Ne rrjet

Maqedonia e Veriut nën sulmin e hakerave: Miliona euro investime për sigurinë kibernetike

Institucionet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Për t’iu kundërvënë atyre, autoritetet kanë bërë hapa, duke forcuar softuerët.

Nga Qendra nacionale për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike – që funksionon në kuadër të Agjencisë për Komunikime Elektronike – bëjnë të ditur se gjatë shtatorit një institucion shtetëror ka njoftuar se ka qenë cak i sulmeve kibernetike. Por, kjo qendër nuk dha detaje se për cilin institucion bëhet fjalë.

Nga Qendra nacionale për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike thanë për se vizitat intensive të ueb faqes të institucionit të sulmuar kanë bërë që ajo të dalë jashtë funksionit.

Drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike, Jeton Akiku, në gusht të këtij viti kishte deklaruar se në Qendrën për përgjigje ndaj incidenteve kompjuterike ishin përgjigjur 155 incidente, prej të cilave, 12 ishin më serioze.

Në fillim të shtatorit, sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë maqedonase nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Aitonix në Shkup në vlerë prej 23 milionë eurosh për licenca softuerike për mbrojtje nga sulmet kibernetike.

Marrëveshja është 8 milionë euro më e shtrenjtë sesa ajo që qeveria e Shkupit kishte nënshkruar tre vjet më herët po për mbrojtjen e institucioneve nga sulmet kibernetike. Marrëveshja ishte nënshkruar nga sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili aktualisht po përballet me një proces gjyqësor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Nënshkrimin e marrëveshjes në shtator e ka kritikuar partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE. Nga kjo parti kanë pyetur se pse Qeveria për të njëjtat shërbime të paguajë më shumë sesa tre vjet më parë.

VMRO-ja ka kërkuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë këtë rast, duke pretenduar se programi i kompanisë Aitonix ka lidhje të ngushta me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Por, nga Qeveria janë arsyetuar se rritja e vlerës për sigurimin e softuerit për mbrojtjen e institucioneve ka ndodhur sepse ka të bëjë me një numër më të madh të institucioneve që do të duhet të mbrohen nga sulmet kibernetike.

“Sekretari i Përgjithshëm ka kryer hulumtime dhe konsultime me institucionet përkatëse, si rezultat i të cilave numri i institucioneve të përfshira në prokurim është rritur në 22, për dallim nga ai i mëparshmi që ishte përbërë nga 18 institucione. Këtu bëjnë pjesë Qeveria, të gjitha ministritë, Fondi për Sigurimin Shëndetësor, ai për Sigurim Pensional dhe Doganat. Me këtë blerje, ofertuesi për kohëzgjatjen e marrëveshjes duhet të sigurojë instalimin, zbatimin dhe trajnimin për licencat dhe shërbimet e kërkuara të Microsoft, aplikimi i të cilave do të rriste efikasitetin dhe efektivitetin e operimit, si dhe do të siguronte një rritje të nivelit të sigurinë në operacion. Një arsye shtesë është ndryshimi i kushteve të tregut, kanë theksuar nga Qeveria.

Por, eksperti i inxhinierisë informative, Bozhidar Spirkoski, thotë se problemi mbetet në sigurimin e një kuadri cilësor për mbrojtjen e institucioneve.

“Paga është një faktor në vete, por gjithsesi edhe vazhdimësia e realizimit të strategjive të dakorduara, pavarësisht nëse ka pësuar ndryshime udhëheqja politike, përkatësisht drejtuesit e institucioneve. Kuptohet, paga është e rëndësishme edhe në sektorin shtetëror është më e ulët, por ka përfitime të tjera. Për të mbajtur kuadro të inxhinierisë informative kërkohen ndryshime, por gjithsesi për të pasur sukses në luftën kundër sulmeve kibernetike, duhet të ketë vazhdueshmëri sa i përket realizimit të strategjive, që gjë mungon te ne”, thotë Spirkoski.

Por, në shtator kur u njoftua nga ekzekutivi për marrëveshjen për licencat softuerike, Ministria e Shoqërisë Informative në Maqedoninë e Veriut prezantoi propozim-ligjin për sigurimin e rrjeteve dhe sistemit informativ.

Sipas këtij projektligji duhet të themelohet Agjencia për digjitalizimin, sigurinë kibernetike dhe transformimin digjital. Kjo agjenci do të ketë për detyrë koordinimin e çështjes së sigurisë kibernetike për të gjitha institucionet në Maqedoninë e Veriut. Për këtë agjenci është paraparë të ndahet një buxhet vjetor prej 21.5 milionë eurosh. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë