Edhe pse pritej një dënim më i rëndë, gjykata sportive italiane ka dhënë një dënim minimal për klubin e Serie A, Chievo. Skuadra veroneze ia ka dalë t’i shpëtojë akuzave për manipulim bilancesh me një penalitet që i heq vetëm tre pikë në renditje në këtë kampionat. Dënimi ende nuk është zbardhur, por Federata Italiane e Futbollit ka kërkuar këtë dënim për klubin që vitin e shkuar mbijetoi në javët e fundit në elitë.
Ndër të tjera, gjykata ka marrë vendim edhe për presidentin e klubit të Chievos, Luca Campedelli i cili nuk do të lejohet të shkojë në stadium për tre muaj. Akuza për Chievo-n dhe presidentin e saj është për manipulim të bilanceve financiare dhe të lëvizjeve të pajustifikuara të futbollistëve të rinj nën moshën 18-vjeç.

Për skuadrën nga Verona ky është një lajm i keq, pasi për objektivat që kjo skuadër lufton, këto tre pikë mund të rezultojnë vendimtare. Skuadra tashmë do duhet të jap maksimumin e saj për të superuar këto tre pikë përballë rivalëve të tjerë.
Sakaq për ekipet e tjera në luftën për mbijetesë në Serie A, ky është një lajm i mirë, pasi një kundërshtar direkt do të ketë tre pikë më pak, që për luftën në fundin e tabelës janë shumë të rëndësishme. Chievo pas tre ndeshjeve të para të këtij kampionati është në kuotën e -2 pikëve pasi deri më tani ka marrë vetëm një barazim dhe dy humbje. Më herët për këtë ekip, për Parmën e sapo ngjitur në elitën italiane të futbollit, por edhe të tjera skuadra kryesisht në Serie B, kishte pasur akuza për trukim ndeshjesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.