohur të sportit më të ndjekur në botë, kanë një të kaluar që pakkush e di. Jo të gjithë kanë pasur fatin ta nisin direkt me futbollin dhe kanë bërë edhe një zanat tjetër në rini. E bukura është se bëhet fjalë për zanate, që askush nuk i imagjinon, pasi i ka parë në fushën e blertë. Ja disa prej tyre:
Miroslav Klose
Po, e kuptuat mirë. Një nga futbollistët më të fortë të historisë së futbollit ka bërë zdrukthtarin para se të hynte në botën e sportit. “Pas shkollës kam kaluar tri vjet si ndihmës pas një zdrukthtari. Ishte një periudhë e rëndësishme për mua, që më bëri të kuptoj shumë gjëra. Kaloja ditë të tëra në këmbë në garazh duke punuar me dru, për të bërë më pas montimin në çatitë e shtëpive. Nga ai moment kuptova rëndësinë e punës. Duhet të jesh në gjendje të punosh me cilësi dhe në fund ta shijosh punën që ke bërë“, - tregon Klose.
Xhimi Vardi
Edhe ai që nuk e ndjek futbollin, do të ketë dëgjuar të paktën një herë për Xhimi Vardin kohët e fundit. Sulmuesi i Leiçesterit, i cili e çoi këtë skuadër drejt atij titulli të pabesueshëm në Premier, duket si një personazh përralle. Imagjinoni pak që para se të zbarkonte në futboll, ai ka punuar si tornitor në një fabrikë në Shefilld. Pak kohë më parë u tërhoq nga Kombëtarja e Anglisë.
Xhorxhio Kinalia
Në fushë ishte i papërmbajtshëm dhe duket se “tërbimi” i Xhorxhio Kinalias buronte nga koha e fëmijërisë së tij, që nuk ka qenë edhe aq komode. Në Kardif, ku shkoi si emigrant, ka punuar si kamarier dhe pjatalarës në restorantin e familjes. Më pas shpërtheu në futboll, duke lënë gjurmë veçanërisht me fanellën e Lacios.
Kris Uodëll
Ka qenë pa dyshim ndër mesfushorët më të mirë anglezë të kohës së tij, protagonist absolut me Olimpikun e Marsejës në vitet ’80-90. Fjala është për Kris Uodëll, i cili në rininë e tij ka punuar në paketimin e salsiçeve. Në Francë e kujtojnë ende futbollistin anglez për kualitetin e tij.
George Popesku
George Popesku, ish-mbrojtësi i njohur i Rumanisë dhe ish-kapiten i Barcelonës, përveç të tjerash, ka punuar edhe si informator për policinë famëkeqe të regjimit të ish-diktatorit Nikola Çaushesku. E besoni apo jo, ish-lojtari i Barcelonës ka bërë edhe spiunin. Profesion, që në botën e futbollit modern askush nuk mund ta imagjinojë.
Dario Hubner
Para se të bëhej futbollist, Dario Hubner, ka punuar për disa vite si marangoz. Ndoshta nga ai zanat ish-sulmuesi i Breshias dhe disa skuadrave të tjera në Itali, ka marrë gjithë grintën, që më pas e ka transmetuar edhe në fushat e blerta. Një personazh mjaft karizmatik edhe pas tërheqjes nga futbolli.
Ezekiel Laveci
Argjentinasi Ezekiel Laveci, para se të bënte bujë në futboll me fanellën e Napolit, PSG-së dhe tani në Kinë, ka punuar si elektricist për goxha kohë, duke ndihmuar vëllanë e madh. Ndoshta në atë kohë nuk e dinte se çfarë e priste.
Vladimir Petkoviç
“E kam zgjedhur, sepse është një trajner i zoti dhe që ka vlera të mëdha morale”, - thoshte Klaudio Lotito, presidenti i Lacios, në ditën e prezantimit të Vladimir Petkoviç. Ai i referohej të shkuarës së trajnerit nga Sarajeva, që më parë ka qenë vullnetar i Karitasit. Aktualisht, drejton kombëtaren e Zvicrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.