Bota

Maqedoni, Qeveria “merr nën kontroll” edhe spitalet private

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli mbrëmjen e së premtes gjendjen e krizës në të gjithë territorin e vendit. Vendimi erdhi si pasojë e gjendjes së rëndë të shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, me shtimin e numrit të viktimave dhe rasteve të reja të të infektuarve me koronavirus.

Kjo nënkupton nxjerrjen e forcave të ushtrisë në rrugë, përfshirjen e saj në aktivitetet e rendit, si dhe në ndihmë të institucioneve shëndetësore.

Gjithashtu shpallja e gjendjes së krizës i mundëson qeverisë administrimin edhe të spitaleve private për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.

“Gjendja e krizës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut për 30 ditë, e cila u shpall nga Qeveria me propozimin e Këshillit të Sigurimit, i jep mundësi ushtrisë të mbështesë policinë dhe objektet shëndetësore, shkroi sot në Facebook Presidenti Stevo Pendarovski.

Presidenti shtoi se sipas Ligjit për Menaxhimin e Krizave, ushtria do të ndihmojë policinë në sigurimin e objekteve strategjike, spitaleve, si dhe në sigurimin e depove për ilaçe dhe pajisje të tjera mbrojtëse mjekësore.

“Mendoj se ndihma dhe mbështetja e tillë është më se e nevojshme për autoritetet shëndetësore dhe policinë, të cilët tashmë nëntë muaj po luftojnë me pandeminë dhe janë jashtëzakonisht të rraskapitur”, ka theksuar Pendarovski.

Pas këtij vendimi të qeverisë, themelohet një shtab kryesor që do të koordinojë të gjithë luftën kundër pandemisë së koronavirusit gjatë kohës së gjendjes së krizës. Ky institucion do të koordinojë 80 shtabe lokale të krizës nëpër komuna.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut,  i bëri apel qytetarëve të respektojnë masat anticovid. Mjekët paralajmërojnë se kapacitetit janë të tejmbushura dhe personeli mjekësor ndodhet çdo ditë përballë rrezikut të infektimit me COVID-19.

Mjekët gjithashtu kanë publikuar edhe një video ku i bëjnë i bëjnë apel qytetarë që të tregohen më bashkëpunues dhe të ndihmojnë stafin mjekësor në luftën kundër koronavirusit.

“Jemi të angazhuar gjatë ditës kohës dhe japin më të mirën. Edhe ne kemi familje, kemi fëmijë, kemi prindër të moshuar. Edhe ne nuk duam ta bartim sëmundjen në shtëpi, as të sëmuremi. Mundohemi që asnjë pacient të mos mbesë pa mbrojtjen e nevojshme shëndetësore. Kjo do të zgjasë dhe vetëm të bashkuar mund të japin kontribut, në mënyrë që t’ju ndihmojmë pacientëve tanë. Ju lusim t’ju përmbaheni rekomandimeve, mbani maskë dhe largësi trupore. Vetëm kështu jemi fitues në këtë luftë”, theksojnë mjekët.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë