Trend

Mania për t’u dobësuar shpejt po u shkakton probleme shëndetësore shqiptarëve

“Dua të humb peshë dhe dua ta humb tani,” kjo dëshirë gati e pamundur është lajtmotiv tani. Me fillimin e verës vjen dhe dëshira për të shkuar në plazh e bashkë me këto të dyja është dhe dëshira për të ulur në peshë. Por kujtohen shumë vonë dhe duan të humbin peshë për një kohë shumë të shkurtër.

Instruktorë të ndryshëm i thanë Gazetasi.al se tani po shkojnë shumë klientë në palestër me kërkesën “dua të ul në peshë sa më shpejt që të jem gati për verën”.

Kristina është një 25-vjeçare e cila para dy muajsh peshonte 80 kg dhe dëshira e saj ishte të ulte peshë para se të fillonte vera dhe të vinte dita e dasmës së saj në korrik.

“Doja të ndryshoja dhe në një ditë fillova dietën si dhe u regjistrova në palestër. Java e parë ishte shumë e vështirë, mezi ecja, mezi ulesha dhe ishte një torturë”, tregon Kristina e cila shton se palestra bashkë me dietën drastike filloi shumë shpejt të japë efekt, por jo atë që ajo donte...

Për një kohë të shkurtër Kristina filloi të humbte peshë dhe bashkë me peshën humbi dhe fuqinë si dhe filluan t’i shfaqeshin probleme që nuk i kishte pasur kurrë më parë në shëndet.

“Palestra intensive më ndikoi në shëndetin fizik dhe atë mendor. Nuk kisha fuqi të ecja normalisht, më dhimbte kudo trupi si dhe u bëra shumë nervoze”, tregon Kristina e cila ka pak ditë që e ka lënë palestrën pikërisht për shkak të këtyre problemeve.

Ajo filloi të humbte kilet që dëshironte por nga ana tjetër nuk ndjehej mirë dhe instruktorja e saj e këshilloi të ndalonte pasi dëshira po e shtynte të bënte ushtrime dhe stërvitje që nuk ishin për të.

Maringlen Doda, instruktor palestre tregon për Gazetasi.al se janë të shumtë klientët që duan të humbin edhe 10 kile në një muaj “në një kohë kur normalja është të humbësh 100 gram në ditë, 3 kile në muaj”. Për më tepër, trupi ynë mund të djegë vetëm një sasi të caktuar yndyre në një javë, pas kësaj fillojnë të digjen indet muskulore të ligë. Në shumicën e rasteve kur njerëzit humbin peshë me shpejtësi, ka të ngjarë që të fitojnë më shumë sesa kishit humbur për një kohë shumë të shkurtër më pas.

Instruktor Maringlen Doda

Gjithashtu, dieta e rreptë për të humbur peshë shpejt mund të shkaktojë edhe probleme të tjera të lidhura me shëndetin si dehidrimi, mungesa e lëndëve ushqyese dhe probleme kardiovaskulare.

“Ka shumë njerëz që vijnë për t’u dobësuar shpejt por asnjëherë nuk është mirë të ulësh shumë kile shpejt sepse shkatërron metabolizmin”, tregon Doda.

Ai thotë se gabimi më i madh është kur mbajnë dieta drastike pasi dietat ngadalësojnë metabolizmin, prandaj merren të gjitha kilet e humbura sa të fillojnë të ushqehen normalisht. Sekreti është që të krijohet një ekuilibër stërvitje-regjim ushqimor që të mbahet gjatë gjithë kohës. Vetëm në këtë mënyrë mund të qëndrojnë fit apo të dobësohen dhe mos ti marrin më ato kilet që kanë humbur.

“Unë këshilloj stërvitje të rregullt dhe regjim ushqimor të mirë në bazë të grupit të gjakut”, tregon Doda i cili thotë se tashmë është kthyer në një “luftë” pjesa kur duhet të bindë klientët që për herë të parë kanë shkelur në një palestër dhe duan të ulin peshë shpejt.

“Nuk kanë informacione dhe duan vetëm të dobësohen, pa pyetur për pasojat. Duhet kohë ta kuptojnë se është e dëmshme”, thotë ai.

Doda tregon për Gazetasi.al se moshat 25-35 janë ato që kanë më shumë kërkesa të tilla. Sipas instruktorëve të palestrave për humbjen intensive të peshës, ndihmon shumë një lloj kombinimi ushtrimesh që klasifikohen si Crossfit. Kjo stërvitje është ndër llojet e stërvitjeve që të dobëson më shumë por jo të gjithë mund ta bëjnë, kjo sepse ka shumë volum dhe janë një sërë ushtrimesh të kombinuara bashkë dhe një fillestar apo dikush që ka ndonjë problem shëndetësor sado i vogël qoftë ai.

Dobësimi i shpejtë është ideali por jo i duhuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë