Ne rrjet

Maqedonia e Veriut/ Propozohet ulja e dënimeve për zyrtarët që abuzojnë me pushtetin. Tre partitë opozitare shqiptare: Duan të shpëtojnë Nikolla Gruevskin

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka propozuar disa ndryshime në Kodin Penal që kanë të bëjnë me dënimet me burg për bartësit e funksioneve shtetërore që keqpërdorin detyrën zyrtare.

Ndryshimet që tashmë gjenden për miratim në Kuvend, me procedurë të përshpejtuar, parashikojnë uljen e dënimeve.

Nëse miratohen ndryshimet, personat që keqpërdorin pozitën dhe autoritetin zyrtar gjatë prokurimit publik apo dëmtojnë fondet buxhetore, do të dënohen deri me pesë vjet burgim.

Me ligjin që ende është në fuqi, dënimet për vepra të tilla penale nisin nga pesë e mund të shkojnë deri në më shumë se dhjetë vjet burgim.

Sipas propozimit të ri, në nenin 353 (c), që i referohet veprës “sjellje të pahijshme në shërbim”, minimumi i parashikuar më parë prej tre vjetësh burg për një zyrtar apo person përgjegjës në një shoqëri apo institucion publik, është ulur nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut gjatë një seance

Ulje më drastike të dënimit me burg parashihen në nenin 394, që ka të bëjë me veprën penale “bashkim kriminal”.

Në vend të maksimumit prej dhjetë vjet burgim që parashikohej më parë për atë që krijon një grup kriminal, tani me ndryshimet që janë në procedurë parlamentare, dënimi maksimal mund të arrijë deri në tre vjet burg.

Ulje të dënimit ka edhe për anëtarët e grupit apo bandës kriminale që do të përfshihen në krim.

Dënimi maksimal prej pesë vjetësh burgim, me propozimin e ri ulet në maksimum dy vjet.

Qeveria maqedonase thotë se ndryshimet në ligj janë bërë në bazë të legjislacionit gjerman dhe do të jenë një zgjidhje e përkohshme deri në miratimin e një Kodi të ri Penal.

“Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar si inkriminim është kritikuar për një kohë të gjatë dhe ka epitetin e një relikti të legjislacionit penal nga ish-Jugosllavia. Vërejtja kryesore është se bëhet fjalë për një inkriminim abstrakt, që ka çuar në interpretime të ndryshme në zbatimin e tij. Zgjidhjet e propozuara në nenin 353 si dhe fshirja e disa paragrafëve, shkojnë në drejtim të përshtatjes me konceptin e ri në të cilin janë standardizuar kriteret për përcaktimin e dënimeve”, thuhet në sqarimin e Qeverisë maqedonase.

Por, ndryshimet e propozuara kanë shkaktuar një sërë reagimesh dhe janë cilësuar si “përpjekje të Qeverisë për mbrojtjen e zyrtarëve të dyshuar për afera të rënda korruptive”.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPME-ja thotë se do të bëjë gjithçka për të parandaluar miratimin e ndryshimeve për të cilat, debat parlamentar do të ketë jo më shumë se tre ditë, ashtu siç parashihet në raste kur propozimet dërgohen për miratim me procedurë të përshpejtuar.

Dafina Stojanovska, deputete e VMRO-së

“Kemi një propozim kriminal për ndryshimet dhe plotësime të Kodit Penal, që në fakt nuk është gjë tjetër pos një propozim për amnistinë e kriminelëve të pushtetit. Ne nuk do të lejojmë që të na sillni propozime në kundërshtim me të gjitha normat juridike dhe duke keqpërdorur edhe procedurën e miratimit të tyre, gjoja në emër të Bashkimit Evropian”, thotë Dafina Stojanovska, deputete e VMRO-së.

Tre partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa dhe Alternativa propozimin e Qeverisë e kanë quajtur “veprim për shpëtimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe bashkëpunëtoreve të tij”.

Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, teksa arratiset nga Maqedonia pas akuzave për shpërdorim detyre

Nikolla Gruevski ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe aktualisht ndodhet në Hungari, ku në vitin 2018 ka marrë azil politik pas ndjekjes së tij nga organet gjyqësore maqedonase.

Ai është dënuar me mbi dhjetë vjet burgim për disa vepra penale, ndërsa disa procese të tjera gjyqësore ende janë në procedurë e sipër.

“Arsyeja themelore se pse po bëhen këto ndryshime në Kodin Penal është që sa më shpejt në Shkup të rikthehet, pa ferrë në këmbë, Nikolla Gruevski… Ne kemi dyshime të thella dhe të bazuara se ndryshimet e Kodit Penal po propozohen edhe sepse eksponentë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, por edhe të Lidhjes Social Demokrate, e dinë se pas zgjedhjeve të ardhshme do të jenë në opozitë dhe prandaj duan të krijojnë kornizë që mos t’i kapë ndjekja penale. Se për çfarë frikësohen, ata e dinë më së miri, ndërsa ne do ta marrim vesh vetëm pasi që ta kemi në dorë pushtetin, kur do të kemi qasje në krejt të palarat e këtij pushteti antipopullor”, u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Fadil Zendeli, Lëvizja Besa

Ndryshimet në Kodin Penal janë propozuar në kohën kur pushteti po përballet me akuza të shumta për shpërdorim të detyrës nga ana e zyrtarëve të saj, manipulim tenderësh dhe pasurim të paligjshëm. Rasti i fundit ka të bëjë me Klinikën e Onkologjisë në Shkup. Prokuroria po heton pas dyshimeve se janë shitur në treg të zi terapitë e të sëmurëve me kancer. Në këtë aferë dyshohet se janë përfshirë edhe zyrtarë të kësaj klinike, të emëruar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë të para pak kohësh, Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, deklaroi se “pushteti në Maqedoninë e Veriut ka futur hundët në të gjitha sferat për të pamundësuar luftën kundër korrupsionit.

Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Ky komision ka qenë së fundi në shënjestër të zyrtarëve të lartë, zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili në një intervistë për media maqedonase tha se Komisioni ka mungesë të kapacitetit në punë, nuk ka treguar rezultate dhe se anëtarët e tij nuk janë në nivelin e duhur.

Kritika të ngjashme ka pasur edhe nga zyrtarë të tjerë. Nuri Bajrami thotë se kritika të tilla tregojnë arrogancën e pushtetit për të penguar punën e komisionit. Bajrami theksonte në intervistë nevojën për një “front të gjerë për të dalë përballë atyre që e kanë kapur shtetin për fyti”. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë