Lajme

Maqedonia e Veriut voton sot për presidentin e ri

Këtë të diel në Maqedoninë e Veriut mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në garë për kreun e ri të shtetit maqedonas janë tre kandidatë, mes të cilëve edhe një shqiptar. Partia e Zoran Zaev në pushtet garon me kandidatin, Stevo Pendarovski, i cili e ka fokusuar fushatën e tij tek integrimi europian. Kundërshtarët e Pendarovskit, kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka, përfaqësuesi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kanë paraqitur po ashtu agjenda shumë ambicioze.

Lexo edhe:
- Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, emër i ri, probleme të vjetra

Sipas medieve fqinje asnjë prej tre kandidatëve nuk pritet të marrë më shumë se 50% të votave dhe më shumë gjasa pritet të ketë një raund të dytë votimesh për të zgjedhur kreun e ri të shtetit të Maqedonisë së Veriut. Në rast se do të shkohet në raundin e dytë, ato janë përcaktuar se do të mbahen dy javë më pas, më datë 5 maj. Që nga shpallja e pavarësisë këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale, por të parat zgjedhje që mbahen me emrin e ri, Maqedonia e Veriut.

Kutitë e votimit janë hapur në orët e para të mëngjesit në të gjithë vendin sipas programit të përcaktuar nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve në Maqedoni. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në ora 19:00. Në Maqedoninë e Veriut të drejtën e votës e kanë 1.808.131 qytetarë. Sakaq janë raportuar edhe incidentet e para ku në dy vendvotime në komunën e Studeniçanit nuk është lejuar që të hapen qendrat ku qytetarët mund të votojnë.

Pasi kanë votuar në qendrat përkatëse, para medieve kanë folur edhe dy prej kandidatëve në këto zgjedhje Blerim Reka dhe Stevo Pendarovski. Reka iu ka bërë apel të gjithë që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe e cilësoi këtë të dielë si një ditë të madhe për vendin.
“Sot është një ditë e madhe, paralajmërim për një faqe të re për republikën e Maqedonisë në raport me Bashkimin Evropian. Ftoj qytetarët masivisht të votojnë”, tha Blerim Reka.

Ndërsa kandidati i partisë Bashkimi Social Demokratik e Maqedonisë Stevo Pendarovski tha se pret zgjedhje të qeta dhe që qytetarët ta shprehin të lirë vullnetin e tyre.“Pres zgjedhje të qeta, ashtu siç i ka hije një shteti demokratik. Pres jehonë të madhe të votuesve, sepse qytetarët e dinë që bëhet fjalë për një koncept përmes të cilit duhet të vazhdoj të zhvillohet Republika e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Stevo Pendarovski.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë