Ne rrjet

Maqedonia e Veriut fut në krizë qeverinë e Greqisë

Votimi me 81 vota të Parlamentit të Maqedonisë, të amendamenteve kushtetuese që sanksionojnë ndryshimin e emrit të vendit nga Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut shkakton tërmet në Greqi.
Aleati i koalicionit në qeverinë greke, Panos Kamenos dhe partia e tij “Grekët e Pavarur” deklaroi dorëzimin e postit të ministrit të Mbrojtjes, duke bërë të ditur edhe largimin nga koalicioni qeverisës.
Kamenos e bëri këtë deklaratë pas një takimi të zhvilluar në rezidencën Maximos, me kryeministrin Tsipras.
“Patëm një bashkëpunim që zgjati plot 4 vite në një qeveri për unitet kombëtar. Ne arritëm shumë sëbashku. Falenderova kryeministrin. Në çështje kombëtare, bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë. ANEL tërhiqet nga qeveria,” tha Kamenos pas takimit të gjatë me Alexis Tsipras.

Kamenos duke dalë pas takimit me Tispras

Ai theksoi se nuk kanë arritur marrëveshje me Tsiprasin në lidhje me votimin e ratifikimit të Marrëveshje së Prespës të cilën “Grekët e Pavarur” nuk e përkrahin. Arsyeja e emrit të shtetit fqinj, i arritur pas marrëveshjes së Prespës mes dy kryeministrave Zaev e Tsipras është shkaku i largimi të aleatit të ekstremit të djathtë politik.
“Për katër vite patëm një partnership të ndershëm… edhe pse vinim nga familje të ndryshme. Pranova dorëheqjen e tij”, tha Cipras për gazetarët pas takimit që pati me Kamenos.
Menjëherë pas largimit të Kamenos, Tsipras do të njoftonte emrin e ri për postin e ministrit të Mbrojtjes.
“Ministri i ri i Mbrojtjes do të jetë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare Helene, admirali Evangjelos Apostolaqis”, shtoi Tsipras duke theksuar se qeveria do të përpiqej të rinovonte mandatin e saj duke kërkuar menjëherë një votëbesim në parlament.
Të enjten është parashikuar votëbesimi në Parlament të kryeministrit Tsipras, ndërkohë që Greqia është disa muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

Admirali Evangjelos Apostolaqis, i propozuar si Ministër i Mbrojtjes


"Kam marrë vendimin tim dhe e kam informuar presidentin e parlamentit se do të kalojmë menjëherë procedurat e parashikuar nga Kushtetuta për përtëritjen e besimit në qeverinë time", u tha gazetarëve Tsipras.
Bashkëpunimi midis dy forcave të kundërta politike të majtës së Syriza, të udhëhequr nga Alexis Tsipras dhe të nacionalistëve të djathtë, ANEL të udhëhequr nga Panos Kamenos u vendos në vitin 2015 dhe ai merr fund sot.
Por Kamenos ndërkohë në një konferencë për median bëri të ditur se partia e tij nuk do të votojë për votëbesimin e kryeministrit Tsipras.
Kamenos dhe partia e tij do të kenë një rol vendimtar në mbajtjen në këmbë të kësaj mazhorance pasi pa votat e tyre, Tsipras nuk do ta arrinte shumicën e thjeshtë prej 151 nga 300 deputetë. ANEL ka 7 deputetë dhe Syriza ka 145 deputetë në Parlamentin grek dhe mbështetje nga një deputet i pavarur.

Tispras duke folur në Parlamentin grek


Gazeta “Kathemerini” shkruan se mocioni i besimit mund të merret nga Tsipras me 120 vota, nëse një pjesë e mirë e deputetëve abstenojnë. Ndërsa nëse do të kishte një mocion mosbesimi nga ana e opozitës ndaj qeverisë greke atëherë liderit të Syrizas do t’i duheshin 151 vota të 300 deputetëve të Parlamentit grek për të votuar.
Ky raport i votave sipas Reuters do të ndikojë që Greqia të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ndërsa më të favorizuar duken të djathtët e Demokracisë së Re, të cilët sipas një sondazhi janë disa pikë përpara Syriza-s.
Por gazeta “Prothema” shkruan se mund të ketë të paktën 6 deputetë të cilët mund të mbajnë në këmbë qeverinë Tsipras. Mes tyre llogariten edhe dy deputetë të partisë së Kamenos, të cilët janë në qeveri si ministra. Gazeta greke shkruan se janë tre deputetë që janë kundër rrëzimit të qeverisë greke. Por ndonëse janë për të mbajtur një qeveri të tillë, disa prej tyre janë kundër miratimit të Marrëveshjes së Prespës.

Maqedonia komenton krizën greke
Kriza greke është komentuar edhe nga vetë kryediplomati maqedonas, Nikolla Dimitrov. Mediat vendase bëjnë të ditur se ai ka biseduar me ministrin alternativ të Punëve të Jashtme në Greqi, Jorgos Katrugallos, pas deklaratës së Panos Kamenos për braktisjen e koalicioni qeverisës për shkak të çështjes së emrit me Maqedoninë.
“Pata një korrespondencë të shkurtër me kolegun tim Katrugallos dhe mora garanci se qeveria greke mbetet e përkushtuar fuqishëm në përputhje me interesat kombëtare të Greqisë për të përfunduar punën e Marrëveshjes së Prespës. Unë mendoj se është më e dobishme të dërgojmë mesazh se është koha për të dy vendet që janë fqinjë dhe që ndajnë interesat të përbashkëta, ta bëjnë këtë hap për marrëdhënie të afërta strategjike”, pohoi Dimitrov. Të shtunën kryeministri Zaev i bëri thirrje Greqisë të ratifikojnë marrëveshjen e Prespës dhe të mos të bëhen pengesë.
Kamenos, lideri që kontestonte Maqedoninë

Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës mes Greqisë dhe Maqedonisë në qershor të vitit të kaluar


Koalicioni mes ANEL dhe Syriza ka qenë tejet i vështirë, pasi partia e Kamenos ka kontestuar përherë emrin e Maqedonisë. Greqia ka kushtëzuar votën pro anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, duke i kërkuar ndryshimin e emrit të shtetit. Por qëndrimi i Kamenos shihej me skepticizëm nga ana e ish-kryediplomates Dora Bakojanis. “Panos Kamenos do të ndryshojë qëndrim dhe do të votojë pro marrëveshjes Greqisë dhe Maqedonisë”, tha Bakojanis pak pasi parlamenti i Shkupit miratoi ndryshimet kushtetuese për emrin.
Ajo akuzoi kreun e partisë “Grekët e Pavarur”, partnerin e vogël të koalicionit qeveritar të Alexis Tsipras, se do të ndryshojë mendje pas presionit të kryeministrit, por edhe kancelares Angela Merkel, e cila vizitoi së fundmi Athinën.
“Së shpejti do të dëgjojmë një deklaratë fitimtare nga Ministri i Mbrojtjes sepse ai nuk ka zgjedhje tjetër, pasi nuk e ka partinë në anën e tij. Ai është i dëshpëruar dhe do të ndryshojë mendjen”, tha Bakojanis.
Pas saj, edhe kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis tha se nëse Kammenos do të kishte dashur të bllokonte marrëveshjen, ai do të ishte larguar nga qeveria muaj më parë. Por qëndrimi i Kamenos, duket se ka “zhgënjyer” përfaqësuesit e opozitës greke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë